Lajmi i aksidentit fatal për 41-vjeçarin Kobe Bryant ka shokuar botën e sportit.
Për shumë sportdashës, ai ishte një nga personazhet më të adhuruara të basketbollit, ndërkohë që statistikat e konfirmojnë si një prej lojtarëve më të rëndësishëm i të gjitha kohërave.
I lindur në Filadelfia, shumë shpejt Kobe do të udhëtonte me familjen e tij, duke ndjekur të atin Joe edhe ai basketbollist, që emrin ia kishte vënë nga pjata e preferuar, bifteku i shtrenjtë japonez.
Për 7 vjet Kobe jeton në Itali, nga mosha 6 deri në 13 vjeç, dhe ende fliste një italishte perfekte, madje me vendin fqinj e lidhte edhe pasioni për Milanin.
I rikthyer në SHBA, Bryant zgjidhet në draft nga Charlotte Hornets në 1996, por ata nuk i besojnë dhe e shesin menjëherë Los Angeles Lakers. Do të jetë “thesari” i ekipit kalifornian.
Në vitin 2000 së bashku me një tjetër legjendë si Shaquille O’Neal fiton kampionatin e parë në NBA, triumf që përsëritet në dy sezonet pasuese, duke skalitur në ar emrat e tyre në historinë e këtij sporti.
Pas një periudhe më të vështirë, edhe jashtë parketit, me akuzat e ngacmimit seksual që për disa kohë i larguan pjesë të fansave dhe pothuajse të gjithë sponsorët, Kobe u rikthye me dy fitore të njëpasnjëshme në 2009 dhe 2010, duke filluar të vendosë rekorde mbi rekorde.
Përshëndetja e tij në ndeshjen e fundit në karrierë mbetet nga momentet më emocionuese të atij sporti, me Bryant që firmos 60 pikë në sfidën kundër Utah Jazz.
Dicka jo e rrallë për djaloshin që kishte firmosur edhe 81 pikë në një ndeshje kundër Toronto Raptors në 2006.
Përtej basketbollit dhe Milanit, që ndiqte përherë, një nga pasionet e mëdha të tij ishin udhëtimet me helikopter. Pasioni që e largoi nga jeta dhe nga të gjithë fansat.
Kush ishte Kobe Bryant?
Kobe Bryant, i konsideruar si një nga basketbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, hyri në National Basketball Association (NBA) me ekipin e Los Asngeles Lakers direkt pas shkollës së mesme dhe fitoi më pas pesë kampionate.
Ndonëse u tërhoq nga sporti pak kohë më parë, Kobe – i njohur edhe si Mamba ose Black Mamba, një pseudonim që Kobe ia dha vetes në një nga periudhat më të errëta të tij – vazhdonte të frymëzonte fansat e sportit.
Rikthimi në basketboll erdhi për shkak se e bija e ndjerë shfaqi interes dhe talent. Bryant e shoqëronte në ndeshje dhe stërvitje.
Përpos sportit, Kobe la shenjë edhe në Hollywood. Në vitin 2016, ai fitoi një Oscar për “Filmin më të mirë të animuar me metrazh të shkurtër”, “Dear Basketball”, film që u bazua në një poezi që ai shkruajti.
Bryant ishte ambasadori zyrtar për After-School All-Stars (ASAS), një organizatë jofitimprurëse amerikane që ofron programe gjithëpërfshirëse pas shkollës për fëmijët në trembëdhjetë qytete të SHBA-së.
Ai gjithashtu kujdesej edhe për fondin Kobe Bryant China Fund në bashkëpunim me qeverinë kineze, për të mbledhur fonde për bamirësi.
Legjenda e basketbollit themeloi Kobe Inc., një kompani që zotëronte dhe merrej me rritjen e markave në industrinë e sporteve.
Gjatë gjithë jetës së tij, Kobe njihej për faktin që udhëtonte shpesh me helikopter, një mënyrë kjo për të shmangur trafikun e rënduar.
“Janë disa gjëra të cilat nuk mund t’i humbasësh. Si për shembull ndeshjet e vajzës sime,” u shpreh Kobe dikur.
Për të nderuar kujtimin e tij, në ceremoninë e djeshme të çmimeve Grammy, Alicia Keys u shpreh: “Të gjithë jemi të trishtuar. Po qëndrojmë këtu, zemërthyer.” Lizo hapi mbrëmjen duke thënë: “Kjo është për ty, Kobe”.
Postimi fundit që Kobe postoi në lidhje me bashkëshorten e tij ishte me datë 28 nëntor ku festonin 20 vjetorin e njohjes së tyre.
“Në këtë ditë 20 vite më parë takova shoqen time më të mirë, mbretëreshën ime. Vendosa të ikim në Disneyland për të festuar 20 vjetorin tonë si dikur. Të dua përgjithmonë, shkruan ai krah fotos.