Ngjarja e pazakontë sot në fshatin Bularat të Dropullit, përveç marrëzisë së një ekstremisti si Kostandinos Kaçifas, ka edhe një aspekt tjetër që nuk duhet të anashkalohet. Për të disatën herë me radhë na u dëshmua ditën për diell se sa jo vigjilente janë strukturat e sigurisë në Shqipëri. Në rastin konkret për Gjirokastrën jemi para faktit se Policia e Shtetit dhe Shërbimi Informativ Shtetëror u gjet i papërgatitur.
Pyetja që shtrohet në këtë rast është kjo: Si është e mundur që një element i tillë ekstremist si Kostandinos Kaçifas, kthehet nga Greqia përmes Kakavijës, armatoset në fshatin e tij, terrorizon banorët dhe më tej qëllon policinë pa u vënë ra nga askush? Pse Policia e Shtetit dhe Shërbimi Informativ Shtetëtor nuk i mban nën vëzhgim persona të tillë, për të parandalua ngjarje si kjo që terrorizoi Dropullin? Kostandinos Kaçifas nuk ishte një person krejt anonim. Aktiviteti i tij ekstremist ishte publik edhe në rrjetet sociale.
Mjafton të shohësh profilin në Facebook, që i ngjan një pamfleti ku villej vrer ndaj shqiptaëve dhe ku 35-vjeçari vënte kujën për gjoja diskriminim të minoritetit grek në Shqipëri. Të gjitha këto ishin indicje të mjaftueshme për strukturat e sigurisë kombëtare në Gjirokastër, që ky person të mbahej nën vëzhgim dhe të merreshin masat pa qenë nevoja të ndodhte ngjarja e sotme.
Terrori në Bularat duhet të jetë një ‘case study’ për autoritetet shqiptare, për të qenë më vigjilente dhe për t’i parandaluar në kohë ngjarjet. Sot në Dropull mund të ishte bërë kasaphanë nëse Kostandinos Kaçifas do ishte lënë në marrëzinë e vet. Fat që nuk ndodhi dhe ai iku nga kjo botë duke marrë atë që meritoi në marrëzinë e vet nacionaliste.
©ArgjiroLajm.net