Partitë politike me sa duket janë pajtuar të gjitha me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut, të cilat parashikojnë listat e hapura të kandidatëve për deputetë.
Që në fillim të herës, teksa opozita parlamentare kërkoi këtë sistem zgjedhor me lista të hapura, jo vetëm Lulzim Basha dhe krerët e partive të tjera politike duke filluar nga Monika Kryemadhi-Ilir meta dhe përfunduar tek kreu i mazhorancës Edi Rama, ishin kundër.
Argumenti i përdorur për këtë rast nga ana e kundërshtarëve të listave të hapura ishte fakti se kërkonte shumë kohë për numërimin e votave dhe infrastruktura zgjedhore nuk e mundësonte një gjë të tillë.
Ithtarët e këtij sistemi akuzonin, dhe jo pa të drejtë, krerët e partive politike se po pengonin një proceës të tillë nga frika e humbjes së rolit dominues në parti dhe tek listat e kandidatëve për deputetë.
Në fillim u akuzua Lulzim Basha, të cilit iu kujtua lista klienteliste dhe e zgjedhur nga Kunati kundrejt pagesës në zgjedhjet e vitit 2017. Rezultati dihet tashmë, ishte katastrofik.
Madje kundështia e Bashës për listat e hapura u argumentua me faktin se kreu demokrat kishte fuqi të pakët në PD dhe e vetmja gjë që kishte në dorë për të kërcënuar kundërshtarët ishin listatet e kandidatëve që bëheshin nga vetë Basha.
Akuzat e kritikëve ishin të bazuara, pasi në vitin 2017, Lulzim Basha la jashtë listave dhe për pasojë i nxori nga politika aktive, ish nënkryetaren e PD Jozefina Topalli, ish sekretarin e Përgjithshëm Astrit Patozi, zyrtarët e lartë të PD, Majlinda Bregu, Arben Imami, Genc Ruli etj.
Ndërkohë që Rama dhe Meta akuzoheshin se përmes listave fusin miqtë e tyre si kandidatë të sigurtë për deputetë në zgjedhje, ndërsa listat e hapura ua pamundësonin një gjë të tillë.
Përmbysja e situatës, pas mbështetjes së Edi Ramës të propozimit të opozitës parlamentare për një sistem zgjedhor me lista të hapura por dhe me koalicione që përmbajne vetëm një listë unike të përbashkët në zgjedhje, solli një realitet të ri pas 30 korrikut.
Ndryshimet kushtetuese i vunë të gjitha partitë para faktit të kryer, ndërkohë që tashmë debati bëhet për teknicialitete nëse duket 100 përqind hapja e listave apo 70 përqind.
Për hir të së vërtetës të gjitha partitë kërkojnë një hapje të pjesshme të listave të zgjedhjësve.
Pavarësisht se kreu i mazhorancës Edi Rama e kërkon një gjë të tillë për shkak të kuotave gjinore prej 30 përqind të femrave, ndërsa Lulzim Basha dhe aleatët e tij kërkojnë hapjen 100 përqind, në të vërtetë janë të gjithë në unison kundër listave tërësisht të hapura.
Në të vërtetë krerët e partive politike, dhe më shumë Lulzim Basha që nuk e ka në dorë tërësisht drejtimin e PD, Monika Kryemadhi që më shumë ka mbështetje tek rinia që nuk voton për shkak të pikniqeve që organizon apo krerët e tjerë të partive, janë kundër listave të hapura 100 përqind.
Krerët e partive politike në Shqipëri janë aq të vjetër në politikë sa të kujtojnë zgjedhjet e vitit 2001 dhe aplikimin vullnetar të listave të hapura nga Partia Demokrate e Re e Genc Pollos.
Për të aktivizuar se më shumë kandidatët për deputetë në mënyrë që të punonin dhe financonin fort për të realizuar një rezultat sfidues ndaj kundërshtarit real, kreut të PD Sali Berisha, Genc Pollo deklaroi listat e hapura. Kishin dalë nga PD si parti dhe donin ta sfidonin!
Njëherësh bëri marrëveshje që kandidatët që kanë më shumë vota në zgjedhje do të jenë automatikisht deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Dhe e mbajti fjalë për këtë Pollo!
Rezultati i zgjedhjeve të verës së vitit 2001 ishin shumë sfidues, të parë në këndvështrimin vetëm të PDR të drejtuar nga Genc Pollo, pa hyrë në fenomentin e famshëm të “Dushkut” të realizuar nga kryeministri i asaj kohe Ilir Meta.
PDR e Genc Pollos në mënyrë të papritur mori një rezultat befasues në këto zgjedhje: Arriti të fusë në Kuvend 6 deputetë, duke qënë në këtë mënyrë realisht partia e tretë parlamentare më e madhe në vend, pas PS në mazhorancës me kryetar Fatos Nanon dhe PD në opozitë me kryetar Sali Berishën.
Në Parlament nën siglën e PDR përmes proporcionalit të korrektuar, theksojmë në vitin 2001 sistemi ishte mazhoritar për 100 zona elektorale dhe 40 deputetë dilnin nga listat proporcionale, kishin marrë votat e nevojshme si deputetë kandidatët Nard Ndoka, Dashamir Shehi, Ilirian Berzani, Qazim Tepshi, Jak Ndoka dhe Saimir Curri.
Genc Pollo me 850 votat e fituara në zonën e tij elektorale nuk hyri dot në parlament. As Tritan Shehu, as i ndjeri Ylli Vejsiu, as Ferdinant Xhaferraj, as Leonard Demi, As Eno Bozdo dhe as Kreshnik Çollaku. Nuk po i përmendim emrat e tjerë më pak të njohur.
Pra listat e hapura penalizuan vetë kreun e PDR Genc Pollo. Pikërisht këtij precedenti i frikësohen sidomos Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu dhe krerët e tjerë të partive. Aq më tepër Pollo dhe miqtë e tij të ish PDR, që sot drejtojnë me pak mungesa PD-në!
Ndaj thellë thellë janë të gjithë kundër sistemit me 100 përqind lista të hapura. Nga frika se mbeten pa u votuar dhe jashtë Parlamentit sipas precedenti “Pollo”. Por dhe përballë detyrimit për të dhënë dorëheqjen pastaj.
Ndërsa Edi Rama, por dhe Ilir Meta nëse kandidon, i zotërojnë partitë e tyre dhe e kanë kaq mbështetje për të fituar në çdo listë që të renditen.
Keq e ka Lulzim Basha. I gjendur “sanduiç” në mes të radikalëve të Sali Berishës dhe reagimit të bazës së partisë, Luli do të mbetej automatikisht jashtë Kuvendit. Siç mbeti Pollo më 2001
Në të njejtën situatë është dhe Monika Kryemadhi, e cila nga qarku i lezhës lëvizi drejt qarkut të Elbasanit, ndërkohë që për zgjedhjet e 25 prillit 2021 të dekretuara nga Meta, po punon fort që të garojë në qarkun e Fierit.
Gjithsesi listat e hapura kërcënojnë rëndë kryetarët e partive të cilët rrezikojnë të mos mbështeten nga zgjedhësit në votimet e pranverës së ardhshme.
Mund të jetë dhe shans për Shqipërinë që të ndahemi njëherë e mirë nga kryetarë partish që janë “salduar” përmbi 20 vite në krye të subjekteve politike./ Tema