Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me komunikimin e akuzës që iu bë sot në ambientet e SPAK. Berisha tha se u deklarova mercenarëve, grupit të strukturuar kriminal, sipas tij, prokurorëve Kraja dhe Mellonai, se dokumenti i paraqitur është një piramidë mashtrimi. Ai shtoi se ai dokument tregon se Edi Rama dhe ata që ndihmuan, që kryen reformën e Xhorxh Sorosit, sipas tij, iu dhanë shqiptarëve një monstër që nuk e kanë pasur kurrë të tillë nga ditët më të zeza të diktaturës.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju misionare dhe misionarë të një misioni, të një kauze të madhe dhe të drejtë. Të kauzës së përmbysjes së narkoshtetit, krijimit të qeverisë teknike. Kauzës së zgjedhjeve të lira dhe fitores së opozitës. Të dashur miq, sot unë në zyrat e krimit, në zyrat e krimit të narkoshtetit, u deklarova mercenarëve, grupit të strukturuar kriminal Dumani-Damani, njëqind herë më i mirë Nuredini se Altini, Krajës dhe Mellonait, ish-oficerit të Sigurimit të Shtetit dhe ndrikullës së bandave, motrës sibiologjike të Taulantit me shumë mbiemra, se dokumenti juaj është një piramidë mashtrimi.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, dokumenti që ata kanë shkruajtur për katër vite tejkalon çdo imagjinatë në poshtërsinë, në mashtrimin, në falsifikimin, në vetëposhtërimin e njeriut. Ai dokument tregon se Edi Rama dhe ata që ndihmuan, që kryen reformën e Xhorxh Sorosit, iu dhanë shqiptarëve një monstër që nuk e kanë pasur kurrë të tillë nga ditët më të zeza të diktaturës.
Krijuan te shqiptarët një grup të strukturuar kriminal, një organizatë kriminale që nuk njeh asnjë ligj, asnjë moral, asnjë Kushtetutë, asnjë normë njerëzore, por i kapur kokë e këmbë me krimin është i aftë me dorën e zezë të shkruajë çdo gjë, të vjedhë çdo gjë, të mbulojë çdo gjë, të rrëmbejë çdo gjë.