Shqiptarët po preferojnë të jetojnë gjithmonë e më shumë në qytete të mëdha. Të dhënat e Instat tregojnë se qarqet në periferi të vendit po pësojnë një migrim të lartë drejt qendrave më të urbanizuara.
Mundësitë për një jetesë më të mirë por edhe mundësia për të marrë shërbimet më të rëndësishme kanë bërë që shqiptarët të drejtohen drejt qendrave të mëdha të urbanizuara. Qarqet e Dibrës dhe Gjirokastrës kanë nivelet më të ulëta të migracionit të brendshëm në tre vitet e fundit, përkatësisht me -13,6 dhe -13,4 persona për një mijë banorë.
Ndërkohë më i theksuar migrimi gjatë 2018 ka qenë në veçanti nga qarku i Dibrës, ku u larguan 1.632 dhe ai i Elbasanit me 1.272. Ndërsa rritje të numrit të popullsisë kanë pasur vetëm Tirana dhe Durrësi. Kjo ka bërë që dendësia e popullsisë në zonat urbane të jetë shumë e lartë. Qarku i Tiranës ka dendësinë më të lartë të popullsisë në vend, më shumë se 538 banorë për kilometër katror, në vitin 2018. Qarku me dendësinë e dytë më të lartë të popullsisë është ai i Durrësit, me 378 banorë për km², i ndjekur nga Fieri, me 157 banorë për km².
Nga ana tjetër, qarqet me dendësinë më të ulët të popullsisë janë ato të Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës, përkatësisht me 46, 32 dhe 22 banorë për km², në 2018. Një tjetër e dhënë interesante në këtë raport është edhe fakti që Dibra është një nga qarqet me konsumit më të lartë të pijeve alkoolike dhe duhanit e ndjekur nga Elbasani dhe Lezha. Në 12 qarqe Vlora rezulton se ka nivelin më të ulët të konsumit të duhanit dhe alkoolit në vend.