Britney Spears është arrestuar më 4 mars nën dyshimin për drejtim mjeti në gjendje të dehur (DUI). Këngëtarja u ndalua nga policia në mbrëmje dhe u lirua në orët e para të mëngjesit të 5 marsit, sipas të dhënave të zyrës së sherifit të Ventura, raportuar nga TMZ.
Pas ndalimit, artistja u dërgua edhe në spital për të përcaktuar nivelin e alkoolit në gjak. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në media dhe rrjete sociale.
Përmes një deklarate për revistën People, përfaqësuesi i Spears e cilësoi incidentin si “fatkeq dhe të pajustifikueshëm”. Ai theksoi se këngëtarja do të bashkëpunojë me autoritetet dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përmirësuar situatën e saj.
Sipas të njëjtës deklaratë, Spears pritet të kalojë më shumë kohë me dy djemtë e saj, Sean Preston (20 vjeç) dhe Jayden James (19 vjeç), të cilët i ka nga martesa me ish-bashkëshortin Kevin Federline. Familjarët e saj thuhet se po punojnë për një plan mbështetjeje që do ta ndihmojë këngëtaren të përqendrohet te mirëqenia dhe stabiliteti i saj.
Marrëdhënia e Spears me djemtë ka qenë e tensionuar prej vitesh, sidomos pas përfundimit të kujdestarisë ligjore 13-vjeçare në vitin 2021. Në librin e tij të publikuar në vitin 2025, Federline bëri disa pretendime të forta për gjendjen e saj, të cilat Spears i ka mohuar duke i quajtur “gaslighting”.
Këngëtarja është shprehur se gjithmonë ka dëshiruar të ketë një marrëdhënie të afërt me djemtë e saj dhe se shpreson që situata të përmirësohet.








