Ndaj Polonisë, më 26 mars, është një ndeshje teke, një ndeshje që duhet fituar për të mbajtur të ndezur ëndrrën Botëror. Përballë një fakti të tillë, përveç se duhet të ndërtojë një skuadër kompakte në mbrojtje, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë fushës kualifikuese, këtë herë Shqipëria është e detyruar edhe të shënojë.
Sylvinho duhet të përzgjedh me kujdes lojtarët ofensivë, por lajmet që vijnë këtë periudhë nuk janë shumë pozitive sa i përket këtij reparti. Armando Broja mungon prej më shumë se një muaji ndërsa rikthimi i tij në fushë nuk është shumë i qartë, me mediat në Angli që shkruajnë se sulmuesit të Burnley i duhen ende disa kohë për t’u rikthyer.
Lajme jo pozitive vijnë edhe nga Rusi pasi Mirlind Daku mbetet ende në “bokse”. Trajneri i Rubin Kazan zbuloi se “bomberi” kuqezi është ende larg rikthimit në fushë. Në kushte të tilla, në letër, Sylvinho ka vetëm një qendërsulmues tipik në dispozicion, Rey Manaj. Për fat të mirë, sulmuesi kuqezi po kalon një moment pozitiv në radhët e Sivasspor.
Në çdo rast, Sylvinho mund të përdor për këtë rol edhe lojtarë si Uzuni apo Taulant Seferi, me këtë të fundit që po kalon një periudhë të mirë, por mbetet për t’u parë nëse Sylvinho do t’i rezervojë një ftesë për ndeshjet e fazës “play-off”.

Jo vetëm për Shqipërinë, ky është një takim po aq i rëndësishëm edhe për Poloninë, me Federatën Polake që së fundmi me anë të një reagimi për mediat bëri me dije se nga kjo e hënë kanë dalë në shitje biletat për sfidën e 26 marsit.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









