Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njëherazi edhe drejtuesi politik i PS-së në qarkun Gjirokastër, ka vijuar me takimet elektorale në një prej lagjeve të qytetit. Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Çuçi risolli në vëmendje si ishte Gjirokastra 8 vite më parë kur rrezikonte të dilte nga UNESCO, për shkak të abandonimit total nga qeveria e PD-së dhe LSI-së.
“Nuk kanë bërë asnjë punë për Gjirokastrën. E gjetëm Pazarin në rrënim total. UNESCO kishte sjell shkresën te Ministria e Kulturës për ta nxjerr qytetin nga lista e pasurive të trashëgimisë kulturore. Sot që flasim është një nga qendrat më të bukura në Europë. Kemi bërë investime miliona euro në Gjirokastër sepse duam që ta çojmë turizmin në nivele europiane”, tha Çuçi.
Më pas ai iu kërkoi banorëve vetëm të mendonin për një çast se kush është alternativa tjetër që iu ofrohet shqiptarëve.
“Të krahasosh atë që ka bërë Edi Rama për Shqipërinë dhe Gjirokastrën me kthimin e Saliut, të Ilir Metës e Monikës apo të Lulit që ka frikë të thotë se ka qënë kryetar bashkie ngaqë s’ka bërë asnjë punë, këtu s’ka nevojë të flas fare unë sepse e kuptoni vetë kush është alternativa përballë nëse nuk jemi ne në qeverisjen e Shqipërisë”, theksoi Çuçi.









