Nga Andrea Danglli
“Shiko me vëmendje këtë hartë skaneri! Vijat e zeza, janë metastazat e shtrira në rrugët e frymëmarrjes të cilat të kanë bllokuar organet jetësore. Ti je djalë i ri dhe mund t’ia hedhësh, por duhet të jem i drejtpërdrejtë duke të thënë se është një luftë që e nis me shumë vite vonesë dhe mjaft beteja të humbura. Nëse do të ishe shqetësuar më parë për mpirjen e këmbëve, kollitjet me gjak, dhimbjet në gjoks dhe lodhjen e shpejtë, mbase ky tabak nuk do nxinte kaq shumë! Gjithsesi, duhet të bëhemi të fortë, pasi pak mjekësia dhe shumë zoti, mund t’ia dalim. Është kancer dhe jo llafe!”
Këtë përgjigje me magnitutë 9.2 ballë për trurin njerëzor, e marrin nga mjeku rreth 5500 shqiptarë çdo vit, duke parë dëshpërimisht mbi monitor fjalimin e fundit të vdekjes së tyre. Veç atëherë kujtohemi se kemi një armik të heshtur nën lëkurë, apo një bashkëjetues të pabesë që mban po ashtu një emër tmerri… “kancer”.
E vërtetë është se konsiderohet për gjithë botën si një sëmundje varrmihëse që nuk kursen të pasur apo të varfër, të famshëm apo anonim, të pushtetshëm apo të zakonshëm. Por po aq e vërtetë është se indiferenca jonë ndaj qelizave tumoriale i përngjan një lufte të humbur pa nisur akoma.
Ose më saktë të një lufte që nis atëherë kur mëson se jeta jonë ka pasur edhe një helm të ngadaltë përbrenda i cili ka qenë po aty edhe kur kemi qeshur me ata që kryejnë kontrolle periodike, edhe kur kemi ndërruar stacion kur kemi parë në televizor fushata sensibilizuese, edhe kur kemi neglizhuar analizat laboratorike, edhe kur kemi ironizuar këdo që kujdeset si “maniak” për shëndetin e tij. Kanceri ka qenë aty, por ne nuk e kemi ditur. Sepse ti dhe unë mik i dashur nuk kujdesemi aq sa duhet për shëndetin tonë.
Nëse bota e qytetëruar jo larg nesh ka institucione të veçanta që merren me trajtime specifike, ne nisim të flasim për këtë sëmundje në momentin që mjeku na interpreton hartën e sterrosur të skanerit. Dhe ky nuk është një gabim i vogël, por një goditje e madhe që i japim jetës sonë dhe jetës së të gjithë atyre që duan të mos i lëndojmë me mungesën fizike që mund të shkaktojmë.
Teksa po lexon këto rreshta, unë jam i bindur që të shkon në mendje të thuash: “Ja ke fut kot, janë punët e Zotit, janë të shkruara gjërat po mos e paçim risk thuaj!”
S’ka gjë, mbase ke pjesërisht të drejtë! Por ama ka ikur koha kur kjo çështje kaq jetike konsiderohej vetëm “punët e zotit”, pasi duhet thënë se është edhe punët e njerëzve të papërgjegjshëm.
E vërtetë që shpesh herë nuk i shpëtojnë dot këtij fermani të keq që të jep shëndeti, por ama nëse gjërat diagnostikohen në kohë, ne mund të ndeshemi dhe mund ta fitojmë pjesërisht apo plotësisht luftën tonë.
E vërtetë është që është një luftë mjaft e vështirë, por mendo se sa shumë njerëz nëpër botë, janë kurorëzuar në fund si fitimtarë dhe sot kanë ndërtuar ura të forta jete.
E vërtetë që institucionet shëndetësore nuk kanë bërë kurrë aq sa duhet për të na ndihmuar në këtë luftë, por ama sot informacioni është aq i lirë sa ti mund të mësosh saktë gjithçka që duhet të dish mbi këtë çështje.
E vërtetë që fushatat sensibilizuese në vendin tonë nuk janë aq të mëdha sa duhet të ishin dhe shpesh herë bëhen për të grabitur ndonjë fond, por ti mund të vetësensibilizohesh qoftë edhe nga një film, dokumentar, këngë, poezi apo një njeri që e sheh se si kjo sëmundje çnjerëzore i ka rrëzuar flokët dhe i ka zverdhur fytyrën, duke i dhënë një nur që nuk do doje as hasmi ta kishte.
E vërtetë që indiferenca institucionale për të pasur një qasje konkrete për luftën ndaj kancerit ka qenë në çdo kohë e lartë, por nëse institucioni nuk mendon për ty kjo nuk do të thotë që as ti të mos mendosh për veten tënde.
E di që ka shumë të vërteta mbi këtë çështje, por më e madhja është ajo që kanceri s’është shaka dhe të merr jetën nëse nuk tregojmë vigjilencën e duhur ndaj tij.
Për të kuptuar rëndësinë që ka jeta, lexoje edhe njëherë përgjigjen që jep mjeku kur interpreton skanerin e vdekjes, kur dëshpërimisht konstaton: “Unë, i sëmuri me kancer!”
Ndaj sa më shpejt, sot, tani, në këtë moment, drejtohu pranë një laboratori dhe kryej analizat shëndetësore që janë të nevojshme.
Ke 1000 halle në mendje, 100 në realitet dhe 10 ke në dorë momentalisht… Për t’i mbyllur ato, mos i hap vetes dhe të afërmve një edhe më të madh. Nuk ka kohë, rrahjet e zemrës dhe akrepat e orës vazhdojnë të punojnë dhe na takon ne të kujdesemi që rrugëtimi i tyre të jetë sa më i gjatë.
P.S; Këtë mesazh ndërgjegjësues para se ta përcjell për ty që po më lexon, ja përcjell edhe vetes sime për të qenë më vigjilent ndaj kujdesit që duhet të tregohet me shëndetin, loja me të cilin do të ishte gjithnjë një humbje e thellë./TemA