Katër anëtarë të një grupi të rrezikshëm që kryenin vjedhje të parave dhe sendeve me vlerë në banesa të ndryshme janë arrestuar në Fier. Banda u kap në në tentativë për të vjedhur 2 banesa në Cakran. Në tentativë për tu larguar autorët kanë përplasur dhe një banor të zonës duke i rrezikuar edhe jetën.
“Gjatë operacionit, 2 prej autorëve tentuan të largoheshin me një automjet, të cilin e vodhën në banesën e shtetasit F. S. dhe gjatë tentativës për t’i ikur ndjekjes së Policisë, goditën me automjet shtetasin T. B., 36 vjeç, i cili u ka bërë me shenjë për të ndaluar, por ata e kanë përplasur dhe përsëri tentuan të largoheshin, por u kapën gjatë ndjekjes nga Policia” informon policia
Policia informon se shtetasi T. B. ndodhet në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve.
Të katërt autorët e dyshuar janë persona me precedentë të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes së banesave. Njëri prej autorëve ishte shtetas i shpallur në kërkim, për veprën penale “Vjedhja”.
Operacioni u kodua “Shëtitësit”
Të arrestuarit janë
– A. L., 27 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar disa herë për vjedhje.
Ky shtetas ishte edhe person në kërkim, pasi Gjykata e Beratit i ka vendosur masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.
– E. D., 31 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar disa herë për vjedhje.
– A. L., 31 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje.
– L. N., 24 vjeç, banues në Frakull, Fier.
Vjedhjet
Në sajë të materialeve të administruara dhe veprimeve hetimore, rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë edhe të rasteve të mëposhtme të vjedhjes së banesave:
1. Në datën 30.05.2019, në fshatin Ferras, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetases E. M., ku kanë marrë 5 milion lekë, disa sende me vlerë dhe bizhuteri floriri.
2. Në datën 19.11.2019, në fshatin Kafaraj, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit J. B., ku kanë marrë një sasi parash dhe pajisje elektroshtëpiake.
3. Në datën 13.11.2019, në fshatin Frakull e Madhe, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit M. H., ku kanë marrë 1 milion e 700 mijë lekë dhe disa bizhuteri floriri.
4. Në datën 23.01.2020, në fshatin Ferras, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit R. N., ku kanë marrë 2 milion e 800 mijë lekë dhe disa bizhuteri floriri.
Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të banesave të kryera nga këta shtetas.
Kacavidat dhe darë prerëse- Policia sekuestroi çanta me pajisjet që përdoreshin për të kryer vjedhjet, si: kaçavida, darë prerës, çelësa të ndryshëm, 8 telefona celularë të markave të ndryshme dhe automjeti, i cili gjithashtu përdorej nga këta shtetas për të kryer vjedhjet.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Vjedhja me dhunë”.









