Një event u organizua sot në Shtëpinë e Zekatëve në Gjirokastër për produktet tradicionale. Të pranishëm ishin ministri Bledi Çuçi, deputetët Mirela Kumbaro e Artemis Malo, prefekti Astrit Aliaj etj. Aktiviteti ishte një organizim i përbashkët I Sloë Food, CESVI, FAO-s dhe MBZHR. Ministri Çuçi teksa publikon foto në faqen e tij në Facebook thotë se tashmë ka një ligj të miratuar për produktet tradicionale.
Postimi i tij.
Nisma e FAO dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për promovimin e produkteve tradicionale dhe Treguesve Gjeografikë në Shqipëri është një vlerë e shtuar në përpjekjen tonë të përbashkët për t’i dhënë kujdesin e duhur produkteve tipike dhe për t’i promovuar brenda e jashtë vendit. Sot në Gjirokastër, një qytet me kulinari fantastike, patëm një event të rëndësishëm për produktet tipike, që do të pasohet nga shumë të tjerë. Përpara disa muajsh ne ndërmorëm një hap të domosdoshëm për këtë kategori produktesh. Miratuam ligjin “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, i cili ka në fokus vlerësimin e karakteristikave unike të produkteve shqiptare. Nuk ka patur deri më tani një ligj të tillë sikundër kanë vendet e Bashkimit Europian. Deri më tani ne kemi vetëm 11 produkte të regjistruar që bëjnë pjese tek markat e cilësisë. Lista me produktet që nuk janë regjistruar është më e gjatë. Me siguri që mungojnë këtu qifqitë e famshme të Gjirokastrës dhe plot produkte të tjera tipike. Në interesin tonë të përbashkët është një shportë e produkteve shqiptare të çertifikuara me markat e cilësisë që do t’i mbështesim nëpërmjet promovimit të dedikuar brenda dhe jashtë vendit.












