Si asnjëherë tjetër në muajt e parë të vitit, vendi është i mbushur plot me turistë. I gjen kudo, në Tiranë duke shëtitur e duke konsumuar në lokale; në Krujë duke vizituar Muzeun; në bregdet, nga Velipoja në Sarandë, duke shijuar ditët e ngrohta; në qytetet tradicionale Gjirokastër e Berat, apo në Alpe.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në dy muajt e parë të vitit, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur me 41%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ka shumë argumente për këtë lulëzim të turizmit, që në fakt erdhi si bekim për vendin, në momentin që ekonomia po ngadalësohej dhe konsumi po tkurrej, si rrjedhojë e tkurrjes së popullsisë.
Faktorët kryesorë mbeten diversiteti natyror në një vend të vogël dhe çmimet e ulëta, si të akomodimit e ushqimeve, ashtu dhe të biletave të lira të avionëve, nga hyrja e operatorëve me kosto të ulët.
Profili kryesor i turistit masiv mbetet ai me çantë shpine, që tenton të shpenzojë sa më pak, ndërsa ka dhe nga ata që janë të interesuar për tregun e pasurive të paluajtshme në bregdet, por që mbeten inferiorë në numër.
Bazuar në prenotimet e verës, operatorët presin që dhe për muajt në vijim, ritmet e rritjes të jenë të ngjashme me janar-shkurt, duke ngritur madje pikëpyetje nëse do të jemi të aftë ta përballojnë këtë fluks, duke pasur parasysh krizën e fuqisë punëtore që po kalon vendi, për shkak të përshpejtimit të ritmeve të emigracionit.
Problemi tjetër i madh mbetet infrastruktura. Nëse udhëtoni në autostradën Tiranë-Durrës, arteria kryesore që lidh gjithë vendin, automjeti do të hasë në gropa që sa vijnë e po shtohen. Nuk ka asnjë mirëmbajtje.
Situata po bëhet e ngjashme me disa vite më parë, kur rruga u la të amortizohej në një pikë ku nuk mbante më, dhe riparimi i saj filloi në prag të sezonit turistik, në maj 2019, duke penguar transportin dhe duke lënë udhëtarët në rrugë për një kohë të zgjatur.
Nëse ndodh e njëjta gjë dhe këtë vit, kur numri i turistëve është dy herë më i lartë se në atë periudhë, imazhi turistik i vendit do të dëmtohej rëndë.
Rrugët dytësore të Golemit ende nuk kanë përfunduar, ndonëse po punohet prej tre vitesh. Nëse këtë vit do të zbatohet lëvizja me një drejtim në to, trafiku në kthim do të ishte i pamenaxhueshëm, pasi nuk janë bërë nënkalime, apo mbikalime, sipas planit.
Rruga për në Krujë, drejt së cilës udhëtojnë mijëra turistë në ditë, është gjithashtu e pamirëmbajtur. Trafiku nga Veriu drejt qendrës është i madh në pothuajse çdo orë të ditës, por të paktën segmenti i ri Thumanë-Kashar po përparon.
Dhe nuk është që qeveria nuk po investon. Por, prioriteti i saj për momentin mbetet Jugu, ku krahas tunelit të Llogorasë po bëhen dhe ndërhyrje të tjera. Shumë mirë që po bëhen këto investime, pasi Jugu është një zonë e rëndësishme turistike, që qeveria po tenton ta kthejë në një model elitar.
Por, është e papranueshme moskokëçarja për pjesën e mbetur të vendit, që pret po aq, në mos edhe më shumë turistë, që të mos bëhen as ndërhyrje minimale, siç janë mbushja e gropave.
Në fund të fundit, edhe ai turisti elitar që mund të shkojë në Jug, po nga autostrada Tiranë-Durrës do të kalojë, për sa kohë që dhe aeroporti i Vlorës nuk është ndërtuar ende.
Vërtet është një projekt për zgjerimin e Autostradës së Tiranës, por do të duhen vite deri sa ai të përfundojë. Është turp të lihet një nyje kaq kryesore në një gjendje kaq të mjeruar.
E njëjta gjë ndodhi dhe me segmentin që lidhte Shkozetin me Plepat, sërish nyja kryesore nga ku kalon për në Jug të vendit, i cili u rregullua pasi u la për dy vjet në gjendje të mjeruar. Ironia është se duke u përqendruar në turizmin elitar, Shqipëria rrezikon të humbasë edhe atë të zakonshëm, që sot është mbizotërues.
Ndërsa vendit iu deshën vite që të bëhej një destinacion i preferuar turistik, ky pozicion nuk është konsoliduar ende dhe mjafton shumë pak që të zhbëhet në një periudhë shumë më të shkurtër kohe.
Nuk është korrekte kjo as për turistët e brendshëm dhe as për ata që lëvizin për punë, të cilët, në fakt, janë taksapaguesit që financojnë rrugët. Është turp që paratë e popullsisë vendase nuk po u kthehen mbrapsht dhe po trajtohen në këtë mënyrë. Apo dhe Veriut, ku i vetmi investim për momentin është kampi i refugjatëve…/MONITOR