I ftuar në podcasting e Ramës mëngjesin e sotëm ishte bashkëshorti i ambasadores suedeze në Tiranë, Elsa Håstad e cila mbyll misionin e saj në Shqipëri.
Christof Landor është shkrimtar. I pyetur nga Rama për një përgjigje të sinqertë se çfarë nuk i pëlqen nga Shqipëria dhe shqiptarët ai tha:
“Jeni njerëz me zemër të ngrohtë dhe miqësore. Por më krijohet përshtypja që jeni shumë miqësore me të huajt, por jo me njëri tjetrin.
Problemi më i madh në shoqërinë shqiptare është mungesa e besimit në të gjithë nivelet, mes individëve, institucioneve e shoqërisë.
E shikon në ditën e përditshme, në trafik, secili do të kalojë i pari. Kjo është një pengesë e madhe. Pakujdesia me mjedisin. Plehrat”, tha ai.
“Nuk jemi vetëm të mirë me të huajt, por me miqtë është një detyrim që e kemi të trashëguar. Është më shumë në ADN tonë”, iu përgjigj Rama.
Bashkëjetesa me shqiptarët, për poetin suedez, ka qenë e veçantë, teksa rendit vlerat që ka parë tek ta.
“Ajo që do të marr me vete kur të kthehem në shtëpi është se gjërat më të mira të Shqipërisë janë absolutisht, pa asnjë hezitim shqiptarët. Nuk ka diskutim.
Malet janë fantastike, ushqimi është i shkëlqyer, vreshtat, deti, zogjtë e të tjera, por për mua janë shqiptarët.
Shumë shpesh kjo i befason shqiptarët. Ju jeni njerëz të ngrohtë, njerëz që doni të argëtoheni, jeni të zgjuar dhe të rrish me ju është argëtuese”, thotë ai.









