Një atentat mafioz ndodhi pasditen e kësaj të premte në mbikalimin e Shkozetit. Shënjeshtra mendohet se ishte prokurori Arjan Ndoja ose personi me precedentë penalë që ishte në makiën e tij. Ndoja së bashku me dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Njëri ishte shoferi i tij, 30-vjecari Andi Maloku, ndërsa personi tjetër ishte 40-vjecari Aleksandër Laho, i njohur ndryshe edhe si Landi Muharremi apo i “tmerrshi i Sukthit”. Prokurori Ndoja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Aleksandër Laho dhe shoferi Andi Maloku janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dyshimet për ngjarjen
Është ende e paqartë nëse shënjeshtra e këtij atentati mafioz ka qenë prokurori Arjan Ndoja apo “i tmerrshmi” i Sukthit, Landi Muharremi. Ky i fundit dyshohet si personi që ka rrahur brutalisht biznesmenin libanez Faadi Mitri për tokat në Gjirin e Lalzit ku ai po ndërtonte një resort turistik. Ndërkohë edhe prokurori Arjan Ndoja, ka qënë së fundmi në qendër të sulmeve të qeverisë, për shkak se arrestoi drejtorin e Kadastrës së Durrësit, pikërisht lidhur me një regjistrim të një prone në zonën e çmuar të bregdetit, në Lalëz. Pra, ka mundësi që cështjet për pronat në bregdetin e Gjirit të Lalzit të jenë motivet e këtij atentati mafioz të mirëorganizuar.
Sulmet e Ramës për prokurorin
Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Brace e kanë sulmuar publikisht para tre javësh prokurorin Arjan Ndoja.
“Javën e kaluar, një rast flagrant i shkeljes së ligjit, transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë në përfaqësues të interesave të krimit që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit. Fatkeqësisht po shohim që pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ të përkohshëm por shumë të rëndë mbi qytetarët, sepse shumë prokurorë dhe gjykatës që janë të zhytur deri në fyt dhe që e dinë shumë mirë që s’kanë asnjë shans që ta kalojnë Vettingun, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton ‘të kapim ça të kapim’. Ndërtimi i një sistemi të ri drejtësie kërkon kohë”, shprehej Rama teksa theksonte se prokurori Arjan Ndoja punon për bandat.
Në të njëjtën gjatësi vale kanë qenë edhe sulmet e zv.kryeministrit Erion Brace.
Kush është prokurori Arjan Ndoji
Megjithatë, krahas pretendimeve të ngritura nga dy eksponentët e qeverisë, disponohen disa fakte që dëshmojnë shkeljet e mëparshme të Ndojas me detyrën. Më 19 korrik 2018, Ilia Ilia, avokati që ka mbrojtur Lul Berishën u dhunua fizikisht nga dy persona teksa po dilte nga Gjykata. Avokati akuzoi se pas ngjarjes fshihej prokurori Ndoja, me të cilin ka debatuar gjatë një seance gjyqësore.
“Kam dalë nga seanca gjyqësore e Gjykatës së durrësit rreth orës 10:30 dhe po ikja nga Prokuroria. Më del një person përpara dhe më thotë ti je ai që i ke bërë karshillëk prokurorit Arjan Ndoja dje në seancë gjyqësore, ke bërë të fortin. I thash kush je ti, ai më ofendoi, i ktheva të njëjtën përgjigje. Jam goditur nga ky dhe personi tjetër që erdhi. Dje në seancë gjyqësore më kanosi prokurori.”-u shpreh avokati Ilia.
Nga ana tjetër edhe tek atentati i sotëm, të qënit në një makinë me Landi Muharemin, person me precedentë penalë, e kompromenton punën e prokurorit Arjan Ndoja. Ky i fundit raportohet gjithashtu edhe për një pasuri të “frikshme”, që nuk justifikohet dot me të ardhurat e tij si prokuror.
Forcat RENEA nisën menjëherë pas ngjarjes të krehin zonën rreth Durrësit për kapjen e autorëve të atentatit. Raportohet se deri më tani ka vetëm një person të ndaluar si i dyshuar. Policia doli me një njoftim paraprak për ngjarjen e rëndë. Ndërkohë që në Shkozet shkuan edhe drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe prokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Njoftimi i policisë
Ne aksin rrugor Durrës – Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, rreth orës 16:30, në afërsi të vendit të quajtur “Mbikalimi i Shkozetit” kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me targa AA 333 ZD, e për pasojë janë plagosur shtetasit A.L., 48 vjeç, A.N., 44 vjeç dhe A.M., 30 vjeç.
Shtetasi A.M. është nisur për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa dy shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Durrësit është vënë në ndjekje të autorëve, po krihet zona dhe në të gjitha akset rrugore që lidhen me Durrësin janë ngritur pika kontrolli.
Për zbardhjen e ngjarjes është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor nga Departamenti i Policisë Kriminale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.
Policia e Shtetit fton këdo që mund të ofrojë informacion në ndihmë të hetimit të shpejtë të ngjarjes të telefonojë falas në numrin 112.
(Lapsi.al)