Ky është një rrëfim i ditës kur Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi u celebruan në Bashki. Ka ndodhur në 29 tetor 1998. Dritare.net e sjell të plotë dhe të pandryshuar shkrimin që është botuar në revistën Klan, 19 vjet më parë, kur Monika i thoshte “po”, Ilir Metës, atëherë zv/kryeministër i Shqipërisë.
Ju Ilir Meta, a e pranoni për grua Monika Kryemadhin? “P…”. Një zile celulari e ka ndërprerë pohimin e Metës, i cili pasi ka parë numrin që e kërkonte e ka mbyllur telefonin, pa i kthyer përgjigje, me gjithë këmbënguljen e dëshmitarit Erjon Braçe, që atë çast i kujtoi: “Mos po të telefononte dikush që do ta kundërshtonte martesën tënde”.
Por, ka qenë dëshmitari tjetër, ambasadori zviceran në Tiranë, i cili këshilloi që Iliri ta linte mënjanë punën, së paku për ato moment.
“Po, e pranoj” – e ka mbyllur frazën Meta. Ndërsa ka qenë edhe më i pabesueshme ndërprerja e pohimit martesor të Monikës, e cila ka ndalur për një çast vrullin për të thënë po, kur janë dëgjuar të shtënat e topave të Hajdaragës. Ministri i Mbrojtjes, ndoshta jo fare rastësisht, ato momente celebronte një nga stërvitjet e shumta të tij me artileri të rëndë.
Sidoqoftë, për koincidencë, apo me paramendim, Meta është figura e dytë politike, pas Zogut, në ceremoninë martesore të së cilit, qëllohet me topa.
Ilir Meta zgjodhi një ditë të zakonshme të javës, – me fat për dashin, shenjën zodiakale të të dyve,
29 tetorin ’98 për të ligjëruar 5 vitet e dashurisë dhe 4 muajt prindërore.
Në fakt shumëkush u çudit kur pa në dyert e Bashkisë zv/kryeministrin e shoqëruar nga një vajzë, të cilën ia dinin prej kohësh për grua.
Menduan se kishte ardhur për ndonjë vizitë pune, ndonëse Brojka ishte jashtë, por kuptuan arsyen kur dëgjuan shprehjen më normale në botë, për cilindo që shtyn njërën nga dyert e katit të parë: “Dua të martohem”. Dëshmitarë kishin zgjedhur ambasadorin zviceran, mik i ngushtë i çiftit, kryeredaktorin e “Zëri i Popullit” dhe shefin e kabinetit të Metës, Mustafa Muçi.
Ceremonia nisi rreth orës 9.30.
Ekonomist, – shqiptoi Meta, por ambasadori e korrigjoi: Politikan. Biokimiste, – tha Kryemadhi, ndërsa Braçe shtoi: Eurosocialiste. Në fund të të gjithave, pasi hodhën firmat që ligjëronin martesën, ndërsa Monika paguante tarifën e ligjëruar dhe linte bakshish, këtë e kundërshtoi rreptë punonjësja bashkiake e pamësuar të marrë para nga politikanë.
Pas përshëndetjeve të zakonshme, çifti u nda secili për në punën e vet, po kështu edhe dëshmitarët, duke fiksuar të hënën si ditën e darkës martesore.
Kështu u martua edhe i vetmi qeveritar beqar. Monika, Bora e Iliri jetojnë tani të lumtur dhe në pushtet.
DASHURI NË KOHËN E FRESH-IT
Monika dhe Iliri ia njohin për meritë lidhjen, Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar. Një dashuri, pa shumë detaje, jo aq pse mungojnë, por se vetë, dy poseduesit, ngurrojnë t’i bëjnë publike. “S’i thonë kot jetë private”- këmbëngulin të dy me fanatizëm, kur vjen rasti të tregojnë intimitetet.
Një dashuri pa ndonjë datë të saktë, apo moment të veçantë lindjeje. Madje asnjëri nuk kujton kur pikërisht e kuptuan se kishte edhe një ndjenjë tjetër mes tyre përveç shoqërisë dhe dashurisë miqësore.
Shumë miqësi, të dy ngaherë bashkë me Pandi Majkon, Ndre Legisin, Maqo Lakrorin e të tjerë. Gjithandej të pandarë në tryeza, kafe, biseda, apo shërbime. Monika shpërthyese dhe impulsive, Iliri në dukje indiferent dhe i ftohtë. Por jo aq i ftohtë sa të mos i pohonte 7 ditë pas përvjetorit të dytë të FRESH-it, më 23 janar ’94, se e donte. Vajza atëherë 20 vjeçare, u shtang ato fragmente momenti, se nuk dinte as të puthte. “Gati, gati më dukej si diçka e turpshme…”. Por sigurisht që ia kthehu puthjen dhe prej asaj mbrëmjeje nëntori pa drita, diku afër stadiumit Dinamo, ata nisën një jetë të përbashkët, ku askush nuk ka ndërhyrë kurrë.
Për ç’ka ka ndodhur më parë në jetën intime të Ilirit, Monika nuk pranon ta ketë pyetur kurrë dhe ndonëse do t’i pëlqente të pohonte se është vajza e vetme në jetën e Ilir Metës, nuk e bën këtë. “Nuk e di, sinqerisht nuk e di ç’ka bërë para se të njihej me mua. Më pas po, mund të flas . Ne jemi të pandarë jo pse jemi të dashur idealë, por sidomos pse jemi miq të mrekullueshëm”. Nga nata e parë bashkë, Monika kujton Divjakën, ku shkuan për të qenë larg njerëzve dhe sallatën me lakra e limon, që ju shijoi aq shumë atë herë, sa nuk e ndajnë edhe tani. Pak nga pak e kuptuan se donin t’i kalonin bashkë edhe ato pak momente që i ndanin, vendosën të bashkëjetonin, duke thyer kështu shumë nga rregullat e kohës.
U vendosën në shtëpinë e prindërve të Monikës, ku u sistemuan në njërën prej dhomave. Kjo me dëshirën e saj, që donte me çdo kusht të kontribuonte si e barabartë në jetën e përbashkët: ofroi shtëpi, ndërsa nuk kishte ende rrogë të sajën. Atë kohë Iliri ishte deputet dhe paguhej si i tillë, ndërsa Monika studionte në vitin e dytë të biokimisë. Por kjo zgjati pak, derisa u shkëputën nga familja dhe u vendosën në një hyrje me qira, ku duhej t’i përballonin fare vetëm të gjithë problemet financiare që nuk ishin të pakta. “Kujtoj një periudhë pas zgjedhjeve të 26 majit, kur PS nuk njohu zgjedhjet dhe nuk pranoi të hynte në parlament. Iliri nuk merrte rrogë ato kohë dhe ne duhej të jetonim me rrogën time 35 mijë lekë të vjetra si anëtare e këshillit bashkiak.
Mbaj mend dy ditë kur nuk kishim asgjë për të ngrënë dhe u ushqyem vetëm me bukë e djathë.” Ky ishte një rast që Monika e tregon jo me shumë dëshirë, ndonëse pranon se jeta e tyre e përbashkët ka pasur shumë privime, qoftë financiare, qoftë njerëzore, duke qenë se ishin të detyruar të kalonin pjesën më të madhe të kohës, bashkë, por jo për njëri-tjetrin, sesa për FRESH-in.
Kjo është arsyeja që prej kohës që u njohën, tani e ndoshta gjithmonë, bisedat e tyre janë vetëm për punën dhe politikën dhe fare, fare pak, flitet edhe për dashurinë.
“Më duket normale. Në fund të fundit, simpatia, dashuria, seksi, vjen një ditë dhe bëhen rutinë. Ndërsa miqësia, komunikimi i përbashkët nuk lodh kurrë, përkundrazi afron më tepër dhe e bën çiftin të pandashëm”.
BORA, FËMIJA E NISUR PAS ZGJEDHJEVE
Socialistët fituan zgjedhjet e qershorit dhe ndërsa në Tiranën e përfshirë nga ethet e karrigeve ndaheshin postet, çifti Meta u nis për në Durrës. “Pushimet i zgjatëm nga dy javë në 1 muaj dhe aty menduam se kishim nevojë për një qenie midis nesh, që t’i kushtoheshim, ta rrethonim me përkëdhelje dhe të na bënte disi më të ndjeshëm ndaj gjërave normale, duke na larguar gjithë vëmendjen e përqendruar te politika”. Kështu u përgatit ardhja e Borës, që kur babi dhe mami e panë për herë të parë në eko, u bindën se do bëhej bukuroshe, topolake dhe eurosocialiste.
Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Në orën 5.00 të mëngjesit të 17 korrikut, Monika kuptoi se po afrohej ora e ardhjes së Borës, përshëndeti Ilirin dhe u nis për në maternitet.
Ndërsa nisën dhimbjet, ajo i kaloi dy orë duke debatuar me mjekun Halim Kosova, për politikën. Vetëm në orën 8.00, shtrëngonte në gji një vajzë bardhoshe, shumë të shëndetshme, që infermieret e shoqëronin me “marshallah”. Dy orë më pas, i telefonon Ilirit, me fjalët: “Të të rrojë goca. Është kopja jote”. Babi i Borës nuk u shkëput nga mbledhja dhe vetëm pasi përfundoi gjithë punët e ngutshme të ditës, në orën 14.00 gjeti kohën të futej në maternitet me një tufë lulesh dhe të prekte për herë të parë një qenie aq të ngjashme, që “edhe vetullën e ngre si unë”. Prej atij çasti, kur ai u mrekullua nga krijesa e tij “më e bukura në botë”, i duken të panumëruara orët që i kalon pa të dhe është gati maniak për shëndetin dhe rritjen e saj, duke ia kaluar të gjithëve, madje edhe vetë Monikës.
“Sa herë më bën të qaj, kur më akuzon se po i ftohet vajza, ose se i ka kaluar ora e ushqimit, ndërsa unë jam e detyruar të jem në punë. Nuk i ndan telefonatat, ku më pyet çdo dy orë, së pari gjatë e gjerë për Borën, pastaj se ç’jam duke bërë unë. Është baba i jashtëzakonshëm dhe kjo më kënaq. Nuk jam xheloze për lidhjen e tyre, ndonëse e di se ngjajnë aq shumë bashkë, sa me kalimin e kohës do bëhen një dhe do ma marrin shpirtin”.
ÇIFTI NDRYSHE
Është nga të rrallat femra shqiptare, që jo thjesht ndikon, por merr pjesë në jetën politike të bashkëshortit, gati, gati dhe duke vënë veton.
“Iliri nuk është tip i pavendosur, por mendon gjatë për të thënë po, apo jo. Ndërsa mua më duket t’i kem me vete zgjidhjet në çast dhe nuk i duroj dot vonesat. Pastaj unë jam dhe më çapkëne dhe më e komunikueshme si tip. Herë-herë më duhet të korrigjoj sjellje të Ilirit, i cili reagon sipas humorit, me njerëz të afërt, ose të largët, duke u munduar t’i shpjegoj se buzagazi i përhershëm nuk është hipokrizi”.
Tani ndonëse kanë punë të ndryshme, ai zv/kryeministër dhe ajo që ndonëse nuk i ndahet shpirti nga eurosocialistët, punon edhe për një fondacion austriak, përsëri gjejnë kohën për t’i komunikuar njëri-tjetrit gjithë argumentet e ditës. “Iliri del në 7.00 dhe kthehet në mesnatë, por gjatë ditës shkëmbejmë telefonata dhe gjejmë kohën të takohemi, për të folur. Unë jam e bindur se gruaja është këshilltari më origjinal dhe më i vërtetë i një bashkëshorti politikan. Ndoshta e kam gabim, por më duket se gruaja është shumëherë më e qartë dhe më e besueshme se gjithë këshilltarët, shefat e kabinetit apo miqtë”.
Kështu mendon edhe Ilir Meta, i cili tani në moshën 29 vjeçare, ndërsa është zv/kryeministër i një qeverie koalicioni, nuk di ta ndajë nga vetja, vajzën 24 vjeçare Monika Kryemadhi, që bashkë me Bora Metën, janë dy nga më të shtrenjtat e jetës së tij. Tashmë të legalizuara edhe zyrtarisht.
ILIR META, JO VETËM FAT
Një karrierë konstante, jo shumë i ndihmuar nga fati, madje dhe i penguar herë-herë nga rrethanat. Studenti i dhjetorit, në përfundim të studimeve në ekonomi politike, zgjodhi, pas shumë ngurrimesh, të bëhet anëtar i Partisë Socialiste. Si edhe Kryeministri Majko, ai nuk ka punuar asnjë ditë në administratën shtetërore, duke qenë ngaherë pranë PS dhe FRESH-it. Vetëm pas fitores së PS në 29 qershor, pranoi portofolin e Sekretarit i Bashkëpunimit Europian. Meta në PS gëzon jo pak popullaritet dhe përkrahje, me gjithë mungesën e karizmës që e zëvendëson me sjellje politike të qëndrueshme, zgjuarsi lëvizjesh në kohën e duhur dhe mosbraktisje të miqve.
Edhe këto kanë ndikuar që ai të ketë sot në parti, grupin më të fortë të mbështetësve, që atij nuk i pëlqen ta quajë klan. Megjithatë dy herë kur është votuar në PS, nuk ka fituar. Kështu ndodhi kur humbi me tre vota, përballë Meidanit postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, apo kur humbi mundësinë për t’u bërë kryeministër. Kjo nuk solli armiqësim të tij me Majkon, përkundrazi bëri që marrëdhëniet e tyre, të ktheheshin në miqësi gati vëllazërore të kohëve të FRESH-it, që ju shërbeu “sa 10 universitete”.
Tani janë sërish si dikur, ndonëse rrethanat janë ndryshe. Sidoqoftë tani nuk janë rrethanat që vendosin për ta, por ata që vendosin për rrethanat. Sa do zgjasë kjo, nuk e di kush…/Nga Rudina Xhunga