Bledi Çuçi është prezantuar si drejtusi politik i socialistëve në qarkun Berat. Në takimin e organizuar me strukturat lokale ishte i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri dhe drejtuesi i deritanishëm Blendi Klosi. Çuçi tha gjatë fjalës së tij se rezultati i fundit i arritur në këtë qark është një premisë e mirë për vijimësinë, por që duhet mbajtur e punuar fort.
Më poshtë mesazhi i tij i plotë
Me Damianin, Blendin dhe kolegët e tjerë në Asamblenë e socialistëve të Beratit në takimin e parë të këtij rrugëtimi të ri si drejtues politik i qarkut. Besimplotë se së bashku do të shkruajmë histori të reja suksesi për Partinë Socialiste, njësoj siç bëmë edhe në zgjedhjet e fundit nën drejtimin e shkëlqyer të kolegut Klosi. Dhe jo vetëm kaq sepse për ne nuk janë thjesht zgjedhjet si qëllim në vetvete, por kemi përgjegjësinë e madhe të çojmë përpara investimet, të finalizojmë projektet që nxisin zhvillimin ekonomik dhe t’u shërbejmë më mirë qytetarëve në të gjjtha nivelet e qeverisjes. Do të punoj me të gjithë socialistët dhe qytetarët e zakonshëm në të pestë bashkitë e këtij qarku, për të ndërtuar këtu të ardhmen e tyre dhe të gjeneratave që do të vijnë. I kemi të gjitha premisat të ruajmë rezultatin spektakolar që PS mori në këtë qark edhe në sfidat e tjera elektorale që na presin. S’ka kohë për të humbur prandaj do të nisim menjëherë një analizë të rezultatit sipas çdo qendre votimi, për të vijuar më pas me riorganizimin e strukturave dhe mbajtjen gjithmonë hapur të dyerve për ata që duan t’i bashkohen skuadrës sonë. PS është dhe do të mbetet një parti e madhe për aq kohë sa ka aftësinë të ripërtërihet edhe kur është në pushtet.












