Një ditë pas suksesit me ekipin e Tiranës, nga ekipi i Luftëtarit ka dalë sot një deklaratë e “çuditshme” për mediat. Zëdhënësi i klubit, Rigels Malile, ka thënë se “politikanët janë vënë në garë duke abuzuar me suksesin e Luftëtarit dhe kërkojnë të përfitojnë politikisht”. Në vijim të këtij reagimi shprehet keqardhje dhe indinjatë, duke shtuar se “ekipi i Luftëtarit i takon qytetit të gurtë dhe gjithë sportdashësve bluzi, që e mbështesin për vite me radhë. Më tej shtohet se suksesi i deritanishëm i Luftëtarit i dedikohet “futbollistëve tanë, stafit drejtues dhe grupit të sponsorëve me në krye Presidentin tonë, zotin Grigor Tavo”.
Por në mos qoftë e “çuditshme”, kjo deklaratë është gjysmake. Është gjysmake sepse nuk thuhet cilët janë politikanët që abuzojnë me suksesin e Luftëtarit. Megjithatë nëse rendit faktet arrin të kuptosh që kjo deklaratë krejt e panevojshme dhe për më tepër si “fletë-rrufe”, ishte kundër Bledi Çuçit. Mbrëmë në emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel, ish-ministri ishte pjesë e panelit ku u diskutua edhe suksesi i Luftëtarit. Ai komentoi arritjet e ekipit, njësoj si kolegu i tij në PD, Ervin Salianji, që foli për ecurinë e Skënderbeut.
Dhe këtë të drejtë për të dalë nëpër studio televizive, për të komentuar suksesin apo dështimin e cilitdo ekip e ka kushdo, qoftë edhe një tifoz apo sportdashës i thjeshtë. A ishte Bledi Çuçi fare krejt rastësisht i ftuar në emision? Mund edhe të ketë qenë rastësisht, sikundër ka gjasa që kjo dalje në emisionin më të ndjekur sportiv në vend, një ditë pas fitores së Luftëtarit, t’i duhej në kuadër të veprimtarive të marketingut politik.
E në qoftë kjo e fundit, është krejt legjitime dhe s’përbën asnjë mëkat. Në kohë fushtash kemi parë shpesh politikanë që asociohen në publik me personazhe të njohur nga bota e sportit dhe e shoë-bizit, apo bëhen pjesë e eventeve të ndryshme. Por absurditeti qëndron tek reagimi zyrtar i klubit, reagim që përveçse është gjysmak sepse nuk thotë cilët janë politikanët që duan të përfitojnë nga suksesi i Luftëtarit, lë vend për dyshime se është një reagim i motivuar gjithashtu nga politika. Gjurmët të çojnë pikërisht te LSI-ja në Gjirokastër. Siç dihet presidenti i Luftëtarit është Grigor Tavo, vëllai i deputetit Vangjel Tavo.
Ky i fundit, ndoshta i “xhelozuar” nga dalja e Bledi i Çuçit dhe deri diku asocimi i tij me suksesin e Luftëtarit, në një prej emisioneve më të ndjekura sportive në vend, ka ndërhyrë që sot klubi të dalë me një deklaratë të tillë. Ndonëse duhet thënë se ish-ministri dhe me shumë gjasa kandidati për deputet i PS-së në Gjirokastër, thjesht komentoi suksesin e ekipit gjirokastrit dhe vlerësoi punën që po bëhet, nuk mori për asnjë çast përsipër merita që s’i takojnë. Dalja e Bledi Çuçit mbrëmë te “Procesi Sportiv” solli reagim edhe nga kreu i PD Gjirokastër, Roland Bejko. Ky i fundit, përmes një statusi në Facebook ironizoi ish-ministrin, duke thënë se “bën si tifoz për vota”.
Ndonëse zyrtarisht ekipi i Luftëtarit kërkon që politika të mos përfitojë nga suksesi i ekipit, janë të freskëta pamjet e futbollistëve me bluza të bardha që kishin mbishkrimin “Tavo”. Sigurisht që nuk ishte thjesht një falenderim ndaj presidentit të ekipit, Grigor Tavo. Jo pa qëllim në bluzë ishte shkruar vetëm “Tavo” dhe jo “Grigor Tavo”, për ta asociuar suksesin padiskutim edhe me deputetin e LSI-së, Vangjel Tavo, i cili natyrisht që njihet më shumë në Gjirokastër sesa vëllai i tij.
Si përfundim ajo që po ndodh është thjesht një përplasje e LSI-së me PS-në në nivel lokal, përplasje që nuk kursen as sportin dhe me siguri që në ditët e ardhshme do të vijë duke u intensifikuar. Në vijim të deklaratës se sotme, Luftëtari bën edhe publik lajmin që një kompani e huaj e konsulton.
Por sërish informacioni është gjysmak. Nuk jepet asnjë detaj më tepër rreth kësaj kompanie, termat e kontratës, afatet dhe çfarë parashikon konkretisht. Për transparencë, Libohova Online sjell më poshtë deklaratën e plotë të klubit.
/Libohova Online/