Nga Ermal Begaj
Shpesh e gjejmë veten duke e sharë shoqërinë ku jetojmë, duke mallkuar fatin që marrim frymë mes saj, apo duke bërë kalkulimet e së ardhmes për të ikur njëherë e mirë nga ky vend i çartur e i dale binarësh siç shumë me të drejtë e quajnë në zemërim e sipër.
Ndodh që nga Shqipëria jonë e vogël hallemëdhe, realitetet perëndimore të ngjajnë më joshëse, me institucione më të konsoliduara dhe me raporte njerëzore mbase më të emancipuara.
Është e vërtetë që jemi një shoqëri që prodhojmë shumë kronika të trishta të cilat dashur pa dashur na vizatojnë në mendje një realitet kaotik, gati të pajetueshëm, nga ata që jo vetëm të shtyjnë për të ikur por të bëjnë gati edhe valixhen.
Por mes kësaj marrëzie kolektive ku disa flasin për çmendinën e politikës dhe ca të tjerë gjurmojnë lajmet rozë të Big Brothër, disa të rinj kanë zgjedhur të bëjnë diçka tjetër, atë që mendojmë se nuk ekziston dhe as mund të ekzistojë.
E nuk ka si ta marrësh vesh ti që je duke më lexuar sepse ky nuk është një nga ato lajmet pjellë e shernajave apo mediokritetit skalitetur ekraneve.
Ky nuk është një nga ato lajmet që ti duhet ta klikosh me doemos për të ndjekur një intrigë sesi dy vëllezër përleshen në televizor për tapinë e shtëpisë.
Ky nuk është një lajm që ti duhet ta klikosh sepse flitet për një çift televiziv që po njohin njëri-tjetrin në emission por nuk përputhen dot për shkak të disbalancës shoqërore të ndjekësve në Instagram.
Ky nuk është një lajm që të shfaqet përpara se algoritmet ta imponojnë për shkak se është bërë viral nga klikimet e panumërta të miqve të tu.
Ky nuk është një lajm që flet për Borën, Donaldin, Luizin, Edin, Saliun, Monikën, Bajramin, etj figura që mbushin e zbrazin portalet gjithë ditën.
Jo, ky nuk është një lajm që të shfaqet përpara nëse ti s’do që ta shikosh atë.
E dini për çfarë po flas?
Fjala është për një grup studentësh idelistë të universitetit “Beder” që sot janë bërë bashkë për t’i ardhur në ndihmë grave kryefamiljare që kanë nevojë për dorën e dikujt që zgjatet drejt tyre së pari për t’i dëgjuar, sensibilizuar pse jo dhe ndihmuar.
Për disa është dorë hipokrizie, për disa ama është dorë shprese, për disa janë rrecka trupi por për shumë ama janë ngrohtësi, për ca janë makarona, por për disa ama janë kafshatë, për disa janë thjesht përqafime por për disa ama janë krahë strehe. Secili zgjedh të shohë ata që do në këtë nismë, por këta student kanë zgjedhur të bëjnë atë që duhet.
Ata sot mundën të bëjnë një prezantim modest në ambjentet e shkollës ku studiojnë duke tërhequr vëmendjen e disa individëve. Pak janë kur i sheh dhe shumë pak janë kur mendon se cila kauzë i ka bërë bashkë.
Gjithësesi, disa nga aktorët e shoqërisë civile apo botës së gazetarisë ishin sot aty për ta thyer akullin e parë të indiferencës që na ka mpirë frikshëm empatinë.
Shumë më tepër mbase do të jenë nesër e pasnesër.
Por do mjaftonte qoftë edhe një person në këtë fushatë për të na treguar se gjurmë të mira për historinë institucionale nuk le vetëm emri i shënuar nëpër regjistra por edhe veprat për të frymëzuar brezat që vijnë.
Nën emërtimin “Aty për Ju”, ata sot bëjnë një ftesë publike jo vetëm për t’u bërë bashkë në mbrotje të grave kryefamiljare me solidaritetin që mundemi, por më së shumti për të ndezur dritën e mirësisë brenda këtij realiteti që fatkeqësisht kemi zgjedhur ta shohim me dëshpërim duke parë veç anën e errët të tij.
E sigurisht “Aty për ju”, vërtet të bën me turp, turp nëse nuk je me ta në emër të një misioni që sheh përtej një fushate.