Dy inxhinierë janë arrestuar nga Krimi Ekonomik në Vlorë, ndërsa janë shpallur në kërkim pronari dhe administratori i një kompanie.
Policia njoftoi se gjatë kontrollit u konstatua se kjo kompani po ndërtonte një impiant gazi (TEC), në pronë publike, pa leje ndërtimi dhe zhvillimi nga organet kompetente.
Mbi rastin kanë reaguar avokatët e “Delvina Gas Company”. Ata bëjnë me dije se Impianti i Pastrimit nuk është TEC, por është pjesë integruese e pusit të gazit në
Vendburimin e Delvinës.
“Ky impiant pastrimi ka 3 vjet që ka përfunduar ndërtimin dhe dy inxhinierët ishin thjesht mirëmbajtës të impiantit të pastrimit, i përfunduar tashmë së ndërtuari kohë më parë. Shoqëria “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj ka zbatuar çdo detyrim dhe rregullore duke ju përmbajtur hap pas hapi kuadrit ligjor në fuqi në sektorin hidrokarbur”, thuhet në njoftim.
Reagimi i plotë:
Shoqëria “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj, është një shoqëri e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit si degë e një shoqërie të huaj, konkretisht shoqërisë “Delvina Gas Company” Ltd, me seli në British Virgin Islands (BVI).
Aktiviteti i shoqërisë “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj ushtrohet në Vendburimin e Delvinës në bazë të të drejtave dhe detyrimeve që i janë lëshuar nëpërmjet Marrëveshjes Hidrokarbure “Për prodhimin, zhvillimin dhe kërkimin e hidrokarbureve në Vendburimin e Delvinës” (hyrë në fuqi me VKM Nr.509, datë 08.08.2007), Instrumentit të Transferimit datë 22.08.2016, si dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të fushës së hidrokarbureve në Republikën e Shqipërisë.
Për nga natyra e llojit të aktivitetit të funksionimit të marrëveshjeve hidrokarbure, ky aktivitet, është ushtruar përherë në zbatim të çdo rregulloreje dhe detyrimi që buron nga Marrëveshja dhe Licensë Marrëveshja për Vendburimin e Delvinës, duke zbatuar me përpikmëri Programet e Punës dhe Buxhetit, si dhe Planit të Zhvillimit të vendburimit, programe këto që miratohen përherë nga partnerët tanë, dhënës së të drejtave të operimit në Vendburimin e Delvinës, shoqëria “Albpetrol” sh.a., Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore.
Për të vijuar, duke ju referuar edhe Nenit 2.2, gërma “c” të Marrëveshjes Hidrokarbure të Vendburimit Delvinë (i cili në vetvete referon te Seksioni 3.2 i Licencë Marrëveshjes për Vendburimin Delvinë), përcaktohet e drejta e shoqërisë “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj, si mbajtëse e të drejtave dhe detyrimeve të operimit në Vendburimin e Delvinës, për të ndërtuar dhe instaluar të gjitha mjetet dhe pajisjet (duke përfshirë grumbullimin, trajtimin, tubacionet dhe mjetet e tjera të transportit) të kërkuara për operacionet hidrokarbure.
Në bazë të pikës 35 të Nenit 2 të Ligjit Nr. 7749, datë 28.07.1993 “Për Hidrokarburet”, i ndryshuar, citohet shprehimisht se: “Zhvillim” është ndërtimi dhe instalimi i pajisjeve për prodhimin e hidrokarbureve dhe shpimi i puseve të shfrytëzimit, në zbatim të Marrëveshjes Hidrokarbure përkatëse dhe në përputhje me një plan zhvillimi të miratuar. (të cilin e disponojmë)
Për sa më sipër, duke qenë se dy media të mëdha tashmë e kanë bërë lajm, duam të theksojmë se Impianti i Pastrimit nuk është TEC, por është pjesë integruese e pusit të gazit në Vendburimin e Delvinës. Ky impiant pastrimi ka 3 (tre) vjet që ka përfunduar ndërtimin dhe dy inxhinierët ishin thjesht mirëmbajtës të impiantit të pastrimit, i përfunduar tashmë së ndërtuari kohë më parë. Shoqëria “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj ka zbatuar çdo detyrim dhe rregullore duke ju përmbajtur hap pas hapi kuadrit ligjor në fuqi në sektorin hidrokarbur.









