Nga Bledi Lumani
Të enjten mbrëma, ndërsa kthehesha në shtëpi, u përballa me një mori makinash policie dhe autoambulance. Mendova se kishte ndodhur ndonjë vrasje dhe sapo shkova në shtëpi, më shumë për arsye pune, se sa kurioziteti, hapa email-in për të lexuar komunikatat e policisë. Ajo që kishte ndodhur ishte përtej imagjinatës dhe në vrullin e botimit të lajmit, as nuk i lexova fare emrat e viktimave dhe të mbijetuarës. Kur iu riktheva sërish lajmit për ta parë, më tërhoqi vëmendjen origjina e tyre, Përmeti, prej dhe nga jam vetë, dhe kjo ndryshoi komplet qendrimin tim.
Pastaj kur lexova emrat, Anisa e Blerta, Blerta, Anisa, Anisa, Blerta, thjesht mbeta si i mpirë për disa minuta. Hera e fundit që i kisha takuar, duhet të ketë qenë diku tek 8 apo 9 vite më parë. Dhe deri të enjten mbrëma, jo vetëm që s’kisha dëgjuar më për to, por i kisha fshirë nga memoria edhe si emra.
Atë mbrëmje dhe të premten isha aq i tronditur, sa që nuk mendoja dot për gjë tjetër, veçse për Anisën dhe Blertën.Anisën simpatike, gazmore sa më s’ka, e zgjuar dhe e dashur, që gjithë kohën e mbaj mend veçse të qeshur. Ashtu si të motrën, Blertën, që nuk ndaheshin kurrë nga njëra-tjetra. Doja të shkruaja diçka, por nuk mundesha, sepse ende më dukej e pabesueshme ajo që kishte ndodhur me to.
Por, duke qenë se janë thënë e shkruar lloj lloj marrëzish për to, e ndjeva si një detyrim, për të sqaruar disa gjëra, sepse Anisa dhe Blerta që njihja unë, nuk e meritonin këtë fund. Anisën dhe Blertën i kam njohur që adoleshent. Ato nuk ndiqnin asnjë sekt në Përmet, siç po thuhet këto orët e fundit, por shkonin në kishë. Ishin të krishtera ungjillore. Ungjillorët, për ata që nuk i njohin, janë feja e pestë zyrtare në Shqipëri dhe fillesa e saj në vendin tonë zë me Gjerasim e motrat Qiriazi.
I ati i tyre, po ashtu nuk kishte lidhje me asnjë sekt dhe nuk shkonte as në kishë. Ashtu si dhe e ëma, me sa mbaj mend. Kur mbaruan gjimnazin, erdhën në Tiranë, për të vazhduar shkollën e lartë, njëra për Inxhinieri, tjetra për Ekonomik. Dhe natyrisht, vazhduan të shkonin në kishë, sepse ishin besimtare të krishtera. Deri pak vite më parë, shkonin në kishen “Rilindja”, që drejtohet nga pastor Fitor Muça. Biles herën e fundit që i takova, sapo kishin dalë nga takimi i së dielës në kishë.
Për shkak të një pakënaqësie me pastorin e kishës, sipas informacioneve të mia, Anisa me Blertën nuk shkuan më në kishë. Madje ndërprenë kontaktet edhe me besimtarët e tjerë, miq të tyre, të cilët i merrnin në telefon për t’i takuar. Pra, deri në këto momente, ishin vajzat më normale të mundshme, që e donin jetën dhe që falnin veçse mirësi dhe dashuri, për këdo që njihnin.
Nuk ishin ato të “çmendurat” që po përpiqen t’i vizatojnë në media, që nuk mbanin telefon, nuk iu flisnin njerëzve, apo nuk dilnin jashtë shtetit, se nuk ua lejonte “sekti” që ndiqnin. Se çfarë ka ndodhur me to kohët e fundit, mbetet për t’u sqaruar, por duhet thënë se raportimet në media, që ato agjëronin me qëllim që të vdisnin, me qëllim pastaj që të ringjalleshin, janë një çmenduri edhe më e madhe e asaj që ka ndodhur.
E vetmja gjë e qartë në këtë histori, është fakti se nëna e vajzave dhe Blerta, të tronditura nga vdekja e Anisës (zbulimi i si cilës mund të zbardhë gjithë historinë), të shokuara nga ajo që ka ndodhur, kanë filluar të agjërojnë dhe luten, me shpresën se ajo do të ringjallej.
Dhe pastaj situata iu ka dalë jashtë kontrollit, duke kaluar në një ekstremitet tronditës, ku nuk ka më lidhje as logjika njerëzore dhe as besimi në Zot. Blerta mund të zbardhë atë që ka ndodhur në ditët në vijim, kur shpresoj që të vijë në vete dhe të jetë e vetëdijëshme për atë që ka ndodhur, ndërkohë që ne të tjerët, thjesht duhet të presim e të mos shpikim historira të paqëna.
Dhe pse jo, edhe të lutemi për Blertën. Duke nisur nga pastori i saj, që çuditërisht ka heshtur këto ditë, e deri tek ne që i njihnim dhe i lamë në harresë, të rrëmbyer nga jeta e përditshme e Tiranës. Se i harruam kur ishin gjallë (Anisën dhe të ëmën), t’i mohonim sikur s’kanë ekzistuar apo se kanë qenë thjesht tri femra të marra, do të ishte edhe më e rëndë./ TemA