Ndërkohë që PS zhvilloi Asamblenë Kombëtare, PD nga ana tjetër po përgatitet për aksionin opozitar. Kreu i PD-së Lulzim Basha, përmes një udhëzimi për strukturat demokrate, bën me dije se brenda partisë më të madhe opozitare do të nisë një proces konsultimesh 8-javore me anëtarësinë për rrugët e modernizimit, ndryshimit dhe ristrukturimit të PD si dhe aksionit të saj politik.
Në udhëzim shkruhet se “Partia Demokratike po përgatitet të ndërmarrë një aksion të gjithanshëm politik e legjislativ për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për të forcuar funksionimin demokratik të politikës dhe për të ulur mundësitë për ndikimin e padrejtë të zgjedhjeve përmes shitblerjes së votës, kërcënimit dhe dhunimit të vullnetit të votuesit” – shkruhet në dokumentin e siguruar nga “BalkanWeb”.
“Kjo reformë do jetë një kontribut i jashtëzakonshëm, por ajo nuk do të mjaftojë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, nëse ne nuk angazhohemi në aktivitete konkrete në mbrojtje të votës së lirë. Ne do të hartojmë dhe vëmë në zbatim një strategji të brendshme kundër shitblerjes, vjedhjes dhe ndikimit të votës, e cila duhet të përmbajë një plan konkret veprimesh për të parandaluar dhe shmangur tjetërsimin e votës” – shkruhet më tej në dokument.








