Policia, FNSH dhe RENEA kanë zbarkuar këtë të enjte në qytetin bregdetar të Vlorës. Mësohet se efektivët kanë ngritur postblloqe në disa pika kryesore dhe po ushtrojnë kontrolle të gjera në ambiente të ndryshme, me qëllim gjetjen e provave për atentatin ndaj Gëzim Sinomataj.
Bëhet me dije se policia është duke zhvilluar kontrolle në mjetet luksoze, kryesisht ato me xhama të zinj. Gjatë këtyre kontrolleve është arrestuar një 20-vjeçar, të cilit i është gjetur një pistoletë pa leje në makinë.
Kujtojmë që këto kontrolle vijnë pas vrasjes së Gëzim Sinomatajt. I riu ishte djali i Sokol Sinomataj, një ndër anëtarët e bandës së “Gaxhait” dhe i njohur me nofkën “buzëderri”.
Gëzim Sinomataj jetonte në Belgjikë dhe ishte kthyer në Vlorë vetëm për festat e fundvitit. Ai ka qenë duke qëndruar në sallonin e shtëpisë së tij tre katëshe, në lagjen “Hajro Çakërri”, kur është qëlluar me snajper që nga rruga duke i shkaktuar vdekjen në vend.









