Nga Hollanda aty ku po kalon ditët e karantinës, biznesmenia shqiptare Silvana Baltadori, e cila tani mban mbiemrin Heijneman, është shprehur e indinjuar me sistemin shëndetësor.
Përmes një lidhje skype për emisionin “Vizioni i Pasdites” ajo ndau historinë e nënës së saj, për të cilën Silvana tha se për pak e humbi në muajin Janar dhe kjo sipas saj për shkak të neglizhencës nga sistemi shëndetësor.
“Nëse i referohem vendit tonë, Shqipërisë, që kemi një sistem shëndetësor jo për të ardhur keq, por për të qenë, kam qenë shumë e indinjuar.
Mua desh më iku nëna ime në Janar, e filluam shumë keq vitin. Kaloi një strocë celebrale dhe shërbimi shëndetësor do të thosha është zero.
Pavarësisht se mjekët dhe infermierët janë heronjtë e heshtur të kombit shqiptar. Ku kanë shkuar paratë e shqiptarëve, çfarë është bërë tërë këto vite. Ndërkohë që në spitale mungojnë edhe ilaçet në sallat reanimative. Unë e kam hequr në kurrizin tim këtë gjë, vetë.”
E pyetur si po i përjeton ditët në karantinë, Silva me humor u shpreh se të kesh burrin në shtëpi 24 orë është një hall i madh.
“Tani e kuptoj mamanë time dhe gjithë kushërirat, hallat, komshiet, kur thoshin ‘bobo ç’më ka gjetur, më ka dalë burri në pension’.
Ne kemi lirinë e kontrolluar, për fat të mirë parqet janë me kilometra. Koha është jashtëzakonisht e bukur dhe është një tragjedi për hollandezët, që gjithë vitin jetojnë në gri e në erë. Ndërsa këto 3 javë ka një diell mahnitës.”
Shumë kilometra larg fëmijëve të saj, që ndodhen në Shqipëri, Silva zbuloi se ditën e sotme feston ditëlindjen e djalit, Kristit. Ky i fundit feston ditëlindjen i karantinuar në shtëpi dhe për herë të parë larg së ëmës.