“Big Brother Fan Club” hyn në edicionin e tij të pestë me një formacion që ka ndezur menjëherë entuziazmin e publikut. Top Channel ka zbuluar zyrtarisht ekipin drejtues të programit përmes një videoje promocionale kreative, e ndërtuar si një bisedë në grup në WhatsApp, duke konfirmuar zërat që qarkullonin prej ditësh.
Në krye të programit do të jetë Kiara Tito, e cila merr rolin e moderatores, ndërsa në krah të saj rikthehet Arjan Konomi.
Lajmi që ka shkaktuar reagimin më të fortë në rrjet është padyshim rikthimi i Arjan Konomit në Top Channel, pas rreth tre vitesh mungesë. Ish-opinionisti i “Big Brother” dhe “Për’puthen” rikthehet në ekranin ku u shndërrua në një nga zërat më të komentuar, duke sjellë sërish stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe pa kompromis.
Largimi i Konomit nga Top Channel në atë kohë kishte ngjallur shumë diskutime. Vetëm së fundmi, ai vendosi të flasë hapur për këtë episod në podcastin e Arbana Osmanit, ku zbuloi se gjithçka nisi nga një postim në Instagram, në të cilin kritikonte nivelin e opinionistëve të “Big Brother VIP” të asaj periudhe.
“Më kërkuan ta fshija postimin, por unë refuzova. U thashë se mendimin tim nuk e heq,” tregoi Konomi, duke shtuar se vendimi për t’u larguar erdhi si pasojë e mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe integritetit të tij profesional.









