Nga një nisje e vështirë drejt një forme që po merr përmasat e një skuadre të konsoliduar, Egnatia po tregon se edhe kur nuk fiton, mbetet e qëndrueshme dhe konkurruese.
Barazimi i fundit ndaj Dinamos në shtëpi nuk është parë si dramë në kampin e kampionëve, edhe pse i dha fund një serie prej katër fitoresh radhazi në kampionat. Për trajnerin Edlir Tetova dhe grupin e tij, më e rëndësishme se rezultati i një ndeshjeje të vetme është fakti që skuadra ka hyrë në ritmin e duhur, me identitet të qartë loje dhe qëndrueshmëri në performancë. Në një kampionat të gjatë dhe të lodhshëm, luhatje të vogla janë të pashmangshme, por ajo që e dallon këtë Egnatia është mënyra si i përballon ato. Barazimi me Dinamon, më shumë sesa një ndalesë, u pa si një sinjal maturie, një tregues se skuadra nuk e humbet qetësinë edhe kur përballet me vështirësi. Aktualisht, rrogozhinasit qëndrojnë në valën e skuadrave të kreut, në vendin e dytë, vetëm dy pikë larg Vllaznisë, që ndodhet në krye pas një serie rezultatesh mbresëlënëse.
FILLIM I MBARË – Nëse do të krahasojmë ecurinë e Egnatias në sezonet e fundit, ky është starti më i mirë i pesë viteve të fundit që anë pjesë e elitës. Pas shtatë javësh kampionat, rrogozhinasit kanë grumbulluar 14 pikë, një kuotë që asnjëherë më parë nuk e kishin arritur në këtë fazë të sezonit. Një vëzhgim i “Panorama Sport” tregon se edhe pse Egnatia e këtij sezoni ka vetëm një humbje, paradoksalisht ajo nuk ndodhet në vendin e parë, për arsye se Vllaznia po zhvillon një kampionat të jashtëzakonshëm, përfshirë edhe fitores ndaj vetë kampionëve në Shkodër.
Në dy sezonet e fundit, që përfunduan me kurorëzimin si kampionë të Shqipërisë, Egnatia kishte bërë nisje më të ngadalta. Në sezonin 2024-2025, pas shtatë javësh kishte vetëm 11 pikë dhe ndodhej në vendin e katërt, ndërsa në sezonin 2023- 2024 kishte 13 pikë dhe pozicionohej në vendin e parë. Edhe pse në atë kohë fillimet ishin të qeta, skuadra e Tetovës tregonte forcë në fazën e dytë dhe të tretë të kampionatit, duke përmbysur gjithçka.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









