Nga Ola Mitre
Viti 2024 shënoi përmbylljen e disa prej projekteve rrugore ku punohej prej vitesh, ndërsa disa të tjerë avancuan në drejtim të kryerjes së punimeve apo tenderimeve.
I konsideruar si një nga projektet më të rëndësishëm infrastrukturorë, 30 dhjetori shënoi përfundimin e Unazës së Madhe të Tiranës dhe hapjen për qarkullimin e automjeteve në gjithë segmentet e saj.
Ndërtimi i kësaj unaze, që ndryshe quhet edhe unaza e pestë e Tiranës u planifikua që në planin rregullues të vitit 1989, ndërsa punimet në segmentet e parë nisën më shumë se një dekadë më parë. Gjatë kësaj periudhe disa segmente u hapën gradualisht për lëvizjen e mjeteve, por shumë të tjerë nuk ishin ndërtuar ende duke bërë që akset të mos ishin të bashkuar me njëri -tjetrin. Pas vitit 2019 nisën punimet në disa lote të ndryshme, për të shënuar përmbylljen e gjithë aksit kryesor në fund të vitit 2024.
Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi prej 28,77 kilometrash dhe është e ndarë në 4 segmente kryesore: Unaza veriore, me gjatësi 8.52 km, unaza perëndimore me gjatë 2.34, ajo jugore prej 8.04 km dhe unaza lindore me gjatë 9.87 km. Unaza e Madhe e Tiranës u financua me fonde të nga buxheti i shtetit.
Gjatë vitit 2024 u hap për qarkullim gjatë sezonit veror edhe tuneli i Llogarasë.
“Deri në tetor do të funksionojnë normalisht, do të kemi disa kufizime përsa i përket shpejtësisë apo gjithçka tjetër. Policia do të jetë në monitorim të vazhdueshëm, në hyrje dhe dalje të tunelit. Këtë vit nuk do të aplikohet pagesa e tunelit pasi duhet të përfundojë i gjithë kantieri dhe parashikohet që të vazhdojë në vitet në vazhdim. Aplikimi i tarifës do të jetë pas vitit 2025 kur të dorëzohet ky si tunel i plotë bashkë me tunelin e emergjencës. Këtë vit do të jetë i aksesueshëm nën monitorimin e policisë rrugore, por me parametrat e plotë të sigurisë”, – u shpreh Balluku.
Punimet për ndërtimin e tunelit nisën në 15 nëntor të vitit 2021, pas garës koncesionare të zhvilluar që u fitua nga një konsorcium turk i përbërë nga 2 kompani (Intekar yapi turizm elektrik insaat sanayi ve ticaret limited dhe Sirketi asl insaat taahhut ve sanayi ticaret limited sirketi). Kontrata koncesionare ka një kohëzgjatje prej 35 vitesh, ndërkohë që investimi kap vlerën e 17,036,526,000 lekëve. Sipas informacioneve të bëra me dije gjatë ceremonisë së nisjes së punimeve, shpejtësia e lejuar në tunel do të jetë 50-80 km/orë, ndërkohë që vëllimi i makinave gjatë sezonit turistike pritet të arrijë në 10 mijë. Tuneli i Llogarasë ka një gjatësi prej 6 km, ndërsa do të shkurtojë kohën e aksesimit të jugut të vendit me rreth 45 minuta. Ai është pjesë e seksionit rrugor Orikum – Himarë pjesë e Autostradës Vlorë – Sarandë, ndërkohë që ai nis nga Ura e Shën Elizës dhe del në Urën e Palasës, duke evituar tërësisht Qafën e Llogarasë.
Një tjetër aks që u hap për qarkullim ishte edhe Thumanë – Kashar.
“Të gjithë drejtuesit e automjeteve do të kenë të drejtë të zgjedhin rrugët e shpejtësisë mbi 130 kilometra në orë me pagesë apo rrugët dytësore të cilat do të jenë të disponueshme pa asnjë lloj pagese. Ndërkohë duhet thënë që jemi në proces negocimi të kontratave të tjera, disa prej tyre janë drejt lidhjes”, – tha ministrja Belinda Balluku.
Autostrada Thumanë – Kashar është pjesë e Korridorit Adriatiko – Jonian, segmentet e të cilit kanë ecuri të ndryshme.
Gjatësia totale e këtij korridori në territorin shqiptar është 315 km dhe nis nga Kakavija, në Gjirokastër, deri në Murriqan, ku bëhet lidhja me Malin e Zi.
Ndërkaq, në vitet e fundit përpjekjet janë përqëndruar për segementet nga Fieri në Murriqan, që kanë një gjatësi totale prej 188 km. Kështu, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi nisjen e konsultimeve publike për aksin Balldren-Murriqan, çka do të thotë se ky segment aktualisht ndodhet në fazën e finalizimit të projektit.
Segmenti tjetër është Balldren-Milot për të cilin ky dikaster ka deklaruar se shumë shpejt do të hapë garën e parteneritetit publik-privat për ndërtimin e tij.
Më pas, rruga vijon në aksin Milot-Thumanë për të cilin është shpallur kompania fituese, ndërsa aktualisht janë duke përfunduar negociatat për finalizimin dhe nënshkrimin e kontratës.
Sa i takon 2 segmeteve të tjerë, që janë Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier, edhe për këto akse është zhavilluar gara tenderuese dhe janë shpallur kompanitë fituese, teksa aktualisht po negociohet kontrata që do i hapë rrugë nisjes së punimeve.
Korridorit Adriatiko- Jonian është pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar dhe ka një gjatësi totale prej 1,550 km, teksa 20% e gjatësisë së tij kalon në territorin shqiptar.
Në fakt, sikurse ishte paralajmëruar gara koncesionare për aksin Milot – Balldre u hap në ditët e fundit të vitit.
Sipas dokumenteve të tenderit vlera totale e parashikuar e projektit është rreth 365 mln euro, pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e kontratës do të jetë 35 vjet. Në këtë vlerë përfshihen kostot për projektimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës që do të jetë autostradë e kategorisë A, nga rrugë e kategorisë C që është aktualisht.
Aksi Milot-Balldre është i gjatë rreth 17 km, ndërsa do të ketë një karrexhatë dyfishe me nga dy korsi dhe korsi të emergjencës, bankinë, tunel me dy tuba, si dhe vepra arti të mëdha mbi lumin Mat dhe lumin Drin. Po ashtu koncesionari do të duhet të ndërtojë rrugët paralele të kategorisë F2, nyjet në disnivel bashkë me rrugët lidhëse dhe rrugë alternative pa pagesë të kategorisë “C”, në një distancë jo më pak se 1 km nga aksi kryesor.
Rruga fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjerë rrugorë Milot-Thumanë – Kashar – Lekaj – Rruga e Kombit dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.
Një nga projektet më të rëndësishme që avancuan në 2024-ën është Korridori VIII. Gjatë vitit u zhvilluan dhe finalizuan një sërë procedurash tenderuese, ndërkohë që vlera e fondve publike të vëna në dispozicion për ndërtimin e 14 segmenteve arrin në 350 mln euro.
Ecuria për përfundimin e secilit prej tyre është e ndryshme, teksa më të avancuar janë segmentet nga Elbasani në Qafë Thanë, ndërsa më pak i avancuar është segmenti Elbasan – Lekaj. Kështu, loti I që nis në dalje të qytetit të Elbasanit, më drejtim Qafë Thanës është thuajse i përfunduar. Në këtë lot mjetet qarkullojnë në rrugën e re, por lëvizja nuk është e hapur në të dy kahet e lëvizjes ku ende vijojnë punimet. Pas tij, vijnë lotet II, III dhe IV ku punimet kanë avancuar, kryesisht në hapjen e gjurmës apo ndërtimit të trupit të rrugës. Në këtë drejtim të rrugës tashmë Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lidhur edhe kontrata për lotet V, VI, VI dhe VIII ku aktualisht janë vendosur tabelat sinjalizuese për nisjen e punimeve. Gjithsesi, këto nuk janë segmentet fundore për të lidhur rrugën me Maqedoninë e Veriut, teksa ARRSH ka hapur një tender për projektin e segmentitn nga Bushtrica në pikën doganore, që sikurse është deklaruar nga autoritetet nuk do të jetë nga Qafë Thana. Kosto për këto lote është rreth 200 mln euro.
Ndërkaq, 6 segmente të tjerë të korridorit 8, që i përkasin aksit nga ish-Kombinati Metalurgjik i Elbasanit në drejtim të Lekajt, ku bëhet bashkimi me autostradën e korridorit blu, janë në fazë tenderimi.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompanitë fituese që do të zbatojnë punimet në 6 lotet e këtij aksi, duke i hapur rrugë nënshkrimit të kontratave dhe nisjes së punimeve.
Ky aks rrugor ka një gjatësi prej 40.7 km dhe kalon në rajonet Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqin (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karine) dhe Kavajë (Sinaballaj, Rrogozhinë). Korridorit 8 do të lidhë portet e Italisë, me portet e Varnës dhe Burgasit në Bullgari duke kaluar përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në territorin shqiptar ai shtrihet në rreth 154 km.
Por teksa projektet për korridori blu dhe korridori 8 kanë avancuar ndjeshëm, 2 segmente që janë pjesë përbërëse e tyre e që do të kompletonin gjithë gjatësinë kanë hasur vështirësi në drejtim të gjetjes së financimit. Bëhet fjalë për bypass-et e Elbasanit dhe Tiranës.
“Bypass-et kanë qenë gjithmonë të financuar me kredi dhe grante të BE-së. Në rastin e bypass-it të Elbasanit, duke qenë se e kemi pasur nën një kontratë me Cooperazione Italiana, e cila ka marrë shumë kohë pa dhënë asnjë rezultat. Nga ana tjetër është një shfaqje e përjavshme, jemi dëshmitarë të trafikut që shënohet pasditet e të premteve, në fund të autostradës Tiranë – Elbasan dhe të dielave në drejtimin Elbasan – Tiranë. Është domosdoshëmri të ecet sa më shpejt me këtë projekt, duke i dhënë mundësi që trafiku prej lindjes të mos hyjë më brenda Elbasanit. Aplikimi për bypassin e Tiranës është bërë shumë kohë më parë, që në 2016 dhe sigurisht ka kaluar disa faza nga ngjizja e projekti, në maturimin e tij. Por, jemi duke folur për një periudhë 8-vjeçare dhe duhet pasur parasysh që projektet humbin relevancën gjatë viteve që kalojnë sepse vetë ekonomia që dikton zhvillimin e infrastrukturës është zhvilluar në një mënyrë shumë të shpejtë. Këtë paketë e kemi të kombinuar me një kredi të dhënë nga BERZH dhe Grant i BE. BERZH, për shkak të kohës së gjatë ka kërkuar rishikimin e çmimit. Duke rishikuar vetëm kredinë. Edhë në rastin e hekurhdës Vorë- Hani i Hotit rishikohet vetëm kredia duke lënë mënjanë sasinë e grantit. Ne na shtohet pesha e kredisë”, – deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ndërkaq, një tjetër projekt rrugor tejet i rëndësishëm që nisi zbatimit gjatë vitit 2024 është edhe zgjerimi i autostradës Tiranë – Durrës.
Punimet në këtë aks rrugor do të kryhen të ndara në dy lote e për pasojë Autoriteti Rugor Shqiptar zhvilloi 2 tenderë të ndarë për secilin prej tyre. Faza e parë u fitua nga konsorciumi i dy kompanive e më konkretisht, Bami Holding dhe Curri, me një ofertë prej rreth 1.38 mld lekë, pa TVSH. Ndërkohë që, tenderi për fazën e dytë është fituar nga bashkimi i 3 operatorëve, që janë “Elmazaj Konstruksion”, “Ndërtimi” dhe “ Ndregjoni”. Oferta e tyre arrin në rreth 1.49 mld lekë.
5 km e parë ku do të ndërhyhet për zgjerimin e këtij aksi përfshijnë segmentin nga Tirana deri në mbikalimin e Rinasit, ndërkohë që për pjesën tjetër të autostradës deri më tani nuk është përcaktuar ende se kur do të ndërhyhet. Sipas afateve të njoftuara rruga e zgjeruar do të duhet të jetë gati 1 vit e gjysmë nga momenti i nënshkrimit të kontratës.
Kosto totale për këtë ndërhyrje që nis pak pasi kalon kthesën e Kamzës arrin në 3.44 mld lekë apo rreth 34.4 mln euro, me TVSH. Ndërkohë që përgjegjësi i Manaxhimit të Kontratave, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar Gëzim Noni bën me dije për TV SCAN detajet e projektit, ndërsa shton se synohet përfudimi i punimeve përpara afatit kontraktual.
“Dy kontrata, të cilat kanë një afat 24 muaj është njëra dhe diçka më pak është kontrata tjetër, që është 19 muaj, por mendoj me anagzhimin e kontraktorëve dhe të gjithë aktorëve që marrin pjesë në kët operacion, të jetë diçka që do të realizohet shumë më shpejt. Ndërhyrja konsiston në zgjerimin e një koriser të re, së bashku me një korsi emergjence. Pra, autostrada aktuale që është do të shëndërrohet me 3 korsi lëvizjeje dhe një emergjence për çdo sens lëvizjeje”, – thotë Noni.
Paralelisht, me këtë aks rrugor pritet të nisin punimet edhe për rehabilitimin e aksit Kombinat – Ndroq – Plepa, si një rrugë alternativë për të aksesuar qytetin bregetar të Durrësit.
Një vëmendje gjatë vitit 2024 iu kushtua edhe zhvillimit të projekteve të reja rrugore përgjatë bregdetit të jugut. Një prej tyre është ndërtimi i bypassit Vlorë – Orikum.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka nënshkruar kontratën me kompaninë fituese që do të zbatojë punimet për ndërtimin e bypass-it nr. 1 nga Vlora në Orikum. Kontrata me kompaninë FUSHA ka një vlerë prej rreth 3.5 mln USD dhe është firmosur në datën 31 korrik 2024, ndërkohë që punimet parashikohet të përfundojnë pas 2 vitesh.
Aksi Vlorë – Orikum është një nga segmentet rrugorë me trafik të ngarkuar gjatë muajve të verës. Gjatësia e këtij aksi është 10.6 km dhe fillon nga tuneli në Ujin e Ftohtë, deri në portin e Jahteve, që ndodhet në Orikum. Ndërkohë që, tenderi u zhvillua nga BERZH, duke qenë se kjo bankë ka akorduar një kredi për të këtë projekt.
Ndërtimi i këtij aksi pritet të lehtësojë kalimin e automjeteve, drejt jugut të vendit gjatë sezonit turistik, ndërkohë që duke marrë në konsideratë pozicionimin e tij, ai do të bashkohet me aksin e rri rrugor Orikum – Dukat. Ndërkaq, paralelisht me bypassin Vlorë – Orikum, Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton punimet për projektin e quajtur lungomare 3, që është një vazhdimësi e lungomares së Vlorës. Për këtë projekt që synon riformësimin e vijës bregdetare është marrë edhe një kredi prej 30 mln USD nga Fondi Saudit për Zhvillim.
Po ashtu, gjatë vitit 2024 u hap tenderi për projektimin e Rrugës së Bregut.
Me një fond limit prej rreth 82 mln lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për projektimin e Rrugës së Bregut, që nis te rrethrrotullimi Palasë – Dhërmi, dhe përfundon në Sarandë. Aksi paraqet rëndësi në drejtim të zhvillimit të turizmit, teksa sipas dokumenteve të tenderit rruga ekzistuese Dhërmi – Sarandë ka kthesa që janë jashtë standardit, ndërsa në disa segmente rrugore ka zona aktive rrëshqitëse.
Ndërkaq, projekti që do të hartohet nga konsulenti duhet të përfshijë ndërtimin e një segmenti rrugor sipas kategorisë C2 – ndërurbane dytësore dhe që anashkalon qendrat e banuara, me synim rritjen e sigurisë rrugor. Paralelisht, duhet të bëhet parashikimi i aksesit të sigurtë të automjeteve për zonat e plazhit, mbikalimeve të këmbësorëve në zonat e banuara, parashikimi i pikave panoramike pranë atraksioneve turistike, si dhe parashikimi i vendndalimeve për parkimin e mjeteve.
Pika e fillimit të këtij segmenti rrugor është tashmë e qartë dhe e mirëpërcaktuar, e cila është rrethrrotullimi në fund të aksit rrugor Palasë – Dhërmi. Ndërkohë që, pika fundore nuk është e përcaktuar saktësisht, por duhet të jetë pranë qytetit të Sarandës. Pika fundore do të përcaktohet në funksion të nevojave që ka rrjeti rrugor (Kardhiq – Delvinë, Bypass Sarandë, Shijan – Qafë Botë) dhe Bashkia Sarandë e Delvinë. Gjatësia e aksit të ri rrugor pritet të shkrutohet me 20-30%, si pasojë e përmirësimit gjeometrik të gjurmës së rrugës.
Gjithashtu, gjatë vitit 2024 u zhvillua tenderi për projektimin e bypassit të Sarandës.
Me një ofertë prej 29 mln lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompaninë fituese që do të kryejë studimin dhe projektimin e bypassit të Sarandës. Fitues është shpallur konsorciumi i 4 kompanive (“Seed Consulting & “Taulant”, “Geoab dhe “Albegis&Co”), ndërsa në garë morën pjesë 7 kompani. Procedura e prokurimit publik për projektimin dhe studimin e kësaj vepre rrugore u hap pak muaj më parë, teksa në dokumentet e tenderit specifikohej se projekti duhet të përfshijë ndërtimin e një segmenti të ri rrugor që lidh Qafë Gjashtën me rrugën nacionale, Sarandë – Himarë, duke lënë të hapur zhvillimin e mëtejshem drejt lidhjes me rrugën Kardhiq – Delvinë – Sarandë dhe Rrugën e Bregut. Segmenti i ri prashikohet të ketë një gjatësi prej afërsisht 3.5 km, duke përfshirë segmente rrugore me karakteristika urbane ose interurbane, përfshirë një tunel me gjatësi afersisht 800-900 m.
Ndërtimi i këtij aksi pritet të zgjidhë problematikën e trafikut që krijohet gjatë sezonit veror. Sipas ARRSH, Saranda është një nga qytetet më të rëndësishme të turizimit bregdetar në Shqipëri dhe përjeton një katërfishim të popullsisë në sezonin veror me një trend gjithnjë në rritje.
Përveç pjesës bregdetare, në vitin 2024 u përmbyllën procedurat tenderuese për rrugën e hyrjes në qytetin e Shkodrës, ndërsa ndërtimi i saj do të kushtojë rreth 8.4 mln euro.
Projekti përfshin ndërtimin e aksit kthesa e Bërdicës – Ura e Bahçallëkut, ndërsa në dokumentet e tenderit specifikohej se ky segment do të shërbejë si rakordim i parametrave gjeometrikë dhe funksionalë të rrugës ekzistuese të hyrjes në qytetin e Shkodrës si dhe lidhjes me urën ekzistuese të Bahçallekut.
Ura ekzistuese parashikohet të ruhet dhe do të jetë funksionale edhe me dublimin e saj paralel me urën ekzistuese. Kjo duke qenë se me rrugën e re do parashikohet realizimi i një ure të re, paralel me urën ekzistuese, duke theksuar se ura e re nuk duhet të cenojë për asnjë arsye sigurinë apo qëndrueshmërinë e urës ekzistuese. Kjo urë do të akomodoje trafikun që lëviz në drejtimin e Tiranës, ndërsa ura ekzistuese do të shërbejë vetëm për trafikun që lëviz në drejtimin e Shkodrës.
Rruga e re do të jetë e kategorisë D, me 2 korsi për secilin drejtim lëvizjeje dhe me trotuar më të gjerë se 1.5 m në të dy anët e saj.
Ndërkaq, për vitin 2025 buxheti për ndërtimin dhe sistemimin e rrugëve do të pësojë rritje, duke arritur në 18.53 mld lekë.
Sipas listës së shpenzimeve, projekti me vlerën më të lartë të financimit është ndërtimi i Korridorit 8 me një total prej 8.8 mld lekë, për 14 lotet ku aktualisht janë lidhur kontratat apo janë në fazë tenderimi.
Buxheti i vitit që vjen siguron financim edhe për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës, në 2 lotet ku aktualisht kanë nisur punimet, ndërkohë që financimi për fazat III, IV dhe V, që janë përfshirë si zëra për herë të parë këtë vit, parashikohet të nisë në vitin 2027. Gjithashtu, buxheti i vitit që vjen parashikon financime për rikonstruksionin e rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa, në lotin e parë të saj.
Po ashtu, parashikohet financimi i Unazës së Madhe të Tiranës me 402 mln lekë, duke marrë në konsideratë se pjesa më e madhe e pagesave për kontratat e kësaj rruge janë kryer në vitet e mëparshëm.
Ndërkaq, për herë të parë këtë vit është përfshirë edhe financimi i ndërtimit të bypassit të Sarandës, me një fond prej 680 mln lekë të vënë në dispozicion. 2 projektte që bien në sy janë edhe ndërtimi i rrugës Kashar – Nyja Vaqarr, me 1.46 mld lekë dhe rehabilitimi i rrugës Fier -Kthesa e Patosit – Frataj, me 1.27 mld lekë. Paralelisht, do të vijojë financimi për kontratat e partneritetit publik – privat, ku janë 3 kontrata që do të mbështeten, me një vlerë totale prej rreth 5.4 mld lekë. Paratë do të shkojnë për koncesionin e rrugës së Arbrit, autostradën Milot – Morinë dhe ndërtimin e rrugës Orikum – Dukat, si dhe shërbimet inxhinierike të PPP për ndërtimin e aksit Thumanë – Kashar.
Ndërkaq, sa i takon investimeve rrugore me financim të huaj, janë rreth 3.4 mld lekë që do të shkojnë për transportin rrugor. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të shkojë për ndërtimin e segmentit rrugor Qukës – Qafë Plloçë, me 2.4 mld lekë.