Tenori legjendar italian Andrea Bocelli ka reaguar pas komenteve të aktorit Timothée Chalamet lidhur me operën dhe baletin, duke thënë se shpreson që një ditë aktori të ndryshojë mendim për këto forma arti.
Në një intervistë ekskluzive për People, Bocelli u shpreh se u surprizua kur dëgjoi se Chalamet kishte bërë një koment kritik për operën dhe baletin gjatë një aktiviteti në shkurt, ku aktori i përshkroi këto arte si forma për të cilat “askush nuk interesohet”.
Sipas këngëtarit italian, shpesh njerëzit mbajnë distancë nga gjërat që nuk i kanë përjetuar ende.
“Besoj se shpesh priremi të qëndrojmë larg nga ajo që nuk e kemi njohur vërtet. Opera dhe baleti janë forma arti që kanë kaluar shekuj dhe vazhdojnë të flasin me zemrën e njeriut, sepse i përgjigjen nevojës së thellë për bukuri, të vërtetë dhe emocion,” u shpreh Bocelli.
Ai shtoi se këto nuk janë arte të së kaluarës, por gjuhë të gjalla që vazhdojnë të prekin njerëzit dhe të bashkojnë breza të ndryshëm.
Tenori i njohur, i cili konsiderohet një nga artistët që ka ndihmuar në popullarizimin e muzikës klasike në mbarë botën, tha se shpreson që Chalamet një ditë ta shohë operën dhe baletin ndryshe.
“Jam i bindur që një artist i ndjeshëm si Timothée, i cili e kupton fuqinë e emocioneve, mund të zbulojë një ditë se opera dhe vallëzimi burojnë nga i njëjti burim emocionesh,” tha ai.
Madje Bocelli i bëri edhe një ftesë publike aktorit të njohur të filmit Marty Supreme.
“Nëse ndonjëherë do të jetë kurioz, do të isha shumë i lumtur ta mirëprisja si mysafir në një nga koncertet e mia. Ndonjëherë mjaftojnë vetëm disa minuta për të dëgjuar këtë muzikë live për të kuptuar pse, edhe pas shekujsh, ajo vazhdon të dashurohet në të gjithë botën,” u shpreh këngëtari.
Komentet e Bocellit vijnë në mes të kritikave që Chalamet ka marrë në rrjetet sociale dhe në botën e artit pas deklaratës së tij për operën dhe baletin.









