Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar së fundmi dy tendera të rinj në Agjencinë e Prokurimeve Publike, që lidhen me supervizimin e punimeve në dy projekte të rëndësishme infrastrukturore: zgjerimi i superstradës Tiranë–Durrës (Faza III) dhe ndërtimi i By-Pass-it të Sarandës (Faza I).
Tenderi me objekt “Supervizion punimesh, ndërtim i By-Pass-it Sarandë, Faza I”, ka një fond limit prej 17.1 milionë lekësh. Segmenti i ri rrugor do të ketë një gjatësi prej 3,115 metrash linearë, dhe do të lidhet në mënyrë funksionale me “Rrugën e Gjashtës”. Më tej, traseja përfshin ndërtimin e një tuneli me gjatësi 730 metra, i cili do të dalë në anën tjetër të kodrës dhe do të lidhet me rrugët ekzistuese SH8 dhe “Kardhiq–Delvinë”.
Në fillim të projektit është parashikuar edhe një zgjidhje alternative planimetrike në lidhje me “Rrugën Skënderbeu”, me qëllim shmangien e prishjes së objekteve ekzistuese.








