Trajneri Hasan Lika është shfaqur i qetë pas ndeshjes, edhe pse skuadra e tij la dy pikë, që do ta kishin ngjitur më shumë në renditje Luftëtarin, duke e bërë kandidat serioz për Europën. Ka vlerësuar lojën e të tijve dhe ka evidentuar mungesat e shumta si shkak që skuadra nuk shkoi te fitorja. Në përgjithësi, trajneri i Luftëtarit e ka quajtur ndeshje pozitive:
Ka meritë skuadra dhe individi që krijojmë raste, por shpesh në futboll ndodh që nuk shënon dhe rastet e pastra. Na ndëshkuan këto raste, sepse nuk arritëm ta fitonim ndeshjen, madje në fund rrezikuam ta humbisnim me kundërsulmin e Vllaznisë.
Është rezultat pozitiv. Luanim në fushën tonë dhe donim ta fitonim ndeshjen, por përballë kishim një kundërshtar të fortë pas merkatos së dimrit. Dua të falënderoj djemtë që dhanë maksimumin dhe për sakrificën, sidomos Demon. Kishim shumë mungesa dhe zhvilluam një ndeshje të mirë. Meritonim më shumë, por kështu është futbolli. Kur mungojnë katër futbollistë titullarë, nuk është pak.
Gioli është gjithmonë i bukur, por merr vlera kur i jep pikë skuadrës. Abazaj dhe Bregu zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, sidomos në pjesën e dytë, por nuk shënuan. Duhet të jenë më të kujdesshëm para portës. Pjesa e dytë ishte e mirë, por nuk patëm efiçencë në sulm. Duhet të shohim përpara, duke i marrë ndeshjet me radhë”, – ka thënë për “Supersport” trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika.