Ministri Bledi Çuçi tha gjatë një interviste për Report Tv tha se nuk ka luhatje të çmimeve të fruta-perimeve në tregje nga vëzhgimet e bëra në terren. Duke theksuar se e gjitha është një ekuilibër që e vendos vetë tregu, Çuçi tha se produktet shqiptare janë eksportuar me çmime mjaft të kënaqshme.
Aktualisht tha ministri në tregje 95% e produkteve janë prodhim vendi.
“Nuk mund të ndalojmë të tregohen produkte që vijojnë nga jashtë Shqipërisë. Një nga sukseset që shumë shpejt do të materializohet, fakti që kemi treguar kujdes për forcimin e pikave të grumbullimit, që përveç tregjeve të reja bëjmë edhe një lloj ngritje të standardit të ambalazhimit të produktit. Me investimin përmes skemave, kemi suportuar deri në 60% në këto pika për të krijuar një standard të shitshëm të produkteve shqiptare, në nivele europiane dhe shkojnë drejt e në markata europiane dhe kanë filluar bisedimet të thithen edhe nga markatat shqiptare. Sa i përket tregut fshatar të frutave perimeve, se bananen nuk e bëjmë dot, 95% në treg të tjerat që bëhen këtu janë shqiptare. Produktet tona do të shkojnë në Gjermani, Austri dhe vendet e Ballkanit” tha ai.
Gjatë krizës së Covid-19 ai tha se problemi më i ndjeshëm në sektorin e bujqësisë është tek produktet e peshkut për shkak të mbylljes së restoranteve. Por ministri Çuçi tha se kjo situatë po ndryshon pasi peshkarexhat tashmë kanë dalë për peshkim. Ai theksoi se Italia ka kërkesë për peshkun e freskët të kapur në Shqipëri.
“Ka filluar eksporti i peshkut drejt Italisë, ka kërkesë të shtuar”, theksoi ai.
Përsa i përket eksportit të produkteve bujqësore, ministri tha se në muajin mars të këtij vitit, eksporti i frutave dhe perimeve shqiptare është rritur me 20% krahasuar të njëjtin muaj të të vitit të kaluar.
“Për marsin eksporti u rrit 20% më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Fruta dhe perime 20% më shumë për marsin, këta janë tregues shumë të kënaqshëm për mua” tha ministri.
Në vijim të intervistës, Çuçi tha se projektet për mbështetjen nga IPARD-i vijojnë pavarësisht situatës së krijuar nga COVID-i. “Fondet e IPARD, nuk janë prekur! Vijojnë me të dyja fronte, edhe me monitorimin e kontratave që lidhen me thirrjen e parë të IPARD-it dhe me gjykimin e dosjeve aplikimeve që kanë dorëzuar në thirrjen e dytë. Duke qenë se mbajtëm vetëm një përqindje të caktuar të administratës. Por sa janë përfituesit? Në fillim pati tani ecet me shpejtësi normale. Në një nga video-konferencat që kemi pasur. Deri tani me thirrjen e parë ne arritëm të bëjmë kontrata për 58 milionë euro investime në bujqësi, diku tek 20 milionëshi janë nga ne” tha ai.









