Bashkia Gjirokastër ka nisur sot shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë dhe pensionistët, në mënyrë që ata të kufizojnë lëvizjet për ushqime apo ilaçe. Kryebashkiaku Flamur Golemi ka shpërndarë një video në faqen e tij në Facebook dhe bën thirrje që të mos dilni nga shtëpia.
Postimi
Çdo dalje e juaja jashtë shtëpisë i hap dyert virusit të rrezikshëm Covid-19. Ne do të jemi pranë jush kudo dhe kurdo që të keni nevojë për ushqime, për ilaçe apo shërbime të tjera të domosdoshme, pa qenë nevoja të dilni vetë. E di që t’ju kufizojmë lirinë është absurde dhe shumë e rëndë, por nuk kemi rrugë tjetër për momentin. Armiku i ynë i padukshëm mposhtet vetëm në këtë mënyrë. Pensionistët kryefamiljarë që nuk i kanë fëmijët pranë dhe familjet në nevojë, le të kontaktojnë me numrat që ne kemi vënë në dispozicion për t’i ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme në këtë periudhë të vështirë. Përsëris sërish thirrjen për të qëndruar në shtëpi. Vetëm kështu ndihmojmë njëri-tjetrin dhe ndalim përhapjen e koronavirusit.









