Do të ketë përsëri mungesa titullarësh skuadra e Luftëtarit në ndeshjen që luan ditën e diel në Gjirokastër me Tiranën. Mbrojtësi Oltion Rapa që u ndëshkua me karton të verdhë një javë më parë në Durrës, por edhe Behar Ramadani që vazhdon të jetë i dëmtuar, do të mungojnë kundër bardhebluve. Në stërvitjen e djeshme trajneri Mlladen Milinkoviç vazhdoi përgatitjet. Në më shumë se 90-të minuta dhe si zakonisht brenda kohës së stërvitjes ai ka trajtuar me skuadrën, veprime të ndryshme. Më shumë iu kushtua përvetësimit të ushtrimeve taktike në mbrojtje, duke improvizuar mbi vendosjen e tyre veprime sulmuese, nëse ato vijnë nga loja në krahë e “kundërshtarit”. Ndoshta kjo për të qenë sa më mirë vendosur në ndeshjen ndaj Tiranës, duke ditur se bardheblutë do të luajnë me dy ose tre sulmues në Gjirokastër. Skuadra kryeqytetase zhvillon lojë sulmuese dhe do të ushtrojë këtë mënyrë loje edhe në Gjirokastër. Mbase do të kërkojë fitoren, për vetë objektivin që ka këtë sezon, klasifikimin në vendin e katërt, duke fituar mundësinë të marrë pjesë në Kupat e Europës. Për momentin, Luftëtari është më i favorizuar për këtë vend edhe pse të gjithë në stafin gjirokastrit, janë deklaruar se nuk e pretendojnë, ose do të kërkojnë klasifikimin për zonën e Europës, duke këmbëngulur se objektivi i tyre i vetëm është qëndrimi në Superligë. Fitorja një javë më parë në Durrës, ia bën më të lehtë realizimin e këtij objektivi. Por fitorja ndaj Tiranës ia bën më të sigurt objektivin dhe shton mundësinë që Luftëtari për herë të parë në historinë e vet të përfaqësohet në kupat europiane.
Rekordi – Deri tani në këtë sezon futbollistik, Luftëtari nuk ka pësuar asnjë humbje në fushën e vet, por ka barazuar në dy takimet e fazës së tretë ndaj Laçit dhe Vllaznisë. Ndoshta këtij rezultati “i trembet” trajneri Milinkoviç, i cili po merr masat, që skuadra, ndaj Tiranës të mos bjerë në gabimet e mëparshme, sidomos të shfaqura në takimin ndaj Vllaznisë. Për këtë qëllim po i kushtohet stërvitjes në mënyrë që futbollistët të veprojnë sipas udhëzimeve të tij.
Formacioni, kthehen të dëmtuarit
Serbit të luftëtarit, Mlladen Milinkoviç, i duhet që për ndeshjen ndaj Tiranës që të plotësojë vendet në formacion nga mungesa e mbrojtësit Rapa dhe Ramadanit, që përveçse rolit si mesfushor ka kryer në lojë edhe rolin e organizatorit. Nga provat që ka bërë më skuadrën në këto ditë stërvitje, më të mundshmit për t’u aktivizuar si titullarë, janë Topi në mbrojtje dhe Reginaldo në mesfushë, duke ja lënë rolin e organizatorit Eduard Rrocës, autorit të golit të fitores ndaj Teutës në Durrës. Rikthimi në formacion i Liçajt dhe Reginaldos, bëjnë kompensimin e duhur në skuadër, por sidoqoftë mirë do të ishte prezenca e gjithë grupit të futbollistëve, pasi disa prej tyre, përfshi Rrocën, por edhe Bregu, Abazaj vijnë në formacion mbas një dëmtimi. Fakti që ndaj Teutës u luajt me katër mungesa nga titullarët dhe u arrit fitorja tregon se ”stoli” i Luftëtarit është në gjendje të kompensojë çdo mungesë pa pasur shumë diferencë nga niveli në lojë midis tyre./sport ekspres