Nga Dritan Hila
Nuk mungoi as këtë herë bateria e PR-it të opozitës për të bërë të paqenë ftesën e Donald Trump për të qenë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, dhe pasi u ndodhëm përballë faktit, nisi fushata për zhvlerësimin e kësaj ftese. Në fakt është propaganda më naive që nuk pi më ujë as te fanatikët e Berishës që janë të dëshpëruar.
Në planin e politikës së brendshme kjo ka vlerë vetëm për të zeruar propagandën e barazimit të situatës së Berishës që vazhdon dhe është i dënuar në Britani për lidhje me elementë kriminalë dhe trafikantë, si dhe non-grata në SHBA, dhe Ramës që merr një ftesë personale. Ndaj dhe Rama vazhdon dhe tallet me këtë pjesën e zhgarravitësve paraurbanë të Berishës që i mendojnë shqiptarët të barabartë me trurin e tyre.
Kurse vetë Berisha e ka të qartë që kjo ishte një goditje e rëndë për vetë atë. Ende miliona dollarët e paguar nuk po japin rezultat, qoftë edhe sa Dodiku në Bosnjë.
Sa i takon Ramës, e ka kapur demin për brirësh. Broçkulla se kjo është një ftesë e prodhuar pa dijeninë e Trump-it, nga Tony Blair, është e trashë.
Nuk është çudi që Bler të jetë rekomandues tek ekipi i Donald Trump. Natyrisht që dikush e kalon emrin kur bëhen listat e njerëzve të pranueshëm si bashkëbisedues. Por kjo e ka një bazë dhe ka lidhje me qenien e Ramës të pranueshëm për të dyja palët, palestinezë dhe izraelitë. I tillë për shembull ishte Erdogani, një politikan i cili u përpoq për armëpushim dhe strehoi udhëheqës të Hamasit, por njëkohësisht marrëdhëniet ekonomike me Izraelin nuk njohën lëkundje. Çdo ditë 27 anije turke përpunoheshin në portin e Haifas.
Edhe Rama është i kësaj valence. Ai është shef i një shteti që e njeh Palestinën. Njëkohësisht Shqipëria është anëtare e Konferencës Islamike. Faktor shtesë që të shikohet me besim nga arabët është fakti se përfaqëson një shtet me gjysmën e popullsisë myslimane.
Ndërkohë Shqipëria ka me Izraelin raporte të shkëlqyera për shkak të marrëdhënieve humane me hebrenjtë që nga Lufta e Dytë Botërore. Vetë Izraeli është një përkrahës dhe njohës i Republikës së Kosovës. Po ashtu anëtarë të lobit të tij në SHBA janë sponsorë të kësaj republike që nga bombardimet e Serbisë. Vetë Rama ka qenë iniciator për rritjen e marrëdhënieve reciproke, si në fushën ekonomike, ashtu edhe në atë kulturore. Së shpejti në Vlorë do hapet muzeu i tyre, që do jetë jo vetëm një tregues i historisë dhe rolit që kanë pasur hebrenjtë në Shqipëri, por edhe shenjë e një miqësie që nuk ndryshket, sidomos në këtë valë antisemitizmi që ka përfshirë botën.
Vetë hebrenjtë me prejardhje shqiptare nuk i kanë humbur lidhjet me vendin e origjinës dhe janë një faktor bashkimi. Shqipëria ndërkohë është ndër vendet ku edhe së fundmi hebrenjtë nuk kanë pasur sulme fizike apo përndjekje. Të gjitha këto janë shënuar në fletën e prezantimit të Ramës dhe arsyet pse do jetë pjesë e këtij Bordi. Arsye që janë pranuar nga të dyja palët në konflikt.
Kjo vlen për Shqipërinë. Pastaj pazari i gjësë së gjallë në median shqiptare do vazhdojë, ku gazetarët ruralë të Berishës do shpjegojnë se ky është një vend i drogës dhe i bojkotuar nga SHBA-të, se Rama ka paguar para apo do na sjellë palestinezë, por pa sqaruar pse shefi i tyre është i dënuar në Britani për lidhje me elementë kriminalë dhe i padëshiruar në SHBA./dritare.net









