Universiteti i Georgetown ka publikuar së fundmi një material të përgatitur nga dr. Ronald Landa në vitet 2011-2012 pë llogari të Departamentit të Mbrojtjes. Materiali është një nga tre studimet e bëra dhe ꚝet për politikën e SHBA në Europën Lindore dhe Qendrore përpara revolucionit hungarez të vitit 1956. Në krye të materialit qëndron konkluzioni i ish-presidentit amerikan Eisenhower, i cili e shihte të pamundur ndryshimin e regjimeve komuniste përmes ndërhyrjes ushtarake. Në këtë pikë binte dakord edhe drejtori i CIA-s, Alen Dulles, ndonëse siç paraqitet në material, në fushatën presidenciale të vitit 1950, republikanët dhe demokratët angazhoheshin që të “ndryshinin marrëveshjet sekrete të arritura në Jaltë”.
Materiali shoqërohet me publikimin e dokumentete sekrete apo konfidenciale, që kanë interes edhe për Shqipërinë. Jo më kot, fotoja ilustruese në hyrje të përmbledhjes së bërë është ajo e Enver Hoxhës, që cilësohet si pika e parë e goditjes amerikane në Lindje. “Historia e Zyrës së Sekretartit të Mbrojtjes konkludon se në ndryshim nga planet fillestare, SHBA-ja ishte më shumë e interesuar që ta linte Enver Hoxhën të shkatërrohej vetë me regjimin e tij, më shumë sesa ta përmbyste”, vlerësohet në hyrje të materialit.
Ky është një përfundim shumë i dhimbshëm për një pjesë shqiptarësh që panë te SHBA aleatin e vetëm antikomunist, ndërkohë që në planet e mëdha, mbijetesa e regjimit të Hoxhës u mundësua edhe nga ky lexim i situatës që me kohë u shndërrua në status quo. Mbërritja në këtë pikë sipas historianit Landa erdhi pas një sërë procesesh në terren dhe diskutimesh. CIA vlerësonte në vitin 1952 se regjimet komuniste nuk kishin kontroll të plotë mbi territorin dhe se aty mund të penetrohej me sukses. Por optika e enteve të tjera ndryshonte. Në këtë vit u vu re dekurajimi i shumë emigrantëve të Lindja në shpresën për çlirimin e vendeve të tyre të origjinës, “një vëzhgim me të cilin binte dakord edhe Franklin Lindsay, zv.shef për Luftën Politike dhe Psikologjike në CIA”. Fiaskoja në Shqipëri ishte një faktor që ndikonte në vendimmarrjen e përgjithshme për operacionet në Lindje.
Por për Landa, literatura për këtë rast lë shumë paqartësi sa i përket aspekteve operacionale. Sipas këtij historiani ka një perceptim të gabuar për aktivitetin amerikan në Shqipëri në këtë kohë. Duke referuar dokumentet e kohës, Landa thotë se “mendohet se objektivi primar I SHBA ishte rrëzimi i Enver Hoxhës. Në fakt nuk është kështu, synimet e SHBA ishin më tepër të natyrës investiguese dhe nuk lidheshin me rrëzimin e Hoxhës…Agjencia konkludoi se një përmbysje e Hoxhës nuk kishte shanse për sukses, një konkluzion ky që çoi në një synim më modest, që ishte: reduktimi vlerës së Shqipërisë duke minuar regjimin, presuar atë dhe duke krijuar vështirësi të brendshme”.
Këto janë disa konkluzione që me gjasë do të nxjerrin në një dritë të re raportet e Shqipërisë me disa vende gjatë Luftës së Ftohtë, mundet të zbardhin më mirë arsyet e disa konfrontimeve, të cilat në finale mundet edhe të kenë në origjinë keqkuptimin e synimeve reciproke nga regjimi i Tiranës që kapi pikun me projektin madhor të armatosjes dhe të politikave të mbrojtjes aktive frontale. Mbi politikën e bezdisjes dhe acarimit u angazhua edhe Britania e Madhe, ndonëse në sfond ideja e përmbysjes ishte në tryezë. Testimet u kryen me infiltrimet e para që nisën jo më herët se nëntori i vitit 1950. Në fakt asgjë thelbësore nuk po ndryshonte, ndërkohë që të gjitha vendet fqinje, Italia, Jugosllavia dhe Greqia, siç vlerësonte asokohe CIA, ishin të interesuar për ruajtjen e status quosë. Një tjetër qasje që u diskutua ishte ajo ekonomike. SHBA nuk dëshironte që një Shqipëri e çliruar të mbetej në dorë të saj me të gjithë varfërinë e vet.
Frank Wisner, i marketuar si miku i shqiptarëve sugjeronte që më mirë do të ishte çorganizimi vendit(kujtoni sabotatorët) dhe mandej lënia në dorë të sovjetikëve e këtij vendi pa alternativa. Cinizmi i Wisner arrin kulmin kur sugjeronte se dështimi ekonomik I sovjetikëve në Shqipëri, do të mund të përdorej si argument propagandistik për t’i treguar botës se çfarë ndodh kur qëndron në orbitën sovjetike. Në vitin 1952 edhe Britania e Madhe del kundër rrëzimit të Enver Hoxhës për arsye thjesht të paparashikueshmërisë së asaj që mund të pasonte. Objektivat ecën dora dorës me zhvillimet në terren dhe në raport me atë që ndodhte në të gjithë kampin e Lindjes, por për sa i përket Shqipërisë, ajo shërbeu si gur prove për të testuar kapacitetet e regjimeve të Tiranës. Dalja e sovjetikëve me tanke në Budapest në vitin 1956 rrëzoi çdo analizë në këtë drejtim që erdhi me leksionin e qartë dhe të hapur se aksione të ngjashme në këtë drejtim nuk do të toleroheshin.
Çfarë mbetet për t’u studiuar është informacioni dhe analiza e Tiranës zyrtare, diçka që ndodhet në dokumente. Që këtej do të kuptohej edhe pseja e reagimeve, arsyet e kalimit të regjimit drejt orbitës sovjetike dhe ku ndahej loja për pushtetin me pretendimin për ruajtje të sovranitetit. Një gjë mund të kuptohet fare mirë: SHBA arriti objektivin që ta “linte Hoxhën të hahej me veten”, teksa dikatori shqiptar e mbajti përballjen me imperializimin si kauzë permanente dhe e kapitalizoi atë për të vijuar me politika nga më absurdet dhe me pasoja, pavarësisht nëse e bëri këtë nga paranoja, të dhënat, apo thjesht duke shfrytëzuar rastin e artë që sollën lojërat e CIA-s. /Respublica