Historianët dhe ekspertët e trashëgimisë dhe politikave vendore mbeten të ndarë mbi marrëveshjen midis Tiranës dhe Athinës për të ndërtuar në jug të Shqipërisë disa varreza historike – në të cilat do të prehen dhe nderohen ushtarët grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nga Lindita Çela
Me datë 11 mars, një autobuz me 50 qytetarë grek kaloi urën e hekurt të Dragotit – të ndërtuar në vitin 1936 nga kompania italiane Ansaldo, dhe përparoi katër kilometra në brendësi përpara se të ndalonte pranë një lëndine në brigjet e lumit Vjosë, ku katër varrmihës dhe disa mjekë ligjor kanë ngritur kampin e tyre.
Të udhëhequr dhe nga një prift ortodoks, vizitorët grekë zbritën nga autobuzi dhe filluan të luteshin për shpirtrat e ushtarëve të humbur gjatë luftës Italo-Greke- nga Tetori 1940 deri në Prill 1941, e cila la pas rreth 27 mijë grekë dhe italianë të vrarë, shumë prej tyre të rënë dhe varrosur në tokë shqiptare.
“Që kur këtu filluan gërmimet herë pas herë vijnë autobuzë me grekë,” tregon Qemal Danaj, një banor i fshtatit Dragot. “Vijnë, thonë disa lutje e më pas ikin. Shumë herë janë të shoqëruar edhe nga konsulli [grek] i Gjirokastrës,” shtoi 65-vjeçari.
Gërmimet për eshtrat e të rënëve grekë të luftës nisën në fshatin Dragot në fund të janarit, pas nënshkrimit në nëntor të një marrëveshjeje në Kretë, mes ministrit të jashtëm shqiptar Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek Nikos Kotzias, për ndërtimin e varrezave të reja në Shqipëri për viktimat e luftës Italo-Greke.
Deri në fillim të marsit rreth 120 eshtra të dyshuara si të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës janë gjetur në fushën e Dragotit.
Në këtë fushën përballë malit të Golikut qeveria greke beson se janë varrosur rreth 800 ushtarë të rënë, ndërsa përreth malit të Trebeshinës mbi Dhëmbel e në Golik deri në luginën e Zagorisë, Athina shprehet se shtrihen eshtrat e 12 mijë ushtrave të rënë gjatë luftës. Vend-gërmimet e nisura në Dragot pritet të shtrihen në 140 zona, por ato ende nuk janë përcaktuar zyrtarisht.
Nisja e gërmimeve dhe vendosja e kontejnerëve të mëdhenj në fushën e Dragotit ka ngjallur interesin e palës greke, ku e herë pas herë grupe pelegrinazhi vijnë për të këqyrur zhvarrosjet e eshtrave – të cilat do të transferohen në varrezat historike të Bularatit ku dhe pritet të nderohen çdo vit me 28 tetor sipas një ceremoniali të parashikuar me ligj.
Historianët dhe ekspertët e trashëgimisë mbeten të ndarë mbi ndërtimin e varrezave historike greke në jug të Shqipëri- ku disa i shohin si kërcënim dhe irredentizëm nga shteti fqinj ndërsa të tjerë si mundësi për të zhvilluar turizmin e pelegrinazhit.
Vendasit indiferentë
Lufta Italo- Greke filloi në dimrin e vitit 1940, kur forcat e diktatorit fashist Benito Musolini sulmuan Greqinë nëpërmjet territorit shqiptar, të cilin e kishin pushtuar një vit më parë. Betejat në luginën e Vjosës dhe rajonin malor që ndan Shqipërinë dhe Greqinë zgjatën për disa muaj. Përgjatë luftës pati ndryshime masive të vijës së frontit ndërsa zona e luftimeve u shtri në një territor të gjerë në Greqinë e veriut dhe Shqipërinë e jugut. Disa dhjetëramijëra ushtarë humbën jetën dhe u varrosën aty.
Në fshatin Bularat të Gjirokastës, një varrezë e ushtarëve grekë ka ekzistuar që nga koha e Luftës së Dytë Botërore ndërsa në dhjetor 2017 qeveria shqiptare i dha statusin e një varreze historike. Që nga vitet 1970 qeveria greke ka kërkuar ngritjen e varrezave të tjera historike në Shqipëri për ushtarët e saj të rënë gjatë luftës – një kërkesë që i është mohuar gjatë regjimit komunist. Në vitin 2000, me iniciativën e Kishës Ortodokse një varrezë e dytë u ngrit në Grykën e Këlcyrës.
Njohja zyrtare e varrezave greke nga pala shqiptare shihet një shenjë pozitive për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe heqjes nga pala greke të ligjit të luftës, i cili mbetet në fuqi që ku forcat fashiste sulmuan Greqinë.
Rituali i përmotshëm i vizitorëve nuk ngjall më kureshtje mes banorëve të Dragotit, të cilat tashmë janë mësuar me autobuzët që vijnë nga vendi fqinj.
Qemali ka një lokal, nuk është gjë tjetër veçse një barake me disa tavolina në anë të urës së Dragotit. Sa herë vijnë autobuzë me pelegrinë nga Greqia, ndalojnë aty për kafe.
“Të paktën atë ditë bëj ndonjë xhiro sepse ditë të tjera askush nuk vjen. Fshati është i braktisur e ato që janë s’kanë para se për kafe,” – tha Qemali, i cili mban familjen prej 6 anëtarësh më këtë biznes.
Ndryshe nga Qemali, shumica e banorëve të Dragotit janë indiferentë ndaj gërmimeve për eshtrat e ushtarëve grekë.
“Le të gërmojnë por nuk kanë ç’të gjejnë më. Ato që ishin varrosur i kanë marrë një herë, por s’ka pse bëhet aq zhurmë për këtë,” shprehet Hysni Muka, një banor i moçëm i fshatit.
Marrëveshja për varrezat
Dragoti përmendet si një nga vendbanimet më traditë dhe histori që shtrihet ndër shekuj. Në kohën e Ali Pashë Tepelenës ai një fshat më rëndësi në rrugët e karvanëve që shkonin përgjatë lumit të Vjosës për në Tepelenë. Ndërsa sot ky fshat numëron 70 shtëpi, me një mesatare moshe të thyer.
Me gjithë indiferencën e banorëve, autoritet shqiptare shpresoj se finalizimi i marrëveshjes për nderimin e të rënëve grekë, do të sjellë përfitime dhe për Dragotin. Pala greke paguan për çdo varr të gjetur dhe të ardhurat shkojnë në Bashkinë e Tepelenës.
Bekim Murati, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, e ndjek nga afër procesin e zhvarrosjes e ushtarëve grekë që ka nisur në Dragot.
Në cilësinë edhe të anëtarit të komisionit dypalësh që ka vendosur për “çështjen e varrezave greke” , Murati thotë se nisja e gërmimeve ka sjellë një klimë më pozitive me palëve, që sipas tij do të ketë një impakt shumë pozitiv për vendin.
“U hoq vula apostolike, pritet dhe njëjësimi i patentave mes dy shteteve apo dhe sheshimi i shumë mosmarrëveshje historike për të cilat do të ketë marrëveshje në muajt e ardhshëm,” tha Murati.
Dragoti, sipas marrëveshjes së nënshkruar, është pika e parë e gërmimit për gjetjen dhje rivarrosjen e ushtarëve grekë, por që më pas do të ketë dhe vend kërkime të tjera. Murati thotë se për këtë do të vendoset hap pas hapi.
Palët duket se kanë mosdakortësi mes tyre. Numri i eshtrave të ushtrave të rënë është një çështje që ha debat.
“Nga informacionet që kemi në Dragot shifra e ushtarëve të rënë është 120, dhe deri më tani janë gjetur aq eshtra. Gërmimet do të vazhdojnë sepse pretendimi i palës greke është se në atë fushë ku po gërmohet të gjejnë rreth 800 eshtra,” shpjegon Murati.
Identifikimi i eshtrave do të jetë procesi për të cilën pala shqiptare do të jetë shumë e vëmendshme. Drejtori i agjencisë garanton që historia e Boboshticës, ku në vjeshtën e vitit 2010 banorët denoncuan dhunimin e varreve më qëllimin ngritjen e një memoriali për ushtarët greke, nuk do të përsëritet.
Do të verifikojmë eshtrat e gjetura edhe nëpërmjet analizave të ADN-së. Ndaj procesi po ndiqet nga disa grupe të mjekësisë ligjore, qoftë nga pala greke ashtu dhe nga shqiptar,” shtoi Murati, sipas të cilit shpenzimet do të mbulohet nga shteti greke.
Pala shqiptare ka detyrimin të sigurojë kushteve logjistike, si ujë dhe drita. Vendet se ky do të gërmohet për gjetjen e ushtrave të rënë grekë është një tjetër pikë e pazgjidhur në marrëveshjen e shkruar nën nëntorit të vitit 2017.
“Do të përcaktojmë një grafik se ku do të duhet të vijohet të gërmohet pas Dragotit. Dhe kjo është një çështje që do të diskutohet me palën greke,”- shpjegon Drejtori i Agjencisë.
Nuk ka as edhe një datë se kur to të përfundojë procesi.
“Nuk kemi parashikuar afat sepse nuk dimë se si do ecin gërmimet. Ne tentojmë të përfundojmë sa më shpejt. Por nuk mund të vendosim kufij kohore”- vijon Murati.
Drejtori i agjencisë thotë se çështja e “varrezave ” do të jetë e mbyllur kur pala greke të mos kenë më asnjë pretendim për gjetjen e eshtrave të ushtrave të tyre.
Varrezat rrezikojnë
Kronikat historike flasin për beteja të ashpra mes ushtrisë italiane dhe asaj greke përreth malit të Trebeshinës, Dhëmbelit, Golikut, e deri në luginën e Zagorisë.
Pala greke vlerëson se në këto bëtaja janë vrarë 12 mijë ushtarë, dhe sipas Muratit insiston në gjetjen e tyre.
“Ata pretendojnë rreth 12 mijë ushtarë të vrarë por nuk mund të jenë kaq. Gjithsesi gërmimet do të vijojnë në bazë të një grafiku që do e përcaktojmë hap pas hapi,” tha ai.
Murati mbështetet dhe nga historiani Pëllumb Xhufi, i cili shprehet se numri i ushtarëve grekë të rënë në trojet shqiptare nuk i kalon të 3 mijë të vrarë.
“Nuk qe beteja e Stalingradit por ka qenë një luftë guerile dhe numri i të rënëve ka qenë i pakët. Ka zëra që thonë se janë vrarë jo më shumë se 3 mijë ushtarë,” tha Xhufi.“Nuk bëhet fjalë për reparte brigade apo batalione, megjithëqë ka ushtarë të rënë që meritojnë të kenë një varr,” shtoi ai.
Sipas Xhufit referencat ndërkombëtare do ishin shembulli për zgjidhjen e kësaj çështje të debatuar që në vitet 90-të.
Ngritja e një memoriali simbolik në ndër të të rënëve dhe dërgimi i eshtrave në Greqi, sipas historianit do të ishte marrëveshja më e mirë mes palëve. Marrëveshjen e firmosur në Kretë nëntorin e vitit të shkuar, Xhufi e konsideron si të gabuar.
“Ndërtimi i varrezat e tilla masive, në territore të caktuar, në një linjë të caktuar, ku do të ketë dhe hotele pasi parashikohen të vijnë edhe pelegrinë, mund të mbarti një rrezik. Nesër, mund të ndodhi ndonjë incident dhe palës greke i lind ideja të vendosë ushtarët e saj në mbrojte të këtyre monumenteve,” paralajmëroi historiani.
Pelegrinazhi
Më 28 tetor të këtij viti në Shqipëri pritet të organizohet ceremonia e parë zyrtare në nder të ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore.
Ceremonia zyrtare do të zhvillohet në varrezat e fshatit Bularat të bashkisë Dropull, për të cilat në dhjetor të vitit të shkuar qeveria vendosi t’i japë statusin “varrezë historike”. Bekim Murati thotë se në marrëveshje është përcaktuar që ceremonitë në nder të ushtarëve të rënë të zhvillohen në ditën kombëtare të Greqisë.
Në një pjesë të marrëveshjes është shkruar kur dhe si duhet të nderohen ushtarët e rënë në luftën Italo-Greke. Ata do të nderohen me një pelegrinazh në ditën e festës kombëtare Greke, në çdo 28 tetor. Fillimisht ceremonia do të jetë në Bularat, por do të bëhen nderime edhe në ato vende ku do të ndërtohen varreza për eshtrat e ushtarëve që do të gjenden.
Zhvillimi i ceremonive zyrtare në nder të ushtarëve grek është përcaktuar edhe me një vendim qeverie, të miratuar më 13 dhjetor të vitit 2017. Në këtë vendim që mban firmën e kryeministrit Rama, ngarkohet Ministria e Mbrojtjes të organizojë ceremonitë zyrtare në nder të rënëve grekë të luftës.
“Ministria e Mbrojtjes, në zbatim të pikës 8, të nenit 1, të marrëveshjes, të organizojë, në bashkëpunim me palën greke, ceremonitë zyrtare në përkujtim të rënëve në luftë, çdo vit, në datën 28 tetor,” thuhet në vendimin që mban firmën e kryeministrit Rama.
Bekim Murati thotë se ende nuk është vendosur se sa varre masive do të ndërtohen për t’u prehur ushtarët e rënë në trojet shqiptare gjatë luftës Italo-Greke. Sipas tij kjo do të jetë një çështje që do të diskutohet hap-pas hapi, në vartësi edhe të eshtrave që do të gjinden gjatë gërmimeve.
Në marrëveshjen e vitit 2009, të nënshkruar me palën greke nga qeveria Berisha parashikoheshin ndërtimi i pesë varrezave monumentale.
Për historianin Pëllumb Xhufi ndërtimi i varrezave monumentale është një nga pikat që duhet të kishte kundërshtuar pala shqiptare, meqenëse çështja u rinegociua.
“Pretendimi i palës greke ishte që të ndërtonte 5 varreza monumentale. Dëgjova kryeministrin Rama që tha jo. Ky është një farë ngushëllimi,” tha Xhufi.
“Deri më tani kjo qeveri mund të justifikohet se po bën më mirë atë që ishte nënshkruar, por lind pyetja pse nuk u kundërshtua ndërtimi i më shumë se një varreze monumentale. Por askush nuk është i pastër në këtë histori” shtoi historiani.
Ndërtimi i varrezave për ushtarët greke është kontestuar edhe nga Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet. Përkrahësit e kësaj force politike kanë organizuar disa protesta.
Ndërkohë Auron Tare, një ekspert i trashëgimisë kulturore, e sheh këtë marrëveshje si një mundësi zhvillimi për banorët e zonës dhe turizmit në vend.
“Ideja është ndërtimi i një itinerari historik i frontit të luftës, që fillon në Himarë, Kurvelesh, gryka e Këlcyrës, e Zagorisë dhe Përmet. I gjithë ky itinerar të pajiset me tabela informuese mbi ngjarjet më të rëndësishme të luftës, vendndodhjen e trupave, betejat e përgjakshme, apo dhe sendet që kanë mbetur nga ajo kohë,” tha Tare.
“Në Golik ka akoma transhe dhe vende ku janë mitralozat në pozicione lufte dhe helmeta të ushtarëve. Pra e tëra bëhet një muze i hapur ku njerëzit njihen me luftën, ecin ne itinerarin e planifikuar dhe e gjitha kjo është një mundësi punësimi dhe të ardhurash për banorët e zonës,” përfundoi ai.(Birn)