Nga Bill Gates
Bota është në prag të një përparimi të madh shkencor. Me shumë gjasa një vaksinë e sigurt dhe efektive kundër Covid-19 do të jetë në dispozicion në fillim të vitit të ardhshëm. Në të vërtetë, mbase do të ketë më shumë se një. Falë këtij përparimi të madh, bota më në fund do ta zhdukë kërcënimin e pandemisë dhe të kthehet në normalitet. Meqenëse do të jetë i mundur vaksinimi kundër sëmundjes, qeveritë do të jenë në gjendje të revokojnë të gjitha masat e distancimit social, njerëzit do të ndalojnë së përdoruri maskën dhe ekonomia globale do të rimëkëmbet.
Megjithatë, zhdukja e sëmundjes nuk do të ndodhë automatikisht. Për ta arritur këtë, nevojitet të sigurohet që ekziston një kapacitet për të prodhuar miliarda doza të vaksinës, të gjenden fonde dhe të identifikohen strategjitë më të përshtatshme për shpërndarjen e saj.
Kapaciteti i prodhimit
Tani, shumica e prodhimit të vaksinave është destinuar për vendet më të pasura, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje me kompanitë farmaceutike, duke siguruar të drejtën për të blerë miliarda doza sapo të prodhohen.
Por çfarë do të ndodhë me vendet me të ardhura të ulëta? Ky është një grup vendesh që variojnë nga Sudani i Jugut në Nikaragua dhe Mianmar. Megjithëse mikpresin pothuajse gjysmën e popullsisë së Tokës, këto vende nuk kanë fuqi blerëse, për të lidhur marrëveshje me kompanitë farmaceutike. Ato do të jenë në gjendje të imunizojnë, në rastin më të mirë, vetëm 14 për qind të popullsisë së tyre.
Modele të reja parashikimi, të zhvilluara nga Universitetii Northeastern na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë ndodh nëse shpërndarja e vaksinave është kaq e pabarabartë. Studiuesit analizuan dy skenarë të mundshëm. Në të parin, vaksinat shpërndahen në të gjitha vendet bazuar te numri i banorëve. Në të dytin është një situatë shumë e afërt me atë që po ndodh sot, domethënë që pesëdhjetë vendet më të pasura të planetit do të kenë në dispozicion dy miliardë dozat e para të vaksinës.
Me këtë skenar, virusi do të vazhdojë të përhapet i pakontrolluar, në tre të katërtat e globit. Dhe viktimat do të dyfishohen. Do të ishte një katastrofë morale. Vaksina e kthen Covid-19 në një sëmundje të parandalueshme dhe askush nuk ka pse të vdesë nga një sëmundje e parandalueshme, vetëm sepse vendi në të cilin jetojnë nuk siguron dot vaksina. Por, pavarësisht nga parimet morale, skenari i një “vaksine të rezervuar ekskluzivisht për vendet e pasura” nuk është më pak problematik.
Në këtë skenar, ne të gjithë do të bëheshim si Australia dhe Zelanda e Re: dy vende që kanë shijuar periudha të gjata me shumë pak raste infektimesh brenda kufijve të tyre, por prapë ekonomia është penalizuar, sepse partnerët tregtarë janë të izoluar. Dhe herë pas here, një bartës i ri i virusit do të kalojë Paqësorin e Jugut për të krijuar vatra të reja infeksioni. Këto shpërthime kanë tendencë për t’u rritur dhe zgjeruar, prandaj do të jetë e nevojshme mbyllja e shkollave dhe zyrave.
Megjithëse me tepricë vaksinash, edhe kombet e pasura rrezikojnë të infektohen përsëri, sepse jo të gjithë do të jenë të gatshëm të vaksinohen. Mënyra e vetme për të eliminuar kërcënimin e kësaj sëmundjeje në një vend është eliminimi i saj në të gjitha vendet. Mënyra më e mirë për ta ngushtuar këtë hendek vaksinimi është që të mos drejtohet gishti nga vendet e pasura, të cilat kuptohet se po bëjnë gjithçka për të mbrojtur popullsinë e tyre. Në vend të kësaj, ne duhet të maksimizojmë aftësinë për ta prodhuar vaksinën në shumë pjesë të globit. Vetëm në këtë mënyrë do t’i mbrojmë të gjithë, në çdo cep të planetit.
Tashmë është bërë përparim i konsiderueshëm në këtë front, veçanërisht në lidhje me barnat për trajtimin e Covid-19. Kompanitë farmaceutike kanë rënë dakord për të rritur prodhimin duke bashkuar përdorimin e ilaçeve. Remdesivir, për shembull, u krijua nga Gilead, por sasi shtesë do të prodhohen nga fabrikat e Pfizer. Asnjë kompani farmaceutike nuk i kishte dhënë më parë një konkurrenti përdorimin e pajisjeve të saj, ndërsa sot jemi dëshmitarë të kësaj përpjekjeje të përbashkët të jashtëzakonshme edhe në lidhje me vaksinat, informon dritare.net. Në këto orë, 16 kompani farmaceutike kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me fondacionin tonë, duke rënë dakord të bashkëpunojnë në prodhimin e vaksinës dhe ta rrisin atë në një normë të paparë, duke siguruar kështu që vaksinat e miratuara të mund të shpërndahen në një shkallë të gjerë sa më shpejt të jetë e mundur.
Financimi i nevojshëm për prodhimin e vaksinave
Përveç mbështetjes së kapacitetit të prodhimit, miliarda doza vaksinash që do të alokohen në vendet më të varfra, duhet të financohen. Këtu hyn në lojë Act Accelerator, iniciativa e promovuar nga organizata të tilla si Gavi dhe Global Fund. Ndërsa për shumë janë ende të panjohura, këto agjenci kanë eksperiencë prej dy dekadash në financimin e vaksinave, barnave dhe pajisjeve diagnostikuese.
Kompanitë farmaceutike kanë punuar për të lehtësuar pagesat, duke hequr dorë nga çdo formë fitimi te vaksinat kundër Covid-19 dhe duke u zotuar t’i bëjnë ato të arritshme për të gjithë. Por investimet publike janë gjithashtu të nevojshme.
Mbretëria e Bashkuar është një shembull i mirë për të gjitha vendet e pasura. Ajo i ka dhuruar fonde Act Accelerator për të siguruar qindra-miliona doza vaksinash për vendet e varfra. Kryeministri italian Conte ishte ndër të parët që shprehu nevojën për një bashkëpunim shumëpalëshe ndaj Covid-19. Por ne duhet të bëjmë më shumë dhe të ndërhyhet me më shumë zemërgjerësi.
Shpërndarja e vaksinave
Në fund, pasi të jetë siguruar kapaciteti i prodhimit dhe të gjenden fondet, shërbimet shëndetësore duhet të sigurojnë personel dhe infrastrukturë të aftë për shpërndarjen e vaksinave në botë. Kemi shumë për të mësuar nga përpjekjet e vazhdueshme për të zhdukur poliomelitin. Ndër imazhet më të famshme të fushatës së poliomelitit në Indi, është një që tregon një varg punonjësish shëndetësorë, të cilët ecin duke mbajtur në kokë kontejnerët termikë për vaksinat, të zhytur në ujë, në zonat e përmbytura, për të arritur në fshatrat më të largëta. Një rrjet i ngjashëm i punonjësve shëndetësorë do të jetë i nevojshëm për të identifikuar rastet e Covid-19 në vendet më të varfra në botë, në mënyrë që të arrihen edhe zonat më të paarritshme, ku nuk ka rrugë.
Me fjalë të tjera, beteja për të mposhtur Covid-19 do të na lejojë të krijojmë një sistem që mund të zvogëlojë rrezikun e pandemive të reja në vitet që vijnë.
Duke studiuar historinë e tyre, mësova se pandemitë priren të krijojnë një dinamikë shumë befasuese mes interesit vetjak dhe altruizmit. Pandemitë përfaqësojnë ato raste të rralla në të cilat reagimi instiktiv i një vendi për të shpëtuar veten shkon paralelisht me impulsin për të ndihmuar të tjerët. Dhe ne zbulojmë se interesi vetjak dhe altruizmi, domethënë, garantimi i aksesit në vaksina edhe për kombet e varfra, janë e njëjta gjë./Përshtati: Kadrije Çako,dritare.net/