Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se janë të vendosur të luftojnë edhe për idealet e demokratëve që nuk jetojnë më, mes tyre edhe Bujar Nishani.
Komentet Berisha i bëri gjatë fjalës para mbështetësve të mbledhur poshtë banesës së tij, ku ai po vuan dënimin me ‘arrest shtëpie’ për korrupsion, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Nishanit.
Reagimi i Berishës:
Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare dhe misionarë të vërtetë të kauzës së drejtë, të dinjitetit njerëzor, shpresës, besimit dhe fitores së ardhshme.
Ju përshëndes përzemërsisht ju.
Përshëndes oratorët për fjalët e tyre në platformën e parlamentit të lirisë, që rrezatojnë shpresë dhe besim në të katër anët e vendit.
Miqtë e mi, sot ne nderojmë në përvjetorin e ndarjes nga ne, njërin nga personalitetet më të shquara, më besnike, më të virtytshme të PD, ish-presidentin Bujar Nishani.
Ne jemi të vendosur të luftojmë për idealet e demokratëve, por edhe për idealet e demokratëve që nuk jetojnë më, midis tyre ish-presidentit Bujar Nishani.