Një vullnetar u dërgua me urgjencë në spital pasi u dyshua për ënjtje në shtyllën kurrizore pas testimeve me vaksinën. Për këtë arsye studimet mbi vaksinën e koronavirusit në Universitetin e Oksfordit janë ndaluar.
“Daily Mail” shkruan se gjiganti britanik i ilaçeve “AstraZeneca”, i cili zotëron të drejtat për vaksinën, njoftoi mbrëmë se të gjitha studimet ishin ndaluar për një kohë të pacaktuar, ndërkohë që po hetohet nëse efekti anësor i pacientit është i lidhur me vaksinën e Covid-19.
Askush tjetër nuk do të jetë në gjendje ta testojë vaksinën derisa të përfundojë hetimi.
“New York Times” citoi një burim që pretendonte se pacienti kishte një inflamacion të palcës kurrizore që mund të shkaktojë paralizë të përhershme tek disa individë.
Çrregullimi mund të shkaktohet nga një sërë shkaqesh duke nisur që nga përgjigjet inflamatore të trupit e deri tek infeksionet virale.
Kjo situatë është shumë shqetësuese, sepse kompania madje ishte mbështetur edhe nga “Organizata Botërore e Shëndetësisë” në krijimin e vaksinën kundër koronavirusit.
Vaksina po testohet tek mijëra njerëz në Britani dhe në SHBA, si dhe tek disa grupe të vogla në Brazil dhe në Amerikën e Jugut.
Një zëdhënëse e “AstraZeneca” tha: “Ne po punojmë për të përshpejtuar rishikimin e kësaj ngjarjeje të vetme për të minimizuar çdo ndikim të mundshëm në kronologjinë e testimit. Jemi të përkushtuar ndaj sigurisë së pjesëmarrësve dhe ndaj standardeve më të larta të sjelljes gjatë testimeve që bëjmë”.
Megjithatë, nuk u dha asnjë detaj në lidhje me pacientin që po vuan efektin anësor dhe as për natyrën e reagimit të tij.









