Migert Memisha është një arbitër i ri nga Gjirokastra që FSHF e ka përdorur në kampionatet e Kategorisë së Dytë dhe të moshave. Më 21 tetor të këtij viti, ai u bë protagonist me një bilbil, jo duke gjykuar në fushë, por nga shkallët e stadiumit. Pasi i fryu bilbilit, shkaktoi një rast të paprecedentë në fushë në takimin Luftëtari-Kukësi 0-3, i luajtur në Gjirokastër gjatë fazës së parë të këtij sezoni.
Mirëpo, i kryqëzuar për atë veprim dy muaj më parë, dje Memisha, kur mësoi se Luftëtari kishte fituar 1- 2 në Kukës, ndjeu një lloj hakmarrjeje brenda vetes. Menjëherë gjyqtari gjirokastrit i shkruaji në “Facebook” shefit të klubit bluzi, Gentian Nora, i cili në rrjetin social përdor emrin Antonio.
Komenti
“Ishte për mua kjo fitore. Ju lumtë, le të pllakosë heshtja 72 orë Antonio Nora”, ishte reagimi i arbitrit të kolegjiumit të Gjirokastrës, që u shoqërua nga të qeshurat e Norës.
ÇFARË NDODHI – Në minutën e 20- të të ndeshjes Luftëtari-Kukësi, luajtur më 21 tetor në Gjirokastër, një top i gjatë nisur nga mbrojtja e Kukësit gjen Gurin në qendër të zonës së Luftëtarit. Por, një bilbil i rënë nga pjesa e tifozëve që ndodheshin në tribunën A, ka bërë që sulmuesi të mendojë për pozicion jashtë loje dhe të lërë topin, që shkon në këmbët e kapitenit të vendësve, Beqiri.
Ky i fundit mundohet t’ia japë portierit, por gjyqtari Andi Koçi dhe anësori nuk sinjalizojnë asgjë. Menjëherë Guri kupton se nuk kemi të bëjmë me pozicion jashtë loje dhe ia largon topin nga këmba lojtarit të Luftëtarit, duke dhënë një asist për Bakajn, që gjuan saktë dhe shënon.
Lojtarët e Luftëtarit protestojnë, ndërsa gjyqtari akordon për gol të rregullt, por që duhet të vepronte ndryshe. Në lidhje me këtë rast, rregullorja e arbitrimit thotë shprehimisht: “Kur një spektator i fryn bilbilit dhe ndërhyn në rrjedhën lojës, loja ndalet dhe rifillon me top të diskutueshëm”.
Për atë që ndodhi, arbitri Memisha u shoqërua në polici, ku deklaroi: “I rashë bilbilit se m’u duk si pozicion jashtë loje. Nuk kisha asnjë qëllim tjetër. Nuk e mendoja kurrë se do të ndodhte ajo që ndodhi. U kërkoj ndjesë të gjithëve”.