Ndryshe nga një vit më parë, Kristjan Asllani mbylli një sezon me më shumë minuta tek Interi.
Mesfushori shqiptar ishte zgjedhje e dytë pas Hakan Çalhanoglu dhe e zëvendësoi denjësisht, kur futbollisti turk mungonte.
Megjithatë, përsëri minutat nuk ishin të mjaftueshme, për një lojtar të ri në moshë dhe që synon të rritet.
Interesimet për Asllanin kanë qenë të shumta, nga Italia, por edhe nga kampionate të tjera. Para pak kohësh u përfol për interesim të Aston Villa-s, ndërsa në garë ishte edhe Atalanta.
Madje, klubi bergamask, sipas mediave italiane, kishte gati edhe një ofertë prej 25 milionë eurosh për shqiptarin, por për Interin, shifra ishte shumë e ulët.
Kampionët e Italisë mund ta përdorin mesfushorin për të afruar mbrojtësin e Torinos, Alesandro Buongiorno.
Thuhet se drejtori Bepe Marota, e vlerëson Asllanin 30 milionë euro dhe po mendon ta fusë në tratativa për të ulur çmimin e mbrojtësit të sipërpërmendur.
Vetë Asllani është kundër kalimit te Torino. Lojtari nuk dëshiron të largohet nga Interi, por nëse e bën, atëherë synimi është të kalojë në një skuadër të madhe, pasi beson që i ka aftësitë për të luajtur në nivele të larta.
Ashtu si një vit më parë, edhe në merkaton e kësaj vere, emri i 22-vjeçarit pritet të jetë shumë i lakuar.








