Skaneri me rreze X ka parandaluar një atentat të planifikuar ndaj Ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schauble. Një pako me eksploziv u gjet në Ministrinë e Financave dhe sipas njoftimit të policisë, pakoja i ishte drejtuar ministrit.
Skaneri tregoi telat që dilnin nga nga pakoja e dyshimtë. Policia gjermane ka konfirmuar se “paketa e dyshimtë”, përmbante eksploziv.
Policia shkroi në Twitter se pakoja u gjet në orën 9:30 paraditen e sotme dhe disa punonjës madje u evakuuan nga ndërtesa.
Ekspertët thanë se pas një hetimi paraprak, pakoja përmbante një përzierje eksplozivash, që zakonisht përdoret për të prodhuar fishekzjarrë.
Një deklaratë zyrtare e policisë tha se ajo ishte projektuar për të shkaktuar “dëmtime të konsiderueshme, sapo të hapej pakoja”.
Pakoja u dërgua më pas në ndërtesën e Policisë Kriminale të Shtetit për hetime të tjera nga ekspertët anti-eksplozivë.