Nga Veli Haklaj
Hyrje
Objekt i këtij punimi, që do të publikohet për lexuesin e gazetës “Mapo”, është pasqyrimi i disa aspekteve të realitetit të përjetuar në Qarkun e Gjirokastrës gjatë periudhës së pushtimit gjerman. Në fokus të punimit do të jenë raportet e qytetarëve me organet e pushtetit civil dhe ushtarak në këtë qark, si dhe problematikat e shfaqura në relacionet ndërmjet fuqive të Ballit Kombëtar që vepronin në Qarkun e Gjirokastrës dhe strukturave të pushtetit qendror dhe lokal.
Për përgatitjen e punimit jemi bazuar kryesisht në dokumente që administrohen në fondin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, me të dhëna autentike për struktura, organizata dhe persona, për implikimet e tyre qofshin pozitive apo negative.
Letra e Ismail Golemit për ministrin Koço Muka
Më 14 mars 1944, kryetari i Komitetit Qarkor të Ballit Kombëtar të Gjirokastrës, Ismail Golemi, i dërgoi z. Koço Muka, në atë kohë ministër i Arsimit, një letër me këtë përmbajtje:
I dashur Koço!
Unë e kam ditur se do të më vinte si evgjiti në këmbë të urës. Mirë për mue që s’ju vjen keq juve, por duhet t’u vijë keq për vete, për premtimet që i keni dhënë këtij populli; dhe po t’u vijë keq duhet të interesoheni me i dalë për zot.
Për t’ju përshkrue unë gjendjen, ju e dini, vetëm ju them të interesoheni me dërgue sa më parë pranë Komitetit të këtushëm z. Zurdi Karagjozin, i cili është emëruar prefekt me vullnetin e popullit të këtushëm dhe situata e lejon që të vijë me doemos Zurdiu. Të dërgoni si eksponent Zejnel Gjolekën, Hasan Ramin, Qemal Shtinon, një nga Selfatë, Qazim Puton, Lufto Toton dhe Xhevat Kallanxhinë.
Për të kuptuar gjendjen e këtushme dhe veprimet tona të deritanishme ju lutemi të mos përtoni të merrni raportet që i janë drejtuar qendrorit (Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar) me Malo Mezinin dhe me Nuri Dinon.
Informacioni i prefektit Veip Runa për batalionin vullnetar të Gjirokastrës
Më 18 maj 1944, Komiteti Qarkor i Organizatës së Ballit Kombëtar për Gjirokastrën organizoi një takim me popullin me rastin e rifillimit të ushtrimit të detyrës nga prefekti Veip Runa. Pasi foli kryetari i Komitetit Qarkor, Ismail Golemi, ende pa e marrë fjalën prefekti Runa, Iliaz Aliu, nga Dhëmblani i Tepelenës, pjesëtar i fuqive të Ballit Kombëtar, hodhi një bombë ku u plagosën dhjetë veta. Menjëherë fuqitë e Ballit Kombëtar, që ishin grumbulluar para Bashkisë, hapën zjarr duke vrarë pesë veta dhe plagosur nëntëmbëdhjetë të tjerë. Kjo ngjarje nuk ishte një rifillim i mirë i punës në Gjirokastër për prefektin Veip Runa.
Katër ditë më pas, më 22 maj 1944, prefekti Runa i dërgoi Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme një informacion mbi batalionin vullnetar të Gjirokastrës, i cili përbëhej prej afro 500 – 600 personash, nën komandën e ish-kapiten I Ismail Golemi. Sipas informacionit, konsiderohej se ky batalion ishte i organizuar mirë dhe i ekuipazhuar si duhet, i sistemuar me toga e komandanta dhe me uniformë ushtarake të rregullt. Pranë këtij batalioni ndodhej si organizator i dërguar nga Komanda e Mbrojtjes Kombëtare major Ali Peçi.
Në informacion theksohet se kjo fuqi vullnetare kishte disa muaj që shërbente me sakrifica të mëdha dhe “pjesa më e madhe e këtyre i kishin familjet në mjerim, të persekutuara tmerrësisht prej çetave komuniste, aq sa këtyre familjeve, fajtore vetëm sepse prindërit apo burrat e tyne ndjeknin parimin nacionalist, iu mungonte edhe kafshata e bukës së përditshme”.
Për këto fuqi nacionaliste nuk ishte kujdesur asnjë organizatë ose autoritet tjetër, vetëm se me përkrahjen dhe dirigjimin e komandantit Ismail Golemi kishin mundur të organizoheshin dhe t’i përgjigjeshin situatës, duke mbajtur një peshë të madhe të luftës kundër çetave komuniste.
Prefekti Runa informonte se Organizata Nacionaliste e Ballit Kombëtar kishte tërhequr disa fonde të konsiderueshme dhe materiale të ndryshme, “mirëpo mjerisht për fatin e këtyre luftëtarëve asnjë nga kompetentët nuk kishte menduar dhe nuk iu ishte dhënë asnjë ushqim ose ndihmë tjetër, përveçse populli i mjeruar që kishte ndarë kafshatën e gojës me ta”.
Rezulton se nga vullnetarët e Qarkut të Gjirokastrës, që ishin komanduar deri në atë kohë nga Ismail Golemi dhe nga kryetarë të tjerë si kolonel Ismail Haki Tatzati, Idriz Jazo etj., ishin vrarë ndër luftime të ndryshme më tepër se 170-180 vetë. Familjet e këtyre heronjve, siç cilësohen nga prefekti Runa, ndodheshin rrugëve, të përbuzur e pa ndonjë përkrahje.
Prefekti Runa sqaron se “ndërmjet fuqive vullnetare në fjalë, duke përfituar nga situata, mund të ndodheshin edhe njerëz të padisiplinuem ose që nuk e ndjenin rëndësinë e misionit që kanë dhe, për këtë, në ndonjë rast, mund të jenë provue edhe pakënaqësira”. Por, duke e lënë mënjanë të kaluarën, duke çmuar aktivitetin dhe sakrificat e këtyre vullnetarëve, meqenëse nga njëra anë konstatohej se kjo fuqi dëshironte hëpërhë të funksiononte e shkrirë në fuqinë qeveritare, për aq kohë sa do ta lypnin nevojat e çastit që po kalonin, dhe, nga ana tjetër, duke ndier të domosdoshme mbajtjen në këmbë të këtij batalioni, prefekti Runa u lutej autoriteteve të Ministrisë së Brendshme që kjo çështje të merrej në studim e të ndërmjetësohej pranë kompetentëve për t’i siguruar batalionit të vullnetarëve të Gjirokastrës një rrogë e caktuar, sikurse merrnin të gjithë vullnetarët e tjerë të Shqipërisë, të shkrirë në Armën e Xhandarmërisë, si dhe t’ju sigurohet ushqimi dhe armatimi i nevojshëm.
Që të mundej administrata e Prefekturës së Gjirokastrës të funksiononte siç duhej, në mënyrë që të mos tolerohej më lëvizja e autoriteteve qeveritare nga Gjirokastra, çka konsiderohej se “kishte për të bërë një përshtypje të hidhur në popull, i cili i lodhur dhe i rraskapitur kërkonte me këmbëngulje stabilizimin e qeverisë”, prefekti Runa insistonte që për fuqitë vullnetare në fjalë duhej të merreshin masat më të shpejta e sa më të favorshme për t’u plotësuar nevojat e parashtruara më sipër, “që kështu të mos provokohej shpërndarja e tyre, mbasi vullnetarët, nga angazhimet familjare që kishin dhe mbasi nuk u ishte dhënë asnjë sadisfaksion deri më sot, janë në gjendje të dëshpëruar dhe shpërndarja e tyre kishte me prodhue konsekuenca të rënda, meqenëse fuqitë komuniste i kërcënohen Gjirokastrës”.
Gjendja në Qarkun e Gjirokastrës, në korrik 1944
Situatë shumë më e rënduar përshkruhet nga autoritetet e Prefekturës së Gjirokastrës dy muaj më pas. Informacioni i datës 22 korrik 1944, drejtuar Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Prefektura e Gjirokastrës, paraqet të dhëna me interes për situatën në këtë qark.
Titullari i Prefekturës së Gjirokastrës, Veip Runa, duke u ndodhur përpara një situate që e konsideronte shumë të vështirë, vendosi të informojë haptazi se, me gjithë sakrificat e mëdha dhe përpjekjet e pareshtura të autoriteteve për t’i shërbyer sa më mirë interesit të përgjithshëm, nuk kishte qenë e mundur që populli i këtij Qarku të gjente shpëtim, “d.m.th. që nervat e tij të revoltuara dhe të infektuara nga propaganda e tmerrshme komuniste të qetësoheshin për të mundur me rivendosë vetë populli pozitën e tij, për t’i arrijtë një bashkëpunimi të ngushtë me Qeverinë”.
Një nga shkaqet kryesore evidentohej se nga terrorizmi i Partisë Komuniste, që në këtë Qark u krijua dhe u zhvillua më tepër, një pjese të popullit i ishte mbushur mendja në fitoren komuniste, ndërsa pjesa tjetër, nga frika, me dashje ose kundër vullnetit, ishin të shtrënguar të bashkëpunonin me ta.
Një shkak tjetër i evidentuar që favorizonte veprimtarinë terroriste komuniste ishte se organet qeveritare si edhe ato të Organizatës Nacionaliste Balli Kombëtar, duke mos patur një frymë solidariteti bashkëpunimi dhe duke mos koordinuar veprimet midis tyre, “në vend që të shuanin hovin e lëvizjes dhe t’i sillnin sigurim dhe shpëtim këtij populli, vepronin në mënyrë të kundërt”.
Në informacion theksohet se “prej keqveprimeve të komandantëve dhe dipendentëve të tyre, populli, në vend që të shohin shpëtimtarin dhe sjellësin e lirisë për sigurimin e pasurisë dhe të nderit, provon tek organi qeveritar ose ballist kusarin, terrorin, vjedhësin, imoralitetin, vrasje dhe tortura, dhe përpara këtyre fakteve kaq të hidhura âshtë e natyrshme se populli nuk mund të marrin një qëndrim të decizuar përkrah fuqive tona dhe as mund të ketë besim në veprimet e tyre dhe as se mund të shpresojmë shumë prej tij”.
Siç rezulton nga ky informacion, në lidhje me këto ngjarje, titullari i kësaj Prefekture, Veip Runa, qysh nga fillimi i funksionit të tij në Gjirokastër i ishte përveshur një veprimtarie të dendur duke ndërhyrë energjikisht si pranë komandantëve të Ballit Kombëtar, ashtu edhe pranë komandantit të Qarkut të Gjirokastrës, për të pasur këta një bashkëpunim të përzemërt, çka do t’i sillte vendit mjaft dobi, por mjerisht, sado që në mbledhjet dhe konsultimet e ndryshme që kishin pasë i kishin dhënë premtime dhe fjalë të ëmbla, kishin vepruar ndryshe, d.m.th. në kundërshtim të hapur me urdhërat e titullarit të Prefekturës dhe me parimin bazë që duhej ndjekur për t’i shërbyer sa më mirë dhe me forma sa më të pëlqyera gjendjes dhe interesit kombëtar.
Në informacion sqarohet se “të gjitha këto veprime dhe çorganizimi që konstatohet në fuqitë e armatosura të ndodhura këtu ju dedikohet z. Ismail Golemi, i cili jo se âshtë i pazoti, por për ambicje personale me komandantin e Qarkut, kapiten Idriz Jazo, edhe ky një ngatërrestar më i rrezikshëm se i pari”.
Duke munguar harmonia ndërmjet këtyre të dyve, ishte e natyrshme që punët nuk do të shkonin mirë. Sipas informacionit, Ismail Golemi dhe Idriz Jazo, veçanërisht në kohët e fundit, nuk kishin bërë gjë tjetër veçse kishin ushqyer sa më tepër ambicien ndërmjet tyre, duke sabotuar njëri-tjetrin, duke sabotuar njëkohësisht edhe Prefekturën e Gjirokastrës, dhe të gjitha këto i kishin bërë “me qëllim se si e si të mbulojnë keqësjelljet e tyre, vjedhjet që kanë bërë në kurriz të popullit të pafajshëm, i cili e ka humbur besimin ndaj tyre, krimet që kanë kryer për qëllimet e tyre të errëta, burgosjen e njërit dhe të tjetrit pa të drejtë e vetëm me qëllim shfrytëzimi të hollash”.
Duke u ndodhur përpara një gjendje të tillë, duke marrë parasysh se me këta elementë, “si dhe me një pjesë të fuqisë së tyre të bastardueme si këta”, nuk është e mundur që të bashkëpunohet, prefekti Runa theksonte se “nuk është e mundur që të rivendoset diçka në favor të rendit publik dhe të interesit të përgjithshëm, mbasi nuk i nënshtrohen kurrësesi arsyes”.
Në vijim të informacionit, prefekti Runa evidenton se Qarku i Gjirokastrës në vijë administrative kishte një rëndësi të veçantë nga prefekturat e tjera të shtetit, për shkak të elementëve dhe korenteve të ndryshëm politikë. Popullsia e këtij Qarku arrinte deri në 160 000 banorë të ndarë në myslimanë, ortodoksë dhe grekofonë, “ku këta të fundit lozin pjesën më interesante”. Diheshin mirëfillti vuajtjet e popullsisë së këtij qarku, “e cila ishte sakrifikuar kryekëput, e lodhur, e raskapitur, e gënjyer, e mërzitur dhe e dëshpëruar nga vrasjet, torturat dhe grabitjet që i ishin bërë”.
Për të shpëtuar nga kjo kataklizmë që e kishte zënë, prefekti Runa propozonte që të viheshin në dispozicion ndihma të konsiderueshme materiale; të organizoheshin fuqi operative të përqendruara dhe në sasi të mjaftueshme e të pajisura si duhet; të dërgoheshin oficera të karrierës, kompetentë në misionin që u ngarkohej dhe koshientë në kryerjen e detyrës, që t’i jepnin të kuptojë popullit që Qeveria mendon për të.
Në vijim parashtrohet në këtë raportim se, “në qoftë se nuk do të merren masa imediate në kuptim të nevojave urgjente, titullari i kësaj prefekture, megjithë dëshirën e plotë për t’u shërbyer siç u ka shërbyer gjithnjë dhe vjet me radhë çështjeve kombëtare, kur e kanë lypë rastet dhe kohërat në luftë dhe në paqe, do të ishte i shtrënguar me u tërheqë administrativisht prej Gjirokastrës, mbasi qëndrimi si tani, pa patur ndihma dhe fuqi të armatosura për t’u përballuar kërcënimeve të armës komuniste, do të ishte pa kuptim”. Por largimi dhe njëherë i autoriteteve administrative nga Gjirokastra do të konsiderohej si disfatë politike për Qeverinë dhe një debolesë e fuqive armate të saj dhe gjithçka do të ishte n’interes të Partisë Komuniste, e cila do ta kishte si një armë të veçantë dhe sukses të saj heqjen e administratës nga Gjirokastra dhe do t’ja tregonte popullit të kësaj krahine këtë çështje si një akt të rëndësishëm.
Në përfundim të informimit, prefekti Runa i lutet titullarit të Ministrisë së Brendshme që “për hir të ndjenjave kombëtare që keni dhe të përpjekjeve të mëdha që keni bërë, kësaj çështjeje t’i kushtohet interesimi që meriton, dhe të merret në konsideratë për t’u vendosë në meritë”.
Më 5 shtator 1944, zëvendësisht ministri i Punëve të Brendshme Fiqri Dine ia përcolli për dijeni dhe kompetencë Kryesisë së Këshillit të Ministrave këtë raport të Prefekturës së Gjirokastrës.
Sipas dokumenteve arkivore, prefekti i klasit II, Veip Runa, ushtroi detyrën e prefektit në Gjirokastër deri më 10 tetor 1944, kohë kur me vendim të Këshillit të Ministrave u transferua në vendin vakant si prefekt në Prefekturën e Kosovës, me qendër në Kukës. Sipas studiuesve Xhezo Cana dhe Bektash Mema, prefekti Runa u largua nga Gjirokastra në muajin shtator 1944 dhe, për shkak të rrethanave, nuk u paraqit në detyrë në Prefekturën e Kosovës, por në muajin tetor u largua nga Shkodra për në Itali, së bashku me dy fëmijët e tij.
Vrasja e nacionalistëve Avdul Karagjozi dhe Muharrem Duka
Në vijim të informimit të datës 24 korrik, më 27 korrik 1944, zëvendësisht komandanti i Qarkut të Xhandarmërisë së Gjirokastrës, kapiten I Idriz Jazo, informoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë, se nga hetimet e zhvilluara ishte vërtetuar se “vrasja masakruese e të pafajshmit Avdul Karagjozit, nacionalist i vendosur dhe nga familjet me të ndershme në qytetin e Gjirokastrës, ishte bërë prej të quajturit Hekuran Sadush Qorri, nga katundi Gusmar i Kurveleshit dhe ushtar i Ballit, me pretekstin si hakmarrje për vrasjen e Muharrem Dukës, në ngjarjen e paralajmërueme”.
Në këtë raportim, komandanti Jazo informonte se me gjithë ndërhyrjet e tij me cilësinë e titullarit të Qarkkomandës së Xhandarmërisë për ndalimin e krimeve, të masakrave dhe grabitjeve që po bëheshin në qytetin e Gjirokastrës gjatë këtyre dy ditëve, pranë prefektit të Gjirokastrës, i cili kishte marrë komandën e fuqive balliste me largimin e Ismail Golemit dhe ishte angazhuar se do t’i frenonte nga veprime të tilla, prefekti Veip Runa ishte përgjigjur se “vetë ai ka disponue për të bërë veprime të tilla në qytet”.
Nisur nga kjo situatë, titullari i kësaj Komande, kapiten I-rë Idriz Jazo, duke vlerësuar se nuk ishte në gjendje me fuqinë e xhandarmërisë me vënë rregull e rendin publik në Gjirokastër dhe me ndaluar sabotimet që i bëheshin njëri mbas tjetrit personelit të Armës së Xhandarmërisë dhe Qeverisë Kombëtare, qysh nga ajo datë e quante veten dorëheqës dhe të shkarkuar nga çdo përgjegjësi morale dhe historike dhe me automjetin më të parë do të nisej me u paraqitë në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë.
Duke përfunduar, komandanti Jazo informonte se “për mungesë oficerash, personeli i armës vihet në dispozicion të kapitenit gjerman Shollu, organizator i Xhandarmërisë së Qarku të Gjirokastrës”. Hollësi të tjera komandanti Jazo do t’i paraqiste gojarisht me rastin e paraqitjes në Komandën e Përgjithshme.
Në lidhje me këtë situatë në Gjirokastër, komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë kolonel Tahsin Bishqemi, më 7 gusht 1944 do të vinte në dijeni dhe Ministrinë e Brendshme, duke sqaruar se Muharrem Duka ishte eksponent nacionalist dhe ishte vrarë prej partizanëve.
Shqiptarë ortodoksë bashkëpunojnë me bandat e Napoleon Zervës
Me anë të një telegrami të protokolluar më 4 shtator 1944, prefekti i Gjirokastrës Veip Runa informoi Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme se “nga informata të sigurta rezulton se shumë burra miq të Greqisë, sidomos shqiptarë orthodhoksë nga kjo krahinë e nga Himara, janë mobilizue prej Zervas”.
Më 4 shtator 1944, zëvendësisht ministër i Punëve të Brendshme, njëherësh dhe kryeministër, Fiqri Dine, ia përcolli për njoftim këtë informacion Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Kulturës Popullore./ Mapo