Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e partisë së tij gjatë një tubimi në qendër të Prishtinës të dielën, ndonëse ai nuk ka një shumicë, të mjaftueshme për të formuar qeverinë në Kosovë.
Partia qeverisëse e Kurtit, Vetëvendosje, fitoi mbi 4i% të votave, krahasuar me 50% në vitin 2021, duke marrë më shumë vota se partia e dytë (PDK) dhe ajo e tretë (LDK) sëbashku.
Sipas të dhënave nga KQZ, në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje është partia që kryeson dukshëm me numër të votave krahasuar me partitë tjera.
Kurti tha se ishte i sigurt se do të jetë në gjendje të formojë një qeveri, duke shtuar: “Ne jemi fituesit dhe ky është konfirmimi i një qeverie të mirë, të begatë dhe demokratike.”
“Nuk ka pasur kurrë më shumë luftë, sesa kundër kësaj qeverie”, tha Kurti pas zgjedhjeve. “Me oligarkët që japin para pa llogari dhe me opozitën që bën marrëveshje edhe me djallin kundër qeverisë sonë.
Edhe pse kanë humbur sërish, do të mbeten opozitë, sepse nuk ia duan më të mirën as shtetit dhe as popullit”.
Por nëse në Prishtinë ka ende paqartësi se kush do të qeverisë në të ardhmen, ndërkohë që kreu i LDK, Abdixhiku e ka lënë të hapur mundësinë e mbetjes në opozitë, në mediat ndërkombëtare është shfaqur dyshimi lidhur me një qeveri Kurti 3.
“Partia qeverisëse majtiste-populiste Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti fitoi zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës të dielën, sipas rezultateve paraprake,duke e vendosur vendin në rrugën e ripërtëritjes së konfrontimit me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për trajtimin e pakicës së saj serbe” shkroi menjëherë Politiko.
BBC nënvizoi se popullariteti i Kurtit është rritur nga përpjekjet për të zgjeruar kontrollin e qeverisë mbi pjesën veriore me shumicë etnike serbe.
Por kjo ka antagonizuar përkrahësit kryesorë të Kosovës – BE-në dhe SHBA-në.
Ndërsa The Guardian u morr me enigmën e koalicionit të ardhshëm. “Për VV, rezultati i zgjedhjeve do të ishte një rënie nga më shumë se 50% që fitoi në vitin 2021, por e vendos atë në pozicionin për të udhëhequr qeverinë e ardhshme në një vend, politika e të cilit dominohet nga marrëdhëniet me Serbinë dhe serbët brenda kufijve.
Gjatë fushatës zgjedhore Kurti me sa duket përjashtoi mundësinë e formimit të një koalicioni, duke thënë se ai nuk do të merrte pjesë në qeveri nëse nuk fitonte një shumicë të plotë. Por, të dielën vonë pas shpalljes së fitores, Kurti tha se do të formonte qeverinë e re pa lënë të kuptohet se kush mund të jetë partneri i mundshëm i koalicionit”.
Edhe Associated Press vuri në dukje fitoren e Vetëvendosjes duke thënë se “Albin Kurti fitoi zgjedhjet parlamentare të Kosovës të dielën, por pa shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme”.
AP, theksoi bisedimet e bllokuara për normalizimin e marrëdhënieve me rivalin Serb, si dhe ngriti këmbanën e alarmit se “financimet e huaja për një nga vendet më të varfra të Europës janë në pikëpyetje”.
Që nga viti 2021, Kurti i ka bërë presion komunitetit etnik serb në veri të Kosovës, i cili numëron deri në 50,000 njerëz nga 1.6 milionë banorë të Kosovës, që të pranojnë autoritetin e Prishtinës. Kjo ka përfshirë mbylljen e bankave serbe dhe institucioneve paralele të qeverisjes në enklave, si dhe detyrimin e serbëve që të vendosin targa kosovare në automjetet e tyre.
Kurti ka refuzuar gjithashtu të respektojë një marrëveshje të vitit 2013 me Serbinë, për të lejuar komunat me shumicë serbe në Kosovë të formojnë asociacionin me kompetenca arsimore, shëndetësore dhe ekonomike, duke thënë në një tubim politik më 1 shkurt se “qeveria jonë … kurrë nuk do t’u thotë po” shoqatave të tilla.
Kurti i ka mbrojtur këto politika të vijës së ashpër, si një domosdoshmëri e sundimit të ligjit, por BE-ja pezulloi disa ndihma financiare për Kosovën në qershor 2023.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE gjithashtu mbetet i bllokuar, me pesë vende anëtare që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.