“Kjo që po jetojmë është aq e vërtetë sa hëna në qiell të pastër”, ishte fraza me të cilën Danjeli i shprehu dashurinë në mënyrë romantike Fotonisë në “Big Brother 9”, para se ata të visheshin nuse e dhëndër.
Dy javë pasi djali simpatik nga Tropoja i propozoi për martesë të dashurës së tij në lojë, produksioni realizoi dasmën e tyre reale brenda shtëpisë. Me bekimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, 26-vjeçari që studion për Drejtësi dhe 23-vjeçarja nga Gjirokastra, që ëndërron t’i hyjë aktrimit, i premtuan të shtunën njëri-tjetrit dashuri të përjetshme, në të mirë e në të keq, me dëshmitarë një publik të tërë.
Por si e pritën familjarët e tyre këtë vendim të çiftit që u mor në një kohë të shkurtër bashkëjetese nën vëzhgimin e kamerave? Për celebrimin e vërtetë në “Big Brother”, bisedat mes krushqive dhe dasmën e madhe që familja e Danjelit ka planifikuar për ta pasi të dalin nga loja i tregon në këtë intervistë të parë për gazetën “Panorama” ajo që më shumë se të gjithë është totalisht e bindur në ndjenjat dhe dashurinë e tyre, motra e dhëndrit, Suela Godo.
Ceremonia e celebrimit të Danjelit me Fotininë në shtëpinë e “Big Brother 9” ishte një ngjarje e veçantë, që nga loja kaloi në realitet. Si u ndjetë ju si familje dhe patët ndonjë moment hezitimi ndaj këtij vendimi të rëndësishëm?
Ne e kemi ndjekur gjithë rrugëtimin e tyre në “Big Brother”. Kemi parë si u njohën, si u përshtatën e si u dashuruan me njëri-tjetrin. Duke parë çdo hap që ata kanë hedhur në marrëdhënien e tyre, ne e kishim kuptuar që kjo nuk i përkiste aspektit të lojës, por ishte realiteti brenda saj. Sa i përket vendimit të tyre për kurorëzimin e kësaj lidhjeje në martesë, sigurisht që e prisnim të ndodhte në të ardhmen. Si dhe për të gjithë të tjerët, vendimi për ta kryer aty për ne ishte i paparashikuar dhe sigurisht që patëm momentet tona të hezitimit.
Hezitim për çfarë?
Hezitim jo për faktin e të qenit kundër kësaj martese, por do të donim që Danjeli e Fotinia të kishin mundësinë të shijonin çdo etapë të lidhjes së tyre, t’i ndërmerrnin hapat një e nga një, e këtë dashuri ta ndanin edhe me familjet. Do të kishim dashur që lumturinë e tyre ta gë- zonim të gjithë së bashku.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, e veçoi faktin se kjo është një martesë e pazakontë, pasi vendimi për altarin u mor në një kohë të shkurtër. Cila është frika juaj për këtë hap të Danjelit?
Personalisht, arrij ta kuptoj edhe këtë vendim në një kohë kaq të shkurtër. Për ne që i ndjekim nga jashtë është realisht një kohë e shkurtër, ndërsa ata e jetojnë aty intensivisht dhe orët që kalojnë me njëri-tjetrin barazohen me javë e muaj në jetën reale. Frika ime? Pas disa vitesh do të thonë: “Ah sikur ta kishim shijuar më gjatë periudhën e dashurisë pa përgjegjësitë e martesës”…(qesh). Seriozisht, vendimet e Danjelit në jetën e tij deri tani nuk na kanë vënë asnjëherë para pikëpyetjeve, prandaj jam besimplotë.
Jeni takuar me krushqit, pra familjarët e Fotinisë dhe çfarë keni biseduar?
Jam takuar me mamanë e Fotinisë sigurisht dhe kemi biseduar për Danjelin e Fotininë, lidhjen e tyre, e së fundmi edhe martesën.
Një nga banorët, Elsamedi, ka shprehur dyshimet e tij se kjo dasmë mund të jetë false. Çfarë përgjigjeje mund t’i jepnit atij në distancë dhe publikut që mund të ketë dyshime?
Përgjigjet për këtë pjesë i kanë dhënë Danjeli e Fotinia, çdo ditë, çdo orë e çdo moment aty brenda. Me fjalë, me sjellje, me veprime e me ndjenja. Gjithsesi, si motra e Danjelit dhe duke qenë se e njoh më mirë se çdokush tjetër, do t’ju thosha që Danjeli nuk do të pranonte kurrë të humbiste fytyrën e vet për asgjë në këtë botë. Çdo hap në jetë deri tani e ka hedhur me vendosmëri dhe besim te vetja dhe nuk besoj që kjo të ndryshojë ndonjëherë.
Vetë Danjeli është shprehur se kjo që po jeton është gjëja më e bukur e jetës së tij, ndjesi e pohuar edhe nga Fotinia. Besoni vërtet në jetëgjatësinë e kësaj dashurie, që fundja lindi në një lojë televizive?
E thashë që në hyrje, të gjithë i kemi ndjekur hap pas hapi në këtë rrugëtim. Unë më shumë se të gjithë jam totalisht e bindur për ndjenjat dhe dashurinë e tyre. E këtë nuk e besoj vetëm unë. Çdo ditë kontaktohem nga shumë njerëz, fansa të Danjelit e Fotinisë, që më shprehin afeksionin e tyre të madh dhe më lumturojnë pa masë. Po ashtu, kanë nisur të fantazojnë për ardhmen duke projektuar sjelljen në jetë të fëmijës së tyre të parë. Ju si familje do ta dëshironit vajzë apo djalë? Fotinia do ta donte vajzë… (qesh). Ndërsa ne do të jemi shumë të lumtur kur të vijë trashëgimtari, qoftë vajzë, apo djalë.
Çfarë vlerëson apo nuk duron dot Danjeli në një marrëdhënie dhe pse mund të kalojë gjithë jetën me Fotininë, apo mund t’i japë fund me të?
Përsëri po citoj Danjelin drejtuar Fotinisë: “Ti je dhe ke çdo gjë që unë kam dashur gjithmonë. Nuk të heq asnjë presje nga çfarë je, apo bën”. Në fakt, kjo që ka ndodhur është surprizuese… është fat mendoj unë.
Sa i takon lojës, besoni se ata do të jenë çifti fitues i 100 milionëve dhe kush janë rivalët e tyre më të fortë?
Po, i shoh të denjë për të qenë çifti fitues në çdo aspekt. Për karakteret e forta, për personalitetin që shfaqin, për mendimet e pjekura, për mënyrën se si përballen, si analizojnë, si artikulojnë. Për ndjenjat, dashurinë, mbështetjen e bashkëpunimin. Për çdo gjë që ata janë e përfaqësojnë. Sa për të tjerët, mendoj se të gjithë çiftet që kanë hyrë nga fillimi në lojë janë rivalë me njëri-tjetrin për çmimin e madh.
Ju si familje, a keni përgatitur ndonjë surprizë për çiftin pasi të dalin nga loja?
Po, do të bëjmë dasmë të madhe.
Ju tregoj nëse Danjeli do ta mbështesë Fotininë në ëndrrën për t’u bërë aktore
Ata i kanë kërkuar falje njëri-tjetrit për sjelljet deri tani. Si do ta komentonit Fotininë si nusen e vëllait dhe a mendoni se impulsiviteti i Danjelit do ta dëmtojë martesën?
Fotinia, vajza që na surprizon çdo ditë e më shumë. Karakter i fortë, vajza e dashur, e sjellshme, e kulturuar, me një botë të madhe shpirtërore. Pastaj, e pastër, punëtore, vajzë për shtëpi… (qesh). Po të citoja Danjelin: “Sikur jam ulur dhe të kam programuar vetë siç të doja”… Dhe është po Fotinia që ia ka dalë të kurojë më së miri edhe impulsivitetin e Danjelit.
Fotinia, nusja e vëllait, a është e bukur mjaftueshëm për Danjelin?
Fotinia është e bukur në pamje, por edhe më e bukur në shpirt.
Pas daljes nga loja, si do të vazhdojë jeta e tyre? Si mund ta përballojë martesën Danjeli, duke qenë se është student në Fakultetin e Drejtësisë?
Për jetën pas “Big Brother” do të vendosin ata vetë. Edhe pse student, Danjeli gjithnjë ka punuar. Tani përgjegjësitë do të jenë më të mëdha, kështu që edhe ata të dy do të duhet të impenjohen fort. Ne do të jemi si gjithmonë mbështetja e tyre më e madhe.
Nga ana tjetër, Fotinia, me profesion agjente shitjesh, ka shprehur dëshirën se ka hyrë në “Big Brother” me shpresën që të bëhet aktore. Mendoni se do ta mbështesë Danjeli bashkëshorten e tij për t’i hyrë botës së artit?
Unë mendoj që ata do të jenë mbështetës të njëri-tjetrit gjithmonë. Për sa i kemi parë këto kohë së bashku brenda formatit, mbështetja që ata i japin njëri-tjetrit dhe besimi i plotë që kanë te njëri-tjetri në çdo situatë është ajo që i bën ata të dallueshëm nga të tjerët.
Është folur nga mediat se të dy vijnë nga histori të trishta sentimentale. Fotinia ka humbur të dashurin në një aksident dhe Danjeli i ka dhënë fund para se të hynte në “BB” historisë së dashurisë së adoleshencës. Mendoni se do të ndikojë e shkuara në lidhjen e tyre aktuale?
Njeriu duhet të dijë të lërë të shkuarën pas e të ecë drejt së ardhmes me hapa të sigurt. Ata janë të dy të rritur, të pjekur (edhe më shumë nga vështirësitë e kaluara), e sigurisht që do të dinë të ecin së bashku.
PANORAMA PLUS