Policia greke ka arrestuar 30 persona, 20 prej të cilëve shqiptarë për disa vjedhje të pasagjerëve në transportin publik. Përveç shqiptarëve në pranga janë vënë edhe 8 pakistanezë, 1 rumun dhe 1 nga Bangladeshi. Njëkohësisht janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim edhe 9 persona të tjerë.
Ata funksiononin si një grup i strukturuar kriminal që prej tetorit të vitit 2021 dhe kishin role të ndara. Grabitësit zgjidhnin zakonisht mjetet e transportit publik me më shumë pasagjerë në orët me më shumë fluks.
Shqiptarët dhe bashkëpunëtorët e tyre zgjidhnin zona ku nuk kishte kamera sigurie dhe përdornin shprehje të koduara në komunikimet e tyre telefonike. Pas vjedhjeve paratë i ndanin me njëri tjetrin. Nga hetimet e deritanishme janë provuar 81 vjedhje ndërsa shuma e parave të grabitura shkon deri në 50 mijë euro.
Në kontrollet e kryera në 20 shtëpi të anëtarëve të organizatës kriminale dhe në dy dyqane janë gjetur dhe sekuestruar 10 laptopë, 83 celularë, 11 ora, 5 kuleta, 3 çanta, byzylyk femrash me vlerë 3070 euro, 5 automjete, 2 motoçikleta, celularë, tabletë dhe laptopë, si dhe një sërë dokumentesh, shënime të shkruara me dorë dhe fatura të transportit publik.