Nga Klementin Mile
Çka ndodhi në Bularat nuk ishte as tragjedi as komedi. Ajo qe një dramë me dy akte, ku ngjarja e parë nuk kishte asnjë cilësi politike, ndërkohë që e dyta qe tërësisht e tillë. Përballja e një qytetari shqiptar (paçka se minoritar) me policinë e vendit dhe humbja e jetës së qytetarit është një ngjarje që, më së shumti, mund të trajtohet administrativisht, juridikisht, ose teknikisht. Por ajo nuk pati asgjë relevancë politike. Politika, thotë Machiavelli, ka të bëjë me marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Në demokraci ngjarje politike janë ato që ndryshojnë shanset për pushtet të partive të ndryshme, që e përforcojnë ose e dobësojnë mbajtjen e pushtetit nga qeveria dhe që e shpien më afër ose më larg marrjes së pushtetit opozitën. Vrasja e Kacifasit nuk përmbante asgjë të tillë. Prandaj ajo, të paktën në kuadrin e demokracisë shqiptare, nuk ishte ngjarje politike.
E megjithatë, kjo ngjarje apolitike u politizua. Si në Greqi ashtu dhe Shqipëri. Është në kapacitetin e politikës që të arrijë të politizojë çfarëdolloj ngjarjeje. Por nevoja për të politizuar ngjarjet lind atëherë kur nuk ka ngjarje politike të mirëfillta. Atëherë kur duket se raportin e pushtetit nuk mund ta trazojë asgjë. Atëherë kur qeverisë i duhet të justifikojë në publik pushtetin që zotëron dhe opozitës të justifikojë pushtetin që i mungon. Politizimi i vrasjes së Kacifasit përgatiti terrenin për aktin e dytë të dramës, funeralin e të ndjerit, të transformuar në manifestim racist kundër shqiptarëve.
Reagimi i shtetarëve shqiptarë ndaj kësaj ngjarjeje dëshmoi mungesën e virtytit të tyre. Por në kuptimin politik, jo moral të fjalës. Te Machiavelli termi virtu përshkruan kërkesat e politikës së pushtetit. Kjo fjalë italiane normalisht do të përkthehej virtyt dhe do t’i referohej mirësisë morale. Por Machiavelli ka parasysh diçka krejt tjetër kur flet për virtu-në e sundimtarit. Ai e përdor konceptin virtu për t’iu referuar gamës së cilësive personale që sundimtarit do t’i duhet t’i përftojë, në mënyrë që të ruajë zotërimin mbi shtetin e tij dhe për të realizuar vepra të mëdha, çka përbëjnë dy standardet e pushtetit të tij. Në varësi të situatës, Machiavelli pret që sundimtarët që e kanë virtu-në në nivelin më të lartë, të jenë të aftë të sillen në mënyrën më të ligë të mundshme. Kjo për shkak se rrethanat e sundimit politik janë të tilla që veset morale nuk mund t’i përjashtosh nga fusha e veprimeve të mundshme. Sipas Machiavellit, personi më i përshtatshëm për rolin e sundimtarit është ai që është i aftë ta ndryshojë sjelljen e vet nga e mira tek e keqja dhe anasjelltas, në varësi të rrethanave dhe fortuna-s.
Kështu arrijmë në një koncept tjetër të rëndësishëm të Machiavellit: fortuna. Fortuna është armiku i rendit politik, kërcënimi final për sigurinë e shtetit. Ashtu si në rastin e virtu-së, edhe për konceptin e fortuna-s kuptimi i Machiavellit është ndryshe nga interpretimet e zakonshme të termit, që e lidhin atë me fatin, suksesin etj. Në veprën e Machiavellit fortuna i ngjan fuqisë së verbër të natyrës, p.sh. një lumi që del nga shtrati dhe përmbyt çdo gjë që i del përpara, ashtu sikundër manifestuesit me flamur grek goditën dhe dhunuan çdo simbol shqiptar gjatë funeralit të Kacifasit. Suksesi politik varet nga vlerësimi i parimeve operacionale të fortuna-s. Fortuna duhet kontrolluar nga sundimtari me anë të një reagimi të dhunshëm. Fortuna vetë është burimi i parë i dhunës, por duhet përgatitur një përgjigje po aq e dhunshme në mënyrë që të ruhet pushteti dhe integriteti shtetëror. Këtu del në pah edhe funksioni i virtu-së së sundimtarit: sundimtari duhet të ketë virtu në mënyrë që të ketë aftësinë për t’iu përgjigjur fortuna-s në çdo kohë dhe me çdo mënyrë që nevojitet./mapo