Ky vit ka pasur dasma, fejesa, lidhje të reja, ribashkime, por edhe ndarje mes VIP-ash. Duhet thënë se këtë vit ndarjet kanë qenë më të shpeshta krahasuar me vitin e kaluar. Çifte të njohura si Roberti e Nora apo Mozzik e Loredana shokuan publikun me lajmet e ndarjes. Ja çiftet që u ndanë në vitin 2019.
1.Robert Berisha dhe Nora Istrefi – Çifti që prej vitesh lakmoheshin për marrëdhënien e tyre i dhanë fund këtë vit martesës së tyre. Prej muajsh përflitej se martesa e tyre ishte në krizë dhe këtë e pranoi vetë Roberti në muajin gusht, kur deklaroi publikisht ndarjen. Këngëtari publikoi një status në Instagram ku shprehej falenderues ndaj Norës që e ka bërë baba dhe për vitet e tyre së bashku teksa shtonte se dashuria mes tyre kishte mbaruar. Nora nga ana tjetër preferoi të mos fliste për këtë ndarje, ndryshe nga Roberti i cili ka dhënë më shumë detaje nëpër intervista.
Edhe pas ndarjes, çifti ruan një marrëdhënie të mirë dhe takohen shpesh duke qenë se kanë një vajzë së bashku, Reneen.
2.Mozzik dhe Loredana – Në një kohë kur po bënin namin me projektet muzikore, madje do bënin edhe një tur muzikor së bashku, Mozzik dhe Loredana deklaruan ndarjen. Edhe ky çift prej kohësh përflitej në media për një krizë në marrëdhënien e tyre. Por ishte Loredana ajo që i konfirmoi fjalët duke deklaruar publikisht se ajo dhe Mozzik nuk janë bashkë. Në muajin tetor Loredana postoi një status në Instagram ku shkruante se tani e tutje do e çojë e vetme bukën në shtëpi dhe e quajti veten nënë beqare.
Ajo deklaroi gjithashtu se turneun muzikor do e vazhdojë vetëm, pa Mozzikun. Sa i përket lidhjes së tyre, Loredana u shpreh se ajo dhe Mozzik kanë nevojë për pushim.
3.Keisi dhe Stresi – Vetëm pak kohë pasi kishte dalë nga qelia, reperi i njohur Stresi u nda nga e fejuara e tij, Kejsi. Çifti prej vitesh ishin bashkë, por papritur vendosën t’i jepnin fund në një periudhë që aspak nuk pritej duke qenë se Kejsi prej muajsh priste që reperi të dilte nga qelia. Menjëherë pas ndarjes Kejsi u rikthye në Kanada, aty ku jeton prej vitesh. Ndërsa Stresi vazhdoi jetën në Tiranë duke u fokusuar tek muzika e duke publikuar këngë të reja që patën shumë sukses. Më vonë Stresi e pranoi ndarjen dhe deklaroi se po përpiqet ta rikthejë prapë Kejsin.
4.Lajmi se aktorja dhe moderatorja shumë e dashur për publikun, Rudina Dembacaj është ndarë nga bashkëshorti i saj, Aleksi shokoi gjithashtu publikun. Çifti të cilët janë prindër të një vajze, ishin në qendër të vëmendjes për javë të tëra. Rudina vendosi të fliste për herë të parë e ftuar në “Wake up”, ku u shpreh se kanë filluar proçeset e divorcit që në muajin mars. Aktorja tregoi se për të kjo ka qenë periudhë shumë e vështirë dhe është munduar ta kalojë duke e ngarkuar veten me punë.
Pavarësisht ndarjes, Rudina dhe Aleksi gëzojnë respekt për njëri-tjetrin dhe të dy janë të dedikuar ndaj vajzës.
5.Në janar të këtij viti bëri bujë në media lajmi se moderatorja Arbana Osmani ishte ndarë nga bashkëshorti pas 16 vitesh martesë. Mediat shkruajtën se Arbana nuk jetonte më me bashkëshortin dhe në puntatat e “Dua të të bëj të lumtur” ra në sy fakti që nuk e mbante më unazën e martesës. Arbana preferoi të mos fliste për ndarjen dhe as për thashethemet që nisën në media.
6.Prej kohësh ishte përfolur në media se këngëtarja e njohur Violeta Kukaj i kishte dhënë fund martesës me bashkëshortin. Në korrik “Prive.al” mësoi nga burime shumë të sigurta që çështja kishte mbërritur në gjykatë dhe Violeta e bashkëshorti kishin marrë vendimin që të shkurorëzoheshin. Violeta nuk foli kurrë për ndarjen dhe qëndroi larg intervistave e emisioneve.
7.Në shtator u mësua se edhe lidhja e këngëtares Alida Duka kishte marrë fund. Alida, motra e Stines, kishte vetëm pak kohë që kishte zbuluar se ishte në një lidhje me një menaxher të pasur dhe planifikonte të martohej në Monaco. Mirëpo në një intervistë për “Panorama plus”, Alida tregoi se lidhja e tyre e dashurisë ka marrë fund. Këngëtarja zbuloi dhe arsyen pse ishin ndarë. Alida u shpreh se ai nuk dinte ta vlerësonte.
8.Këtë vit i dha fund lidhjes edhë këngëtarja Xhesika Ndoj. Prej kohësh Xhesika ishte në një lidhje me një milioner që jetonte në Vjenë. Këngëtarja madje publikonte edhe foto me djalin në fjalë duke i shprehur dashurinë. Mirëpo në shkurt të këtij viti çifti u ndanë e këtë e deklaroi Xhesika me një postim në Instagram ku e quante veten beqare. “Gëzuar për ne beqarët”, shkruante Xhesika ditën e “Shën Valentinit”.
9.Edhe një nga çiftet më të pëlqyer nga publiku, Robin Krasniqi dhe Heidi Lushtaku i kanë dhënë fund lidhjes. Lajmi u bë i ditur nga “Prive” ndërsa çifti që dikur shfaqeshin vazhdimisht bashkë, fshinë fotot me njëri-tjetrin dhe nuk u ndoqën më në rrjete sociale. As Robini, as Heidi nuk kanë folur për ndarjen deri tani./Xing.al