Akademiku Artan Fuga foli në A2 CNN, ku komentoi protestën e mbajtur këtë të enjte pas ngjarjes tragjike të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. Fuga e cilësoi reagimin publik si të pamjaftueshëm dhe konfuz, duke theksuar se nuk u kuptua qartë se çfarë kërkohej nga protesta.
“Ishte një rast shumë i dhimbshëm, një fenomen që prek të gjithë shoqërinë, veçanërisht jetën e fëmijëve dhe adoleshentëve,” u shpreh ai.
Sipas akademikut, platformat mediatike dhe rrjetet sociale shpesh krijojnë një ndjesi të rreme veprimi. “Duke u shprehur në media, njeriu mendon se ka vepruar, por në realitet, reagimi shoqëror duket si i mpirë,” shtoi Fuga, duke kritikuar mungesën e një proteste më të fuqishme. Ai krahasoi këtë situatë me atë që do të ndodhte jashtë vendit, ku një ngjarje e tillë do të kishte shkaktuar reagime të jashtëzakonshme, tha ai.
Fuga theksoi se ky nuk është një problem që prek vetëm shkollën “Fan Noli” apo Ministrinë e Arsimit, por një çështje shumë më e gjerë që reflekton mangësi në disa nivele të shoqërisë dhe institucioneve. Ai bëri thirrje për një reflektim të thellë dhe reagime më të fuqishme për ngjarje që prekin jetën dhe sigurinë e fëmijëve në Shqipëri.