Atalanta e Gjimshitit shkëlqen në Champions, thyen 2-1 me përmbysje Chelsea-n, del me 3 pikë nga Bergamo duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimin. 13 pikë në 6 javë shifra fantastike që e vendosin Atalantën provizorisht në vendin e 3-të, ndërsa Chelsea zbret në vendin e 11-të.
Ekipi i Maresca-s e nisi ndeshjen në sulm duke gjetur golin e avantazhit në minutën e 25-të, me Joao Pedro që devijoi në rrjetë asistin e James. Gjyqtari i takimit i anuloi fillimisht festën, pasi e konsideroi pozicion jashtë loje, por me ndihmën e sistemit VAR la në fuqi golin e Joao Pedro-s. Në fraksionin e dytë, Atalanta mori kontrollin e lojës dhe në minutën e 55-të, Scamacca me kokë konvertoi në gol krosin perfekt të De Ketelaere. Fantazisti belg u shndërrua në protagonistin kryesor të kësaj mbrëmje pasi në minutën e 83-të me një aksion personal realizoi golin e dytë dhe të fitores duke bërë që stadiumi të shpërthente në festë.
Titullar dhe 90-minuta në fushë ishte dhe kapiteni kuqezi Berat Gjimshiti, i vlerësuar nga mediat me notën 7.2.
Nuk e bëri dramë këtë humbje trajneri i Chelsea-t, Enzo Marseca: “Chelsea është po i njëjti ekip, si ky sot ashtu edhe ai kundër Barcelonës. Goli i pësuar ndryshoi totalisht rrjedhën e këtij takimi, por do të përpiqemi të bëjmë më mirë”, u shpreh Maresca.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








