E ftuar në emisionin “Pardon My French”, Rozana Radi ka rrëfyer për rrugëtimin e saj artistik dhe përvojën në “Big Brother VIP Albania”, të cilën e cilësoi si një pikë kthese të fortë.
Këngëtarja u shpreh se pa eksperiencën në BBV nuk do të ishte rikthyer me të njëjtin intensitet në koncerte dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me publikun:
“Unë duhet që ta falënderoj Big-un shumë, sepse po të mos ishte për Big Brother unë nuk do t’u isha rikthyer më koncerteve të mia. Imagjino kur e them unë që jam rritur në skenë. Unë e kam thënë që BBV është “Big”-u i jetës sime dhe unë do ta bëja 100 herë”, u shpreh ajo.
Radi theksoi se pas daljes nga shtëpia është ndier më e fortë dhe më e motivuar profesionalisht, duke shtuar se këtë përvojë do ta përsëriste pa asnjë hezitim.
Sipas artistes, edicioni aktual i ka dhënë banorëve një ekspozim shumë më të madh se zakonisht:
“E kam thënë që nuk të hap një penxhere ose një dritare, por mendoj që protagonistëve që janë këtë vit i ka hapur një tarracë.”
Ajo shpjegoi se në BBV ekzistojnë katër kategori lojtarësh, nga ata që hyjnë pa asgjë për të humbur, tek ata që vijnë për t’u rikthyer, për t’u provuar ose për të treguar një anë tjetër të vetes.
Rozana u ndal edhe te mesazhi që, sipas saj, çdo banor duhet të kuptojë:
“Askush nuk ka për të humbur nga Big Brother, njeriu humb nga goja e vet. Nga ajo që nxjerr nga goja, nga sjellja e vet. Nuk humb nga BBV, por vetëm fiton.”
Ajo këshilloi konkurrentët ta shfrytëzojnë këtë eksperiencë si një mundësi unike për të ndërtuar diçka të madhe për të ardhmen. Ajo e krahasoi Big Brother me një shans të rrallë që duhet përdorur me mençuri:
“Ata që janë atje brenda nuk më dëgjojnë, por uroj që të dinë ta marrin këtë eksperiencë dhe ta përdorin si atë monedhën e fundit që ka mbetur në xhep dhe ti duhet ta shpenzosh në mënyrën më të mirë të mundshme sepse po e humbe, e gjen ai tjetri”, tha këngëtarja.









